Komunat i kërkojnë Ministrisë pezullimin e vendimit për rivlerësimin e pronave, renditin arsyet - Gazeta Express
string(94) "komunat-i-kerkojne-ministrise-pezullimin-e-vendimit-per-rivleresimin-e-pronave-renditin-arsyet"

Lajme

Gazeta Express

28/01/2023 14:16

Komunat i kërkojnë Ministrisë pezullimin e vendimit për rivlerësimin e pronave, renditin arsyet

Lajme

Gazeta Express

28/01/2023 14:16

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës i ka kërkuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që ta pezullojë vendimin për ri-vlerësimin e pronave dhe që qytetarët të paguajnë vlerën e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023 ashtu siç e kanë paguar në vitin 2022, raporton Express.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, AKK’ja ka renditur edhe arsyet për këtë kërkesë, duke shtuar se s’janë pro rritjes së tatimit në pronë dhe se komunat s’kanë pasë rol në ri-vlerësimin e pronave e as në ngritjen e faturave për tatimin në pronë për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Lexo Edhe:

“Arsyet që shtyjnë Bordin e AKK-së për ta shtruar kërkesën për pezullimin e vendimit për ri-vlerësimin e pronave dhe përse janë kundër çdo ngritje të vlerës së tatimit në pronë janë të shumta si në vijim: Rrethana të vështira ekonomike për qytetarin e Republikës së Kosovës; Shkalla e inflacionit është dy-shifrore; Shtrenjtime të çmimeve të produkteve bazë dhe produkteve të tjera; Niveli i pagave i pandryshuar për vite të tëra; Ndikim i drejpërdrejtë në rëndimin/varfërimin e shportës për qyetarin; Ri-vlerësimi i pronave nga MFTP ka ndikuar që faturat e tatimit në pronë të kenë një kosto shumë të lartë; Rritja e lartë e faturës për tatim në pronë në rrethana të rënduara ekonomike do e vështirësojë inkasimin e të hyrave nga tatimi në pronë”, thuhet në postim.

Bordi i AKK’së ka kërkuar që të ketë edhe takime dhe konsulta të mirëfillta me komunat në mënyrë që të gjenden mënyrat më të mira për një ri-vlerësim të ri të pronës.

“Bordi i AKK bën me dije që Komunat e Republikës së Kosovës nuk mund të falin tatimin në pronë sepse kjo nuk është kompetencë e komunave, në të kundërtën kërkojmë nga MFTP të krijojë infrastrukturë ligjore ku do u’a mundësojë komunave faljen e tatimit në pronë bazuar në vendime të Kuvendit të Komunës. Për fund, Bordi i AKK-së kërkon që sa më shpejtë të procedohet Projekt-Ligji i ri për tatimin në pronë për miratim në Qeveri të Republikës së Kosovës dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Komunat ishin në dijeni që nga tetori i vitit të kaluar se çmimet e tatimit në pronë do të rriteshin, por shumica s’kishin bërë zë. Komunat e vetme që kanë reaguar atëherë dhe kanë kërkuar korrigjime nga Ministria e Financave, janë ajo e Gjakovës dhe Kaçanikut.

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjakovës, Durim Halilaj, i ka thënë Gazetës Express se këtë raport e kanë pranuar më 31 tetor.  

Lidhur me pakënaqësitë për këtë raport, ai thotë se i ishin drejtuar me shkresë Ministrisë së Financave, për të cilën deklaron se s’kanë marrë asnjëherë përgjigje.

Gazeta Express e ka siguruar këtë shkresë, ku ndër të tjera, thuhet se vlerësimi nëpër zona nuk është i saktë.

Aty thuhet edhe se s’ishin marrë parasysh propozimet që komuna kishte dhënë gjatë takimit me grupin vlerësuar të Departamentit të Tatimit në Pronë.

“Lidhur me Raportin mbi vlerësimin e përgjithshëm për vitin 2022 e tutje, mendoj se vlerat janë shumë më të larta në raport me vlerësimin e kaluar (të vitit 2019) dhe se ka diskrepancë të madhe në nivelin e vlerave sidomos në Zonën 201, 202 dhe 203.  Në takimin që kemi pasur me grupin vlerësues të Departamentit të Tatimit në Pronë kemi dhënë mendimet tona për vlerësim të cilat i kemi përcjellë edhe përmes postës elektronike. Propozimet tona nuk korrespodojnë me Raportin mbi Vlerësimin e Përgjithshëm për Prona Rezidenciale”, thuhet në shkresë.

Nga kjo komunë kishin kërkuar që të merreshin për bazë vërejtjet dhe të korrigjohej raporti.

“Ju lutem të merren për bazë vërejtjet tona dhe të korrigjohet Raporti mbi Vlerësimin e Përgjithshëm për Prona Rezidenciale për vitin 2022, pra të zvogëlohen vlerat për zonat 201, 202, 203, gjithnjë duke iu referuar Raportit mbi Vlerësimin e Përgjithshëm për Prona Rezidenciale të vitit 2019”, thuhet në shkresë.

Me shkresë të ngjashme, Ministrisë i ishte drejtuar edhe Komuna e Kaçanikut. Edhe kjo komunë e cilësonte vlerësimin si jo real, e të paarsyeshëm.

“Ngritja e çmimeve sipas vlerësimit të ri për mendimin tonë është e lartë dhe e paarsyeshme ngase fillon nga +4.8% deri 42.9% më e lartë për objekte rezidenciale (shtëpi familjare) dhe nga +38.10% deri në 80.00% më e lartë për apartment, e poashtu edhe çmimet për parcela për shtëpi familjare dhe apartment në 4 zona ka zbritje nga -16/675 deri në -20%, ndërsa zonat tjera ngritje nga 0% deri në 166/67% që është e njejtë edhe për parcelat për apartment dhe parcelat për objekte tjera rezidenciale”, thuhet në shkresën që Komuna e Kaçanikut i kishye dërguar MFPT’së, në nëntor të vitit 2023.

Kërkesë të ngjashme tha se ka bërë edhe Komuna e Prishtinës, por nuk është ofruar ndonjë dokument.

“Komuna e Prishtinës nuk ka bërë rritje të normave tatimore. Ajo çfarë ka ndryshuar është vleresimi i pronave të Komunës së Prishtinës, vlerësim ky që bëhet nga Ministria e Financave, dhe rrjedhimisht kanë rezultuar me rritje të faturave të tatimit në prone. Ne kemi kerkuar rivleresim dhe pezullim te ketij vendimi, sidomos ne kete kohe krize, e ne kete kohe me inflacion”, kishte deklaruar nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.