Konferenca e Sigurisë e Minhenit, rikthimi i SHBA-ve dhe siguria globale - Gazeta Express
string(71) "konferenca-e-sigurise-e-minhenit-rikthimi-i-shba-ve-dhe-siguria-globale"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

22/02/2021 10:41

Konferenca e Sigurisë e Minhenit, rikthimi i SHBA-ve dhe siguria globale

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

22/02/2021 10:41

Konferenca e Sigurisë e Minhenit jep sinjale pozitive të rikthimit lidhjeve te forta transatlantike si mënyra e vetme për të zgjidhur dhe frenuar problemet e sigurisë bashkëkohore ndërkombëtare që vijnë nga akterët shtetërorë dhe joshtetërorë. Kjo gjithsesi do të ketë reflektim shumë pozitiv në Kosovë dhe do të varet nga ne sa sa do të jemi në gjendje që të përfitojmë nga kjo klimë multilaterale

Nga: Besfort Rrecaj

Në një kohë pandemie dhe me teleprezentim, dje u mbajt konferenca e sigurisë e Minhenit (Munich Security Conference ose MSC) ku morën pjesë liderët kryesore transatlantik për të diskutuar marrëdhëniet e rëndësishme transatlantike, rolin amerikan si dhe sigurinë globale duke përfshirë pandeminë COVID-19, ndryshimet klimatike, arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare dhe kërcënimet globale. Këtu morën pjesë gjithashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Rëndësia e kësaj konference ishte jashtëzakonisht e madhe duke qenë se u zhvillua pak ditë pasi që Presidenti Amerikan Joe Biden mori detyrën e tij në një kohë kur e gjithë bota ka kthyer kryet drejt tij për të pritur ndryshimet e qasjes amerikane në marrëdhëniet ndërkombëtare të premtuara gjatë fushatës elektorale. Gjithashtu, rëndësia e kësaj konferencë, ndër të tjerash, kishte të bënte me vënien në pah të qëndrimit të shteteve më të fuqishme të botës në luftimin e pandemisë COVID-19 dhe shpërndarja më e barabartë e vaksinës në drejtim të vendeve më pak të fuqishme.

Në lidhje me pandeminë, kritika të mëdha u dhanë sidomos nga kreu i OBSH-së Tedros Adhanom në lidhje me shpërndarjen e vaksinës kundwr COVID-19 ku deri me tani duket që 70% e të gjitha vaksinave kanë shkuar te 10 vende te botës ndërsa më shumë se 100 shtete ende nuk kanë marrë ndonjë dozë vaksine. Andaj, në konferencë u bë thirrje që shtetet të kenë në konsideratë nevojat e shteteve më të dobëta pasi që luftimi më i suksesshëm i pandemisë bëhet nëse të gjitha shtetet e luftojnë atë në një mënyrë më të barabartë në të gjithë botën, sepse viruset nuk njohin kufi. Luftimi parcial i virusit mund të ketë rol negativ duke kontribuar në shfaqjen e varianteve të ndryshme të virusit të cilët mund të jenë imun ndaj vaksinave aktuale dhe rrjedhimisht do të çonin në huç të gjitha përpjekjet e deritashme për imunizim. Në këtë tematikë, është e rëndësishme të theksohet edhe propozimi për hartimin e një traktati ndërkombëtar të pandemisë që do të krijonte rregulla më të qarta të të drejtave dhe obligimeve shtetërore për luftimin e përbashkët të pandemive në të ardhmen pasi që përhapja e një pandemie tjetër është vetëm një çështje kohe.

Në anën tjetër, ishte Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres kërkoi kthimin e multilateralizmit si e vetmja mënyrë për të luftuar sfidat moderne me të cilat po përballet sot bota por edhe në të ardhmen. Sekretari  OKB-së theksoi se viteve të fundit ka patur shenja të përmirësimit të paqes në disa pjesë të botës, por në shumë të tjera kemi patur rritje të konflikteve. Këtu me siguri, z. Guterres e ka patur mendjen tek lindja e mesme ku kemi një relaksim të marrëdhënieve Arabo-Izraelite, por kem shume vatra tjera krize si në Ukrainë, Birmani, Jemen etj. Ndoshta ka qenë edhe efekti i pandemisë dhe mbyllja e qarkullimit global që të kemi zvogëlim të aktiviteteve terroriste, krimeve kibernetike në nivel global etj.

Normalisht vëmendjen kryesore e mori paraqitja e Presidentit Joe Biden.  Presidenti amerikan në fjalimin e tij gjithëpërfshirës dhe me një gjuhë të qartë u përqendrua në ndryshmin e kursit të deritashëm amerikan dhe rikthimin e SHBA-vë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Presidenti Biden konfirmoi kthimin amerikan në Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike e cila kishte hyrë në fuqi në të njëjtën ditë të mbajtjes së MSC-së. Për më tepër ai rikonfirmoi përkushtimin e tij që SHBA-të të rikthehen në punën e OBSH-së e cila do të ndihmonte shumë këtë organizatë në luftimin e pandemisë mirëpo edhe në projektet tjera të fushë veprimtarisë së saj. SHBA-të ishin larguar nga kjo organizatë muaj më herët me vendimin e ish-Presidentit Trump i cili e kishte akuzuar OBSH-në për neglizhencë dhe paaftësi me përballje me pandeminë COVID-19 si dhe për një burokraci të theksuar e cila nuk arsyetonte mjetet financiare që merrte. Tërheqja amerikane në mes të pandemisë ishte kritikuar në masë të madhe nga të gjitha shtetet andaj rikthimi amerikan është shumë i mirëpritur dhe kjo gjithsesi do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në punën e OBSH-së në mënyrë pozitive.

Tutje, Joe Biden e kishte theksuar si jashtëzakonisht të rëndësishme lidhjen transatlantike dhe se tash më shumë se kurrë SHBA-të dhe Evropa kanë nevojë për njëra tjetrën. Ai siguroi aleatët evropianë se SHBA-të e dëshirojnë një Evrope të plotë, të lirë dhe në paqe. Ky ka qenë përkushtimi i përhershëm amerikan që në momentet e para të pasluftës së dytë botërore dhe që ishte kurorëzuar me Planin Mareshal dhe krijimin e Organizatës së Traktatit Veri-Atlantik (NATO) si aleanca më e fuqishme që ka ekzistuar ndonjëherë në botë. Neni 5 i këtij traktati mbetet strumbullari kryesor i kësaj marrëdhënie dhe Presidenti Biden shprehu falënderimin e tij për ndihmën e aleatëve në kohën kur, për herë të parë dhe të vetmen deri me tani, ishte thirrur ky nen pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA. Kjo ishte gjithashtu një porosi e qartë dhe shumë e mirëpritur nga të gjitha aleatët e NATO-s por edhe vendeve tjera partnere duke patur parasysh që ish-Presidenti Trump kërcënonte aleatët e tyre me tërheqje nga aleanca apo edhe ndaljen e fondeve dhe tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Evropa. Në një rast Presidenti Trump e kishte quajtur NATO-n si një organizatë e vjetruar. Normalisht rikthimi amerikan paraqet një lajm jashtëzakonisht të mirë për të ardhmen e popujve të Ballkanit Perëndimor ku tri shtete ende mbesin jashtë kësaj organizate si Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia. E ardhmja e këtij rajoni shumë të cenueshëm duhet të jetë integrimi Euro-Atlantik si e vetmja rrugë që siguron paqe dhe prosperitet. Në anën tjetër, një NATO e fuqishme është një porosi e qartë ndaj kërcënimeve globale kundër vlerave liberal-demokratike rreth të cilave funksionon kjo organizatë. Para së gjithash këtu bëhet fjalë për rrezikun nga krahu lindor i NATO-s si Rusia, pastaj Irani, Kina etj. si dhe terrorizmi, lufta hibride, krimi kibernetik etj.

Tutje Presidenti Biden theksoi politikën e tij karshi Kinës e cila paraqet rivalin kryesore të politikës amerikane. Kjo sigurisht për shkak të rritjes gjithnjë e më shumë të Kinës në aspektin ekonomik e cila i jep Kinës një levë të rëndësishme në fuqizimin e rolit të saj në botë. Kina tashmë e sa vite ka lansuar politikat e saj të iniciativës Rrypi dhe Rruga (Belt and Road Initiative) si dhe iniciativa e Tri Deteve (the Three Seas Initiative) përmes të cilave kërkohet të kthehet dominimi kinez në botë e veçanërisht në Evropë. Kina përmes këtyre iniciativave ka bërë investime të ndryshme në Ballkan dhe kryesisht në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali i Zi, por edhe në vendet tjera. Përmes dhënieve të kredive dhe financimit direkt te projekteve të ndryshme, kryesisht infrastrukturore, Kina tenton që t’i vë nën varësi shtetet e ndryshme dhe kështu të ndikojë në rreshtimin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare. Rrjedhimisht, roli amerikan dhe i BE-së në rezistimin e këtyre investimeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Këtu mund të përmendim rolin e Procesit të Berlinit dhe perspektiva evropiane përmes të cilave BE po përpiqet që t’i ofrojë alternativën më të mirë dhe më të qëndrueshme vendeve të BE-së. Këtu duhet të ceket joshja nga fondet kineze të cilat janë jashtëzakonisht atraktive për regjimet autokratike siç mund të jetë Serbia apo edhe Bosnja e Hercegovina duke qenë se Kina luan me politikën e mos-kushtëzimit të fondeve të dhëna me politikat e qeverisjes së mirë, zhvillimin e demokracisë, sundimit të ligjit e standardeve më të larta sociale. Interesi kinez është që të zhytë në borxhe shtetet e caktuara dhe pastaj të rreshtojë politikat e tyre në pajtim me interesat ndërkombëtare kineze dhe kjo nënkupton edhe bashkëpunimin me autokratë e diktatorë pa marrë parasysh interesin e popullit dhe të mirën e tij të përgjithshme.

Një problematikë e theksuar që lidhet me Kinën është çështja e vjedhjes së pronësisë intelektuale si dhe çështja e sigurisë së të dhënave nga mjetet e ndryshme teknologjike të zhvilluara në Kinë. SHBA-të dhe Evropa kanë qenë jashtëzakonisht të shqetësuara me kompaninë telefonike Huawei e cila akuzohet për vjedhjen e pronësisë intelektuale në zhvillimin harduerik dhe softuerik, ndërsa zhvillimin i rrjeteve bashkëkohore 5G konsiderohet si kërcënim i sigurisë kombëtare duke marrë parasysh rolin që shteti Kinez mund ta ketë mbi këtë kompani. Një nga pikat e marrëveshjes së Uashingtonit në shtator të vitit 2020, e obligon Kosovën që të mos lejojë hyrjen e kësaj kompanie në zhvillimin e rrjetit 5G. Një pikë e ngjashme ndodhet edhe në marrëveshjen të cilën e kishte nënshkruar Serbia në të njëjtën ditë, por në Serbi kompania kineze Huawei ka zhvilluar dhe funksionon me një qendër hulumtuese/shkencore e cila ka pikërisht qëllimin, ndër të tjerash, në rritjen e zhvillimit të rrjetit 5G.

Një kërcënim tjetër potencial vjen nga Rusia dhe ky shtet sipas Biden zhvilluar politika në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtarë karshi Ukrainës por edhe vendeve fqinje. Ndër të tjerash, Rusia është angazhuar dhe në veprime tjera ilegale ku mund të theksohet aktivitete të jashtëligjshme kibernetike, kërcënimet dhe lufta hibride etj. Ndërhyrjet e tilla janë vërejtur shumë vite më parë me rastin e Estonisë, pastaj Gjeorgjisë e më vonë Ukrainë e kështu me radhës. Gjithashtu, këtu mund të theksohet edhe ndërhyrja në zgjedhjet e parafundit në SHBA. Rusia, ka qenë shumë aktive edhe në vendet e Ballkanit perëndimor ku janë vërtetuar ndërhyrjet hibride, konkretisht dhe në masë më të madhe, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë Veriore, në të dyja raste me rastin e referendumeve përkatëse për hyrje në NATO. Ndërkaq, ndikimin më të madh politik Rusia e ka të shtrirë në aleatin e saj Serbinë dhe në Bosnje e Hercegovinë përmes Republikës Serbe. Në këto dy vende, Rusia ka bërë investime të mëdha në infrastrukturën kritike siç është industria e naftës. Në Kosovë, Rusia përpiqet të shtrijë ndikimin e saj përmes Serbisë dhe strukturave serbe ne Kosovë në mënyrë direkte apo indirekte. Në këtë drejtim ngritja e aftësisë rezistuese ndaj ndikimit negativ të huaj është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendet e rajonit. Kjo bëhet se pari nga brenda shoqërive tona të përmes zhvillimit të demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi i një ekonomie të tregut të lirë. Kjo do të duhej të kompletohej me përkrahjen e aleatëve tanë kryesorë me të cilët na bashkojnë vlerat dhe idealet kryesore. Presidenti Biden në lidhje me Rusinë paraqiti një qasje pragmatike duke theksuar se SHBA-të dhe Rusia kanë zgjatur mandatin e marrëveshjes për armë bërthamore START edhe për 4 vite. Megjithatë, është interes i të dyja vendeve që të punojnë në mënyrë bilaterale në uljen e armatimit bërthamorë në botë.

Në lidhje me problematikën e programit bërthamorë iranian, Presidenti Biden shprehu përkushtimin e tij për t’u kthyer në marrëveshjen e mëhershme me Iranin nga e cila ishte larguar ish Presidenti Trump. Kjo, gjithashtu, paraqet një kthesë të madhe në politikën amerikane duke marrë parasysh që tërheqja nga kjo marrëveshje pa aprovimin edhe të aleatëve të tjerë hisedarë të kësaj marrëveshjeje, dukej që e vendoste Iranin në pozitë më të favorshme në arsyetimin e shtimit të aktiviteteve bërthamore jashtë kornizave të asaj marrëveshjeje. Normalisht, këtu kishte ndikuar edhe vrasja e komandantit kryesor të Gardës Iraniane i cili akuzohej për veprime terroriste dhe përkrahje të grupeve terroriste kryesisht brenda territorit të Irakut nga të cilat kishin humbur jetën shumë ushtarë amerikanë.

Përfaqësuesit e BE-së shprehen ngazëllimin e tyre për rikthimin e SHBA-ve dhe përkrahjen e qasjes multilaterale. Në veçanti u përmend nevoja e definimit të një marrëveshjeje të re tregtare ndërmjet BE-së dhe SHBA-ve, pasi që ajo aktuale ishte prishur nga ish Presidenti Trump. Në fund mund të theksojmë se Kosova dhe Ballkani nuk ishin në fokus të MSC-së dhe kjo mund të ketë dy kuptime të saj. Në njërën anë, Ballkani nuk paraqet më një vatër krize aq të rëndësishme sa të merrte vëmendjen e shteteve në këtë konferencë. Ndërsa, në anën tjetër, kjo duhet të shihet si kujdes për udhëheqësit tanë që të jemi më proaktiv në kapjen e vëmendjes së liderëve botëror për të na ndihmuar në zgjidhjen e problemeve tona, duke përfshirë këtu edhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Bota po ballafaqohet me probleme të niveleve të mëdha që e konsumojnë jashtëzakonisht shumë kohën e liderëve botëror në zgjidhjen e tyre ashtu që shumë lehtë në mund të dalim jashtë agjendës e sidomos në rastet kur ne nuk jemi më të vendosur, nuk kemi objektiva dhe strategji të qarta për arritjen e synimeve tona. Politika e jashtme është reflektim i politikës së brendshme, andaj sa më shumë që ne e zhvillojmë shoqërinë tonë duke zhvilluar demokracinë, sundimin e ligjit e të drejtat e njeriut, aq më shumë do të forcojmë ndikimin tonë karshi aleatëve tanë që të tërheqim vëmendjen e tyre për bashkëpunim edhe më të thellë në shumë fusha. Për Kosovën është jashtëzakonisht e rëndësishme normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, krijmi i një konsensusi global për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, liberalizimi i vizave, ecja drejt integrimit në BE dhe NATO, bashkëpunimi ndërkombëtar në luftimin e terrorizmit, krimit kibernetikë e kërcënimeve të ndryshme hibride etj.

Autori punon si Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, Fakulteti Juridik, UP.