Komuniteti Politik në Pragë, Borrell: Po krijojmë një rend të ri pa Rusinë - Gazeta Express
string(72) "komuniteti-politik-ne-prage-borrell-po-krijojme-nje-rend-te-ri-pa-rusine"

Komuniteti Politik në Pragë, Borrell: Po krijojmë një rend të ri pa Rusinë

Lajme

Gazeta Express

06/10/2022 12:49

Liderët e 44 vendeve evropiane, më 6 tetor, do të dërgojnë një sinjal të qartë nga Praga për izolimin e Rusisë dhe do të përpiqen të krijojnë një rend të ri pa të, tha përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.

“Në takim do të bëhen përpjekje për të krijuar një rend të ri pa Rusinë. Kjo nuk do të thotë se ne duam ta përjashtojmë Rusinë përgjithmonë, por kjo Rusi, Rusia e Putinit, nuk ka vend”, u tha Borell gazetarëve në Pragë.

Lexo Edhe:

“Ky është sinjali që duam të dërgojmë, se fatkeqësisht nuk mund të ndërtojmë një rend sigurie me Rusinë. Rusia është e izoluar… Nuk keni vend, të gjithë të tjerët janë këtu”, theksoi Borell.

Kryeministri i Republikës Çeke, e cila kryeson Bashkimin Evropian, Petr Fiala paralajmëroi për samitin e parë të 44 krerëve të shteteve në Evropë – të gjithë përveç Rusisë dhe Bjellorusisë – si një mundësi për diskutime më joformale mbi çështjet e sigurisë dhe paqes, krizës ekonomike dhe energjetike, si dhe synimet e mbrojtjes së mjedisit.

“Presidenca çeke e BE-së po përballet me sfida dhe kriza të mëdha nëpër të cilat po kalon Evropa dhe të cilat do të jenë temë e diskutimeve të para të bashkësisë politike evropiane, qoftë paqja dhe siguria, energjia, mjedisi, ekonomia”, tha mikpritësi i samitit, Fiala.

“Qëllimi nuk është që të arrihen konkluzione me shkrim, ndonjë përfundim me shkrim. Qëllimi është që të diskutohet dhe të krijohet një lloj marrëveshjeje kornizë lidhur me veprimet e mëtejshme të vendeve evropiane në ato fusha”, shtoi ai.

Në kështjellën historike të Pragës më 6 tetor do të takohen liderë nga Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bosnja, Gjeorgjia, Islanda, Kosova, Lihtenshtajni, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Serbia dhe Zvicra.

Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, do të marrë pjesë personalisht, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky do të bashkohet me video-lidhje.