Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, po paralajmëron se sikurse komunat pa buxhet që po përballen me krizën e mungesës së financave, njëjtë do të ndodhë edhe në nivel shtetëror.
Ai hoqi përgjegjësinë nga qeveria dhe ua kaloi partive “opozitare” pse nuk morën pjesë në një seancë të thirrur nga Vetëvendosje në Kuvend para se të shpërbëhej.
“Përkundër lutjeve tona, ftesave tona, ofertave tona për partitë opozitare kanë refuzuar ta miratojnë buxhetin e vitit të ardhshëm. Pra, ne nga 1 janari na duhet të operojmë me atë çfarë e parasheh ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë e që është zgjatje për dy muaj”.
“Po e shihni që komunat që s’kanë buxhet të miratuar si po përballen me probleme financiare, pra për shkak të buxhetit apo tkurrjes fiskale. E njëjta do të ndodhë në nivel shtetëror si pasojë e papërgjegjësisë totale nga PDK, LDK dhe AAK, Nisma që nuk morën fare pjesë në seancën e jashtëzakonshme për ta votuar buxhetin”.
Me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 28 dhjetor u aktivizua edhe neni 24 i Ligjit për menaxhimin e financave publike, që mundëson zgjatjen buxhetore edhe për dy muaj të vitit pasues për pagat e sektorit publik.
Nga marsi punëtorët e sektorit publik rrezikojnë të mbesin pa paga.
Pasi qeverinë në detyrë miratoi buxhetin për vitin 2026, duke qenë e pasigurt se ai do të kalonte, ekspertët ligjorë në vend e vunë në dyshim ligjshmërinë e këtij vendimi, duke vlerësuar se një qeveri në detyrë nuk ka kompetenca për të propozuar buxhet për miratim në Kuvend para se ai të shpërbëhej.
Eksperti i financave, Haki Shatri, pati thënë për REL tha se vetëm një qeveri me kompetenca të plota mund të ndërmarrë nisma për ndryshimin e ligjit për buxhetin, apo për vazhdimin e ndarjeve buxhetore edhe për muajt e parë të 2026-tës. /Express/