Komuna e Fushë Kosovës dje në Facebook ka njoftuar se disa investime po realizohen në Miradi të Ultë nga Ministria e Kulturës. Bëhet fjalë për ndërtimin e palestrës së gjimnastikës.
Komuna thotë se investimi nuk është i pajisur me leje ndërtimore dhe nuk ka pasur kërkesë.
“Sot Komuna e Fushë Kosovës është informuar nga banorët e fshatit që në Miradi të Ultë kanë filluar disa punime në hapësirën publike. Pas verifikimit të informatave në terren kemi kuptuar se këto investime janë duke u realizuar nga MKRS-së. Paralelisht me këtë, komuna ka pranuar një ftesë për të marr pjesë në ceremoninë inauguruese lidhur me këtë investim. Pas këtyre njoftimeve për fillimin e ndërtimit të palestrës së gjimnastikës dhe ceremonisë së planifikuar për nesër më datën 10.07.2025, (e enjte), ne jemi të obliguar të ju informojmë se investimi në fjalë nuk është i pajisur me leje ndërtimore dhe për të njëjtin nuk ka asnjë kërkesë.”
Komuna ka kërkuar nga MKRS që para se të fillojë punimet të ndiqen procedurat ligjore.
“Prandaj kërkojmë nga investitorët që para fillimit të punimeve të ndiqen procedurat ligjore. Në rast të kundërt, ne jemi të obliguar që të veprojmë në pajtim me kërkesat ligjore për ndërprerjen e punimeve dhe rrënimin e saj. Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për ndërtimin e palestrës sepse për këtë projekt kemi ndarë edhe parcelën e tokës – pronë komunale. Por, njëkohësisht është shumë e rëndësishme që të respektohen kërkesat dhe procedurat ligjore. Ne jemi në dispozicion që të punojmë ngushtë me autoritetet përkatëse që të plotësohen të gjitha kërkesat dhe deri atëherë çdo investim është ilegal.”