Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës mbrëmjen e së enjtes në rrugën “Ismet Ramadani” në Ferizaj, pas një përleshjeje fizike që përshkallëzoi në përdorim të armëve të zjarrit.
Sipas njoftimit të policisë, incidenti ndodhi rreth orës 20:11, kur të dyshuarit, shtetas kosovarë, janë përfshirë në një konflikt mes vete, i cili përfundoi me të shtëna në ajër nga njëra palë e përfshirë.
Gjatë ndërhyrjes së menjëhershme, policia ka konfiskuar dy armë zjarri – lloj pistoletë, si dhe 13 gëzhoja, që besohet të jenë shkrepur gjatë incidentit. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk raportohet për persona të lënduar.
Të dyshuarit janë arrestuar në vendin e ngjarjes dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë dërguar në mbajtje, nën dyshimet për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.
“Rr. Ismet Ramadani, Ferizaj / 11.09.2025-20:11. Janë arrestuar tre të dyshuar kosovarë pasi që të njëjtit ishin përleshur mes vete me ç’rast njëri nga të dyshuarit ka shtënë disa herë me armë zjarri ne ajër. Policia në vendin e ngjarjes tek të njëjtit ka gjetur dhe konfiskuar dy armë-pistoleta dhe 13 gëzhoja. Personat e dyshuar me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Rasti duke u hetuar”, njofton Policia e Kosovës.
Këtë vjeshtë, çantat Lucky Bees janë aksesorët që çdo grua duhet t’i ketë. Me modele tote, crossbody dhe shpine,...