Kongresi e miraton projektligjin e Trumpit për shpenzime dhe taksa pas disa ditëve debate e vonesa - Gazeta Express
string(98) "kongresi-e-miraton-projektligjin-e-trumpit-per-shpenzime-dhe-taksa-pas-disa-diteve-debate-e-vonesa"

Lajme

Gazeta Express

03/07/2025 21:54

Kongresi e miraton projektligjin e Trumpit për shpenzime dhe taksa pas disa ditëve debate e vonesa

Lajme

Gazeta Express

03/07/2025 21:54

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka arritur të enjten një fitore të madhe politike, pasi Kongresi e miratoi projektligjin e tij të madh për taksat dhe shpenzimet.

Projektligji vuri në pah mbizotërimin e presidentit mbi Partinë Republikane, e cila ishte kapluar nga dilemat rreth përmbajtjes së tij, pasi projketligji pritet ta rrisë ndjeshëm borxhin kombëtar dhe ta shkurtojë ndihmën shëndetësore dhe sociale.

Një grup i vogël kundërshtarësh brenda partisë në fund u pajtuan për ta votuar atë, pasi kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, punoi gjatë gjithë natës së kaluar për t’i bindur kundërshtarët në Dhomën e Përfaqësuesve ta mbështesnin “Projektligjin e Madh dhe të Bukur”.

Projektligji kaloi në votimin përfundimtar me 218 për dhe 214 kundër.

Shtëpia e Bardhë tha se Trump do ta nënshkruajë projektligjin të shtunën, më 5 korrik, për ta kthyer atë në ligj.

“Një nga projektligjet më të rëndësishme ndonjëherë. SHBA-ja është vendi më i ‘NXEHTË’ në botë, pa diskutim!!!” shkroi Trump në rrjetet sociale pasi u miratua projektligji.

Koha e votimit u shty pasi udhëheqësi i pakicës demokrate, Hakeem Jeffries, foli për afro nëntë orë për t’i vonuar procedurat.

Dëbime masive dhe ulje taksash

Projektligji voluminoz kaloi në Senat të martën dhe duhej të kthehej në Dhomën e Përfaqësuesve për t’i miratuar ndryshimet e bëra nga senatorët.

Paketa përmbush shumë nga premtimet elektorale të Trumpit: rritje të shpenzimeve ushtarake, financim për një fushatë të dëbimit të imigrantëve dhe një zotim prej 4.5 trilionë dollarësh për t’i zgjatur lehtësimet tatimore nga mandati i tij i parë.

“Sot po vendosim një gur themel të rëndësishëm për Epokën e Artë të re të Amerikës”, tha Johnson.

Por, pritet që kjo t’i shtojë 3.4 trilionë dollarë të tjerë mbi deficitin në rritje të vendit gjatë një dekade, ndërkohë që shkurton ndjeshëm ndihmën ushqimore federale dhe bën shkurtimet më të mëdha në programin Medicaid – sigurimi shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta – që nga krijimi i tij në vitet ‘60.

Disa vlerësime tregojnë se deri në 17 milionë njerëz mund të humbasin mbulimin e sigurimeve shëndetësore sipas këtij projektligji. Dhjetëra spitale rurale pritet të mbyllen.

Shpenzimet shtesë për ushtrinë dhe sigurinë kufitare do të financohen pjesërisht përmes ndërprerjes së subvencioneve për energjinë e pastër dhe automjetet elektrike – një faktor që ka nxitur një përplasje të ashpër publike mes Trumpit dhe ish-mbështetësit të tij, Elon Musk. /REL