Komunitetet joserbe të bashkuara, kontestojnë votat për Iniciativën Rome dhe Adrijana Hoxhiqin - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

27/02/2021 13:03

Komunitetet joserbe të bashkuara, kontestojnë votat për Iniciativën Rome dhe Adrijana Hoxhiqin

Lajme

Gazeta Express

27/02/2021 13:03

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Gjykatë Supreme e në Gjykatë Kushtetuese do të ankohen përfaqësuesit e komuniteteve jo serbe për votat që dyshohet se Lista Serbe ka deleguar për Iniciativën Rome dhe Iniciativën e Adrijana Hoxhiqit.

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane në Kosovë, Veton Berisha, thotë se do të ankohen në të gjitha instancat e drejtësisë për të provuar të drejtën e tyre. Për një veprim të tillë ai thotë se po koordinohen edhe me përfaqësuesit e partive të komunitetit boshnjak, ashkali, rom, goran dhe me Institucionin e Avokatit të Popullit.

Ai thotë se kanë argumente të mjaftueshme për të kontestuar votat që dy partitë kanë marrë në vendet e banuara 100 përqind me serbë. Një kontestim të tillë, Berisha beson se do ta arrijnë qysh në ankesën e parë që do ta bëjnë në PZAP, pasi sipas tij shihet qartë se janë vota përmes të cilave tentohet të manipulohet vullneti i lirë i qytetarëve të Kosovës.

“Në secilin rast ne si komunitet egjiptian e kemi ekspertizën e mjaftueshme për të ankimuar Iniciativën Rome, një iniciativë e cila bazuar në rezultatin aktual që është në KQZ do t’i merr dy deputet, që në këtë rast ia merr një mandat edhe komunitetit egjiptian, sepse në kushte normale komuniteti egjiptian ka dalë komuniteti më i votuar prej komunitetit romë dhe ashkali. Në këtë rast rritja e tyre ia merr një mandat komunitetit egjiptian dhe ne si komunitet egjiptian do të ankimojmë Iniciativën Rome për shkak që e kemi ekspertizën e saktë për këtë. Çështjet e njëjta thuhet edhe nga boshnjakët, nga goranët, nga komunitet tjera. Normalisht që jemi duke i bashkërenduar veprimet tona dhe do të ankimohemi, do të thotë kemi koordinim edhe me Avokatin e Popullit fillimisht në PZAP, do të ankimohemi në të njëjtën kohë edhe në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatë Supreme. Unë mbesë shumë me shpresë që ky proces do të qartësohet qysh në nivelin e parë të ankesave tonë në PZAP për shkak se ata do të konstatojnë që votuesit nuk janë të atij komuniteti”, thotë ai.

Heshtjen e institucioneve të Kosovës ndaj pretendimeve se Lista Serbe ka deleguar vota për dy parti politike, Berisha e quan të pakuptimtë, derisa thotë se nëse këto vende të rezervuara për komunitetet jo serbe kontrollohen nga serbët dëmtohet edhe demokracia e Kosovës.

“Mandej nuk mbajmë përgjegjësi për rrezikshmërinë e këtij procesi, mandej cenohet demokracia, mandej e gjithë ky kontribut që është bërë në stabilitetin e komuniteteve ose që komunitetet me u ndje mirë në Kosovë e hedhë poshtë një kontribut të 20 viteve. Ia pamundëson më komuniteteve me u ndje komod në këtë vend, sepse në këtë vend do të duhej institucionet të na mbronin, derisa institucionet nuk veprojnë me fakte të ditura edhe nuk ndërmarrin veprime që ne me na ruajt të drejtën për t’u përfaqësuar në Kosovë normalisht që nuk na bënë me u ndje mirë dhe kemi me u ndje të pasigurt në Kosovë. Kjo ka me e dëmtua procese shumë të mëdha jo vetëm një mandat të komunitetit egjiptian, por do të hapë mundësi që do të ketë bllokada të jashtëzakonshme”, thotë ai.

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive (PDS), Nenad Rashiq, ani pse nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit, thotë se do të bashkërendojë veprimet me përfaqësuesit e komuniteteve jo serbe për të kontestuar votat për dy iniciativat.

Rashiqi që në zgjedhje e kishte mbështetur Nismën Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të udhëhequr nga Milan Dabiq, thotë se ka prova të mjaftueshme që tregojnë se Lista Serbe ka deleguar vota për partitë e minoriteteve jo serbe.

“Ishte e qartë për të gjithë, dihet, unë kam prova, ne kemi votat e boshnjakëve, ose për boshnjakët ose për Iniciativën Rome në vendet ku nuk ka absolutisht asnjë rom ose boshnjak. Unë gjithashtu njoh njerëz që votuan dhe që lobuan. E di që edhe ata më kërkuan falje, me falni na urdhëruan. E gjitha është tashmë e qartë, nuk mendoj se ka nevojë të flitet për të”, thotë ai.

Ai thotë se do të ankohen në të gjitha institucionet e drejtësisë për të kontestuar ato vota që janë për Iniciativën Rome dhe Iniciativën e Adrijana Hoxhiqit në komunat ku nuk banojnë ato komunitete.

“Unë mendoj se kjo është mjaft realiste dhe mjaft e justifikuar, dhe ne gjithashtu ndoshta do të jemi një bashkë-prokuror në kuptimin që ka shumë të ngjarë të jemi me përfaqësuesit e partive boshnjake dhe rome që janë dëmtuar në këtë proces ose që besojnë se ata kanë qenë të dëmtuara në këtë proces. Ne do tu bashkohemi atyre në një proces të përbashkët gjyqësor kundër votave sepse unë e di që në vendin tim dhe këtu kishte shumë vota për Hodzicka (Adriana) dhe për Iniciativën Rome nëse do të jemi pjesë e atij grupi përfaqësuesish të dëmtuar që kanë e drejta absolute për tu ankuar, sepse të gjithë e dimë që ishte organizuar mizorisht dhe pa mëshirë”, thotë Rashiq.

Një ankesë për pretendimet se Lista Serbe ka përkrahur dy parti politike me qëllimin për të kontrolluar edhe komunitet jo serbe është dorëzuar në Institucionin e Avokatit të Popullit. Përmes një përgjigje me shkrim, nga ky institucion kanë konfirmuar se është duke u shqyrtuar kjo ankesë.

“Një ankesë për çështjen është duke u shqyrtuar në Institucionin e Avokatit të Popullit, por njëherë nuk kemi ndonjë reagim derisa të shqyrtohet ankesa”, thuhet në përgjigje.

Pretendimet se Lista Serbe ka deleguar vota për Iniciativën Rome dhe Iniciativën e Adrijana Hoxhiq janë quajtur të rrezikshme për demokracinë e vendit dhe se është bërë me qëllim për të pasur 14 vota në Kuvendin e Kosovës

Këto dy Iniciativa në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë arritur të marrin mijëra vota edhe në komunat ku nuk ka asnjë pjesëtarë të komuniteteve që thuhet se përfaqësojnë, e në këtë mënyrë kanë lënë jashtë Kuvendit të Kosovës parti politike që kanë përfaqësuar vazhdimisht këto komunitete.