Milani po përballet me konkurrencë të fortë nga Borussia Dortmund për transferimin e Ardon Jasharit, ndërsa Club Brugge vazhdon të mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij për shitjen e lojtarit.
Sipas ekspertit të merkatos nga Zvicra, Sacha Tavolieri, klubi gjerman është tani i gatshëm të paraqesë një ofertë serioze për mesfushorin 22-vjeçar.
Dortmund kishte shfaqur interes që më herët gjatë verës, por së pari duhej të realizonte disa largime – një kusht që tashmë është përmbushur pas shitjes së Jamie Gittens te Chelsea për 65 milionë euro.
Jashari është një objektiv i konfirmuar për këtë merkato vere dhe mbetet i etur për t’u bashkuar me Milanin, klub që e ka mbështetur që në fëmijëri.
Megjithatë, ai e kupton se çdo hap i mëtejshëm varet nga marrëveshja me Club Brugge, të cilët deri tani nuk kanë qenë të gatshëm të hyjnë në negociata.
Pavarësisht kësaj, raportimet nga Italia janë optimiste se një marrëveshje mund të arrihet për rreth 35 milionë euro – një shumë që Borussia Dortmund duket e gatshme ta paguajë më shpejt sesa Milani.
Vlen të theksohet se Brugge e bleu Jasharin nga Luzern verën e kaluar për vetëm 6 milionë euro, ndërsa vlera e tij është rritur ndjeshëm brenda një kohe të shkurtër./GazetaExpress/