string(110) "konfirmohet-lajmi-ekskluziv-i-favoritit-referet-gjermane-do-ta-ndajne-drejtesine-ne-finalen-e-kupes-se-kosoves"

Futboll

Moral Pozhegu

21/05/2025 13:38

Konfirmohet lajmi ekskluziv i “Favoritit”, referët gjermanë do ta ndajnë drejtësinë në finalen e Kupës së Kosovës

Futboll

Moral Pozhegu

21/05/2025 13:38

Finalja e Kupës së Kosovës do të referohet nga gjyqtarët gjermanë, ashtu siç kishte paralajmëruar eksperti i referimit i emisionit “Favorit”, Hajriz Hajdari.

“Gazeta Express” mëson ekskluzivisht se tre prej gjashtë gjyqtarëve gjermanë tashmë kanë mbërri në Kosovë, ndërsa tre të tjerë do të zbarkojnë në tokën dardane gjatë ditës pasi ata nisen nga një aeroport tjetër gjerman.

Gjithnjë siç mëson gazeta nga burimet e saj të sigurta, Robert Schroder, i cili ka referuar edhe në Bundesligën gjermane, pritet të jetë shef i gjashtëshes së gjyqtarëve gjermane në finale të Kupës së Kosovës mes Prishtinës dhe Llapit, e cila do të luhet nesër mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pra, lajmi që e dha ekskluzivisht në “Favorit” ish-gjyqtari i njohur kosovar, Hajriz Hajdari, po del të jetë i saktë, si çdo analizë tjetër të referimit që e ka bërë paraprakisht.

Hajdari është shprehur kundër sjelljes së referëve të huaj në futbollin kosovar duke insistuar se Kosova ka referë cilësorë, të cilët do ta drejtonin pa problem finalen e Kupës.

Sipas tij, qëllim kryesor i Federatës së Futbollit duhet të jetë avancimi i referëve vendorë, e jo “shkelja” dhe injorimi i tyre me sjelljen e referëve të huaj.

“Kur nuk i duam ne gjyqtarët kosovarë, kush do të na dojë ata? Është mëkat që nuk e kemi referë kosovarë në Evropianin U-17, që po mbahet në Shqipëri. Duhet të punojmë më shumë me referët vendorë dhe t’ua japim rastin atyre, për t’i avancuar”, thotë Hajdari për “Express”.

Finalja e Kupës, krahas prestigjit të trofeut, e ka një rëndësi tjetër të madhe pasi ekipi fitues do ta sigurojë edhe pjesëmarrjen në garat evropiane.

Dueli mes Prishtinës dhe Llapit do të luhet nesër mbrëma duke filluar nga ora 20:00. /Gazeta Express