Komuna e Shtimes shpall gjendje emergjente pas reshjeve të dendura të shiut - Gazeta Express
string(75) "komuna-e-shtimes-shpall-gjendje-emergjente-pas-reshjeve-te-dendura-te-shiut"

Lajme

Gazeta Express

18/11/2025 23:30

Komuna e Shtimes shpall gjendje emergjente pas reshjeve të dendura të shiut

Lajme

Gazeta Express

18/11/2025 23:30

Si pasojë e të reshurave të shiut, që nisën të martën herët e s’u ndalën për pothuajse asnjë moment, komuna e Shtimes ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në tërë territorin.

Ky vendim u mor nga kryetari Qemajl Aliu, i cili doli në mbrëmje për të vlerësuar gjendjen e cila del të jetë e rënduar.

“Të nderuar qytetarë, reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona të komunës. Duke u bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë tona institucionale, kam marrë vendimin që në gjithë territorin e Komunës së Shtimes të shpallim gjendje emergjente, me qëllim që të reagojmë me efikasitet dhe të mbrojmë sigurinë e të gjithëve”, tha Aliu.

Ai tha se gjatë ditës së nesërme pritet të mblidhet sërish Shtabi Emergjent, i cili tashmë gjendet në terren dhe po zhvillon veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.

Kryetari tha se nga orët e hershme të mëngjesit, të gjitha drejtoritë komunale me njësitë dhe shërbimet vartëse, si dhe me mbështetjen e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Policisë, janë angazhuar maksimalisht për ta mbajtur situatën nën kontroll.

Ndërkaq, u theksua se në disa fshatra gjendja paraqitet më e rënduar, por Aliu tha se ekipet dhe shërbimet komunale me makineri të specializuar janë duke ndërhyrë me kujdes për trajtimin e dëmeve të shkaktuara dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Komuna e Shtimes u bëri thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në normalizimin e plotë të situatës.