Konfirmohet: Lojërat Olimpike mund të shtyhen - Gazeta Express

Konfirmohet: Lojërat Olimpike mund të shtyhen

Sport

Gazeta Express

03/03/2020 10:54

Lojërat Olimpike “Tokio 2020” mund të shtyhen për në fund të vitit 2020, shkaku i përhapjes së koronavirusit.

Ministri Olimpik Seiko Hashimoto u ka thënë autoriteteve përgjegjëse se marrëveshja e Japonisë me Komitetin Ndërkombëtar Olimpik e lejon shtyrjen e Lojërave Olimpike, transmeton Gazeta Express.

“Kontrata kërkon që Lojërat Olimpike të zhvillohen brenda vitit 2020. Kjo mund të interpretohet në atë mënyrë që të lejohet shtyrja e turneut”, ka thënë Hashimoto, në përgjigje ndaj një pyetjeje në parlament.

Për momentin, Lojërat Olimpike janë të planifikuar të zhvillohen në Tokio të Japonisë nga 24 korriku deri 9 gusht. Edhe Japonia e edhe Komiteti Ndërkombëtar Olimpik kanë insistuar që janë të përkushtuar që eventi të nisë ashtu siç ishte planifikuar.

Megjithatë, sipas marrëveshjes mes dy palëve, e drejta për ta anuluar plotësisht këtë event i takon vetëm Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, ndërsa shtyrja deri në fund të vitit mund të bëhet edhe nga ana e Japonisë.

“Ne po bëjmë gjithçka të mundur që të sigurohemi që Lojërat Olimpike të zhvillohen ashtu siç ishte planifikuar nga fillimi”, ka thënë Hashimoto.

Shtyrja e Lojërave Olimpike do ta dëmtonte mjaft shumë buxhetin e Japonisë. Deri më tani janë shpenzuar 12.51 miliardë dollarë, ndërsa ndërtimi i Stadiumit Olimpik kushtoi 870 milionë funte. /Gazeta Express/