Komuna e Shtimes po planifikon të shpenzojë 34 mijë euro për blerjen e një veture. Blerjen e kësaj veture, nga komuna e kanë arsyetuar me mungesën e automjeteve dhe aktivitetet e shumta në terren.
Shefja e Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Shtimes, Anita Kurti, i ka thënë Gazetës Express se kanë bërë kërkesë të vazhdueshme në Agjencinë Qendrore të Prokurimit për furnizim me vetura, por se si pasojë e procedurave të stërzgjatura dhe dështimit të LOT 9, janë detyruar që ta marrin vetë çështjen në dorë.
Kurti ka thënë se vetura po u nevojitet për të mbikëqyrur projektet infrastrukturore në terren.
“Komuna e Shtimes nuk është e vetmja komunë e cila ka udhëhequr procedura të prokurimit publik për blerjen e veturave. Komuna e Shtimes ka bërë kërkesë të vazhdueshme për më shumë se një vit në Agjencinë Qendrore të Prokurimit për furnizim me vetura pasi po përballemi me mungesë të madhe të automjeteve. Mirëpo si pasojë e procedurave të stërzgjatura në AQP dhe dështimit të LOT 9 ku ka qenë e përfshirë Komuna e Shtimes për furnizim me vetura ka dështuar atëherë ne si Komunë jemi detyruar të nisim procedurë për blerjen e një veture për shkak të mbikëqyrjes së projekteve infrastrukturore në terren”, thuhet në përgjigjen e Kurtit.
Kohëzgjatja e kësaj kontrate është për 3 muaj. Në dosjen e tenderit, janë dhënë edhe specifikat që duhet t’i ketë kjo veturë: Motori duhet të jetë 2.0 Diezel, modeli i vitit 2024, fuqia Max 110 KË/150 KF, EU STD min euro 6, me pesë ulëse, pesë dyer, me 7 shpejtësi dhe automatic. Dritaret e pasme duhet të jenë të errësuara fabrikisht, airbag për shoferin dhe airbag për pasagjerin me mundësi deaktivizimi, airbag anësor për pasagjerët para dhe mbrapa përfshirë airbag “perde”, airbag i gjurit për shoferin e të tjera.
“Homologimin e automjeteve është e obliguar ta kryejë kompania e cila na furnizon me automjete të reja”, thuhet në dosje.