Konflikti me SHBA-në vetëm sa e përkeqëson gjendjen e myslimanëve kudo në botë - Gazeta Express
string(78) "konflikti-me-shba-ne-vetem-sa-e-perkeqeson-gjendjen-e-myslimaneve-kudo-ne-bote"

Gazeta Express

04/01/2020 11:51

Konflikti me SHBA-në vetëm sa e përkeqëson gjendjen e myslimanëve kudo në botë

Gazeta Express

04/01/2020 11:51

Qeveritë e shteteve muslimane do të duhej ta kishin të qartë se asnjë krizë e muslimanëve, pra, as kriza palestineze, që është në zemër të botës arabe, nuk mund të zgjidhen pa partneritet me SHBA-të dhe me Perëndimin.

Shkruan: Milazim KRASNIQI

Lexo Edhe:

Gjendja e muslimanëve në botë, në fillim të vitit 2020, është një kombinim i simptomave të një gjendjeje akute në Gjirin Persik e në Afrikë, të gjendjeje shoku vdekjeprurës në Mianmar e në Kinë, të panikut në Indi, të kollapsit në botën arabe dhe të paqartësive konceptuale në shumicën e shoqërive dhe komuniteteve muslimane. Nga simptomat akute me të cilat dramatikisht filloi viti 2020, është vrasja me dron e gjeneralit iranian, Kasem Sulejmanit, në afërsi të aeroportit të Bagdadit. Sikundër është kumtuar zyrtarisht, vrasja e tij është bërë me urdhër të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trampit, i cili në një deklaratë të mëvonshme, ka thënë se Sulejmani “është dashtë që të eliminohej para shumë vitesh.”

Histerizmi që mund të shkaktojë katastrofën

Reagimet e para zyrtare nga Irani janë të ashpra, histerike, iracionale. Krahas protestave militante nëpër sheshet e disa qyteteve iraniane, janë edhe deklaratat e zyrtarëve të lartë, të cilët flasin për “hakmarrje masive” kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në ditët në vijim do të shihet se ç’drejtim do të marrin ngjarjet e armiqësisë ndërmjet Iranit dhe SHBA-ve dhe implikmeve që mund të kenë për gjendjen në Irak, në Siri, në Liban, ku ndikimi i Iranit është evident, po edhe në Izrael dhe në Arabinë Saudite, dy shtete që kanë kurs armiqësie ndaj politikave intervencioniste në rajon të Teheranit zyrtar. Eskalimi i konflikteve në këtë rajon, mund të pamundësojë mbarimin e luftës civile në Siri, mund ta ridestabilizojë Irakun, duke e rikthyer tmerrin e luftës civile e sektare, po mund ta përfshijë në shtjellën e katastrofës edhe Libanin, i cili edhe ashtu tash sa muaj është i përfshirë nga trazira sociale e politike dhe praktikisht është shtet pa qeveri. Ndërsa, Izraeli dhe Arabia Saudite mund të përfshihen në konflikt, ose si aleat entuziastë të SHBA-ve ose si viktima, nëse goditen nga sulmet iraniane. Kësodore, nëse Irani nuk e ndalë histerinë antiamerikane dhe veçmas nëse vërtet organizon “sulme masive” ndaj objektivave amerikane, mund ta fusë veten dhe rajonin në një konflikt edhe më tragjik. Ndërsa, nga konflikti me SHBA-të nuk ka gjasa që të dalë fitues as Irani e as popujt e rajonit. Vuajtjet që janë përjetuar tërë këto decenie e vite nga miliona njerëz në Liban, Iran, Irak dhe në Siri, do të duhej të ishin mësim i mjaftueshëm për të gjithë udhëheqësit në botën arabe dhe iraniane. Nëse vërtet nuk kanë marrë mësim deri tash, ose janë tërësisht të papërgjegjshëm ose janë të verbuar nga fanatizmi iracional. Simptomi i dytë akut i këtij fillimviti ka të bëjë me vendimin e parlamentit të Turqisë që lejon dërgimin e ushtarëve në Libi. Përfshirja e Turqisë në konfliktin civil në Libi, mund të ketë pasoja të rënda për vetë Turqinë, sepse pozita e saj gjeopolitike është turbulente. Harxhimi i energjive në Libi, krahas angazhimit enorm në Siri, mund ta bëjë Turqinë fragjile dhe cak të ndonjë tentative tjetër për destabilizmin e saj të brendshëm.

A po shndërrohet Azia në kamp përqendrimi për muslimanët   

Gjendja e shokut vdekjepruruës po vazhdon edhe këtë vit për muslimanët rohinja të Mianmarit. Mbi një milionë rohinja janë dëbuar nga Mianmari dhe jetojnë në kushte çnjerëzore nëpër kampe në Bangladesh, ku u janë ekspozuar jo vetëm vuajtjeve, po edhe shfarosjes fizike. Poashtu, gjendja e ujgurëve muslimanë në Kinë është alarmante. Mbi një milionë ujgurë nga dhjetë milionë gjithsej sa jetojnë në Ksingiang, janë të futur në kampe përqendrimi, të cilat autoritetet kineze, me eufemizma, i quajnë kampe riedukimi. Projekti i shtetit komunist kinez tenton t’i deislamizojë ujgurët, t’i indoktrinojë me botëvështrim komunist e më vonë t’i inkorporojë në korpusin e shumicës.

Gjithsesi edhe gjendja e 200 milionë muslimanëve në Indi, ka njohur përkeqësim në vitet e fundit, nën qeverinë e kryeministirit populist, Modi. Eliminimi i autonomisë së Kashmirit, marrja e lokacionit të xhamisë historike në Delhi, ligji i ri diskriminues për azilin politik, që përjashton vetëm msulimanët e shteteve fqinje, kanë përkeqësuar gjendjen e minoritetit më të madh të muslimanëve në botë.

Ku e ka burimim ky përkeqësim tragjik në Azi? Valët në rrije të terrorit antimusliman në Mianmar, në Kinë e edhe në Indi, e kanë një pikë të përbashkët: sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA. Nën pretekstin se po rreshtosheshin në anën e koaliciont kundër terrorizmit ndërkombëtar, Mianmari, Kina, India e bashkë me to edhe Rusia, e shfrytëzuan momentumin dhe i aktivizuan projektet për zhbërjen ose minimalisht për diskriminimin e muslimanëve në ato shtete. Rusia e rifilloi luftën në Çeçeni, Mianmari e filloi gjenocidin kundër rohinjave. Si duket barbaria e autoriteteve birmaneze ka qenë e rekomanduar nga autoritet kineze, ashtu që nga gjenocidi në Mianmar, të maskohej terrori që po kryente Kina kundër ujgurëve. Pra, konkluzioni ynë është se aksionet terroriste, veprimet e çmendura të grupeve si Al kaida, ose edhe të qeverive të disa shteteve muslimane, siç ishin qeveritë e Sadamit e të Gadafit, thjesht shfrytëzohen si pretekst për ta rritur presionin, terrorin ose gjenocidin ndaj popujve muslimanë, në disa shtete tiranike e islamofobike. Këtë gjë do të duhej ta lexonin qeveritë e shteteve muslimane, që nga Turqia, Irani, Arabia Saudte, Pakistani e të gjitha të tjerat me radhë.

Në këtë kontest të gjendjes tragjike të muslimanëve në Mianmar, në Kinë, në Indi po edhe në Rusi, është e palogjikshme armiqësia iracionale që shpallet nga disa shtete muslimane kundër SHBA-ve dhe Perëndimit, kur është e qartë se në SHBA dhe në Evropë, muslimanët janë vetëm pakica më të vogla dhe realisht kanë të drejta njerëzore e fetare më shumë se sa që kanë muslimanët në shumicën e vetë shteteve muslimane. Dhe e dyta, në shtete si, Kina, India, Rusia e Mianmari, muslimanët i janë ekspozuar terrorit, diskriminimit dhe gjenocidit, prandaj nëse ato shtetet muslimane e kanë ndonjë kauzë muslimane, ajo do të duhej të koncentrohej  në drejtim të Mianmarit, Kinës, Indisë e Rusisë. Nga ana tjetër, qeveritë e shteteve muslimane do të duhej ta kishin të qartë se asnjë krizë e muslimanëve, pra as kriza palestineze, që është në zemër të botës arabe, nuk mund të zgjidhen pa partneritet me SHBA dhe me Perëndimin. Realpolitika kështu e jep prospektin.

Ne shqiptarët jetojmë në Evropë, në sferën atlantike

Në gjithë këtë pështjellim tragjik gjeopolitik e gjeokulturor, me të cilin po ballafaqohemi edhe në këtë fillimviti, ne shqiptarët duhet të mbledhim mendjen: ne jetojmë në Evropë, në sferën atlantike. Rrjedhimisht duhet të sillemi në pajtim me realitetin ku jetojmë e kurrsesi të mos përfshihemi në aventura si ato që çuan jo pak shqiptarë në luftërat në Siri e në Irak, me çka jo vetëm familjeve të tyre, po edhe shtetit tonë e kombit tonë iu bë një dëm i madh. Kombi ynë duhet të mbetet unik në sintezën e vet kombëtare, si komb evropian, me diversitet e unitet fetar, por plotësisht lojal ndaj kontinentit të vet. Ata që kanë kujtesë historikë e dinë shumë mirë se në dy kthesa tragjike historike, pas Kongresit të Berlinit dhe në Luftën e Parë Ballkanike, Evropa ka  planifikuar, në rastin e parë pjesërisht e në të dytin plotësisht zhdukjen e pjesës muslimane të kombit shqiptar, duke e konsideruar si jolojale ndaj civilizimit evropian. Pothuajse e njëjta gjë ka ndodhë edhe me kombin turk, në Luftën e Parë Botërore. Kombi turk dhe shteti turk gjithashtu mbijetoi falë sintezës që arriti ndërmjet Islamit dhe shtetit sekular, më konkretisht falë bashkëjetesës paqesore me civilizimin perëndimor. Ata që nuk kanë kujtesë, bëjnë mirë ta rifitojnë. Fjala vjen, duhet ta kenë para sysh se muslimanët në BeH dhe shqiptarët e Kosovës, poashtu si shumicë muslimane, mbijetuan vetëm falë intervenimit të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rrjedhimisht, as rohinjat, as ujgurët e as palestinezët, nuk mund ta fitojnë lirinë, nëse nuk hyjnë në prospektet gjeopolitike të SHBA-ve dhe të Perëndimit. Nëse fanatikët eventualisht nuk duan ta kenë kujtesën për këto fakte tokësore, duhet të rezervohen e të mos prodhojnë dëme me miopinë e vet. Minimalisht duhet ta kuptojnë edhe ata se bota po ndryshon në mënyrë të frikshme. Fatkeqësisht edhe kontinenti ynë po rikthen disa nga simptomat e hershme të islamofobisë, fashizmit dhe të racizmit. Prandaj të gjithë së bashku duhet të dimë si të shmangemi nga goditjet që pritet se mund të na shënjestrojnë në vitet në vijim, nëse nuk jemi mjaftueshëm të mençëm, që të orientohemi saktë në kohë dhe në hapësirë. Kjo nuk ka të bëjë me lirinë e besimit fetar. Ka të bëjë me keqmenaxhimin eventual të saj.