Konfirmohet se Interi po shitet - Gazeta Express

Futboll

Gazeta Express

02/03/2021 18:53

Konfirmohet se Interi po shitet

Futboll

Gazeta Express

02/03/2021 18:53

Ndërkohë që skuadra në fushë po bën mjaft mirë dhe është në rrugën e duhur për t’u rikthyer te titulli kampion, javët e ardhshme janë vendimtare për Interin, pasi do të mësohet nëse Suning do të shesë aksionet, apo do të kërkojë mbështetje financiare të përkohshme.

Grupi kinez që zotëron aksionet e klubit zikaltër po kalon vështirësi ekonomike, por edhe vendimi i qeverisë kineze për të bllokuar investimet në sport jashtë vendit, kanë komplikuar jo pak menaxhimin e skuadrës.

Pikërisht për këtë arsye Suning po negocion me fondin britanik BC Partners për shitjen e shumicës së aksioneve të klubit, por paralelisht ka edhe një plan B, që parashikon një hua të përkohshme, deri në përmirësimin e situatës ekonomike.

Ndërkohë sot për këtë çështje ka folur edhe menaxheri i BC Partners, greku Nikos Stathopoulos, i cili pranoi se fondi britanik dëshiron të investojë në futboll, por nuk preferoi të komentojë rreth negociatave për blerjen e Interit.

“Inter? Nuk mund të komentoj asgjë për akorde që nuk janë arritur, por sigurisht që jemi të interesuar të investojmë në sport, qofshin liga apo aksione klubesh. Dhe klubi ku dëshirojmë të investojmë, duhet të ketë mundësi të mëdha për të garuar në nivele të larta”, deklaroi Stathopoulos.

Nisur nga deklarata e këtij të fundit, Interi duket se është klubi ideal për BC Partners, pasi ka tashmë një organikë konkurruese në Itali dhe me një shtim investimi, mund të garojë në nivele të larta edhe në Europë, megjithatë gjithçka do të varet nga ecuria e negociatave me grupin kinez Suning.