Kompetencat e Presidentit në emërimin e kryetarit të Gjykatës Supreme, Kryeprokurorit, gjyqtarëve dhe prokurorëve - Gazeta Express
string(111) "kompetencat-e-presidentit-ne-emerimin-e-kryetarit-te-gjykates-supreme-kryeprokurorit-gjyqtareve-dhe-prokuroreve"

OP/ED

Gazeta Express

29/12/2023 12:12

Kompetencat e Presidentit në emërimin e kryetarit të Gjykatës Supreme, Kryeprokurorit, gjyqtarëve dhe prokurorëve

OP/ED

Gazeta Express

29/12/2023 12:12

Shkruan: Fejzullah Hasani

Si është e rregulluar me kushtetutë dhe ligj çështja e dekretimit të gjyqtarëve, kryetarit të gjykatës supreme, prokurorëve dhe   kryeprokurorit të shtetit?  

Lexo Edhe:

1. Kushtetuta e Republikës së Kosovës  

1.1. Sistemi gjyqësor  

Neni 103 [Organizimi dhe Jurisdiksioni i Gjykatave] 

Këshilli Gjyqësor i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij. Këshilli Gjyqësor i Kosovës siguron që gjykatat në Kosovë të jenë të pavarura, profesionale e të paanshme dhe të pasqyrojnë plotësisht natyrën shumetnike të Republikës së Kosovës e të ndjekin parimet e barazisë gjinore.. 1 

Këshilli Gjyqësor i Kosovës është përgjegjës për rekrutimin dhe propozimin e kandidatëve për emërim dhe riemërim për pozita gjyqësore. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është po ashtu përgjegjës për transferimin dhe për procedurën disiplinore kundër gjyqtarëve.2 

4. Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës e emëron dhe shkarkon Presidenti i Kosovës, nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, për mandat shtatëvjeçar, pa mundësi të riemërimit, pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për emërimin ose shkarkimin e saj/tij. 

Neni 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] 

Gjyqtarët i emëron, riemëron dhe shkarkon Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. 

1.2. Sistemi Prokurorial  

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në kryerjen e funksioneve të tij, në pajtim me ligjin. Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë personat në Kosovë. Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron që Prokurori i Shtetit të jetë i pavarur, profesional, i paanshëm dhe pasqyron natyrën shumetnike të Kosovës dhe parimet e barazisë gjinore. 3 

2. Këshilli Prokurorial i Kosovës do të rekrutojë, propozojë, avancojë, transferojë, disiplinojë prokurorët në mënyrën e rregulluar me ligj.4 

Neni 109  

Kryeprokurori i Shtetit emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Mandati i Kryeprokurorit të Shtetit është shtatëvjeçar, pa mundësi riemërimi. 5 

2.Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës  

Neni 30  

Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës e emëron dhe shkarkon Presidenti, nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, për mandat shtatëvjeçar (7), pa mundësi të riemërimit, pas propozimit të Këshillit Gjyqësor.6 

Neni 22. 

Presidenti, brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh, pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për emërimin në detyrën e gjyqtarit të kandidatit të propozuar nga Këshilli. Nëse brenda këtij afati Presidenti nuk e emëron gjyqtarin, Këshilli mund ta paraqesë edhe një herë tjetër kandidatin e propozuar së bashku me arsyetimin plotësues në formë të shkruar. Pas kësaj Presidenti emëron gjyqtarin sipas propozimit të Këshillit.7 

3. Ligji Për Këshillin Prokurorial të Kosovës  

Emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve  

Neni 22 

Këshilli nominon Kryeprokurorin e Shtetit nga radhët e Prokurorëve dhe ai emërohet nga Presidenti për një mandat shtatëvjeçar (7), pa mundësi riemërimi.8 

Emërimi dhe riemërimi i prokurorëve  

Neni 23 

Presidenti, brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh, pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për emërimin në detyrën e prokurorit të kandidatit të propozuar nga Këshilli. Nëse brenda këtij afati Presidenti nuk e emëron prokurorin, Këshilli mund ta paraqesë edhe një herë tjetër kandidatin e propozuar së bashku me arsyetimin plotësues në formë të shkruar. Pas kësaj, Presidenti emëron prokurorin sipas propozimit të Këshillit.9 

4. Analiza e dispozitave Kushtetuese dhe ligjore lidhur me autorizimet e Presidentit  

    për dekretimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit   

Nëse i analizojmë me kujdes  dispozitat Kushtetuese dhe ligjore,  që u përshkruan më sipër,  përkatësisht  nenet 103,104 dhe 109 të Kushtetutës, nenit 22, 30 të LPKGJK dhe nenit 22 dhe 23 të LPKPK, që rregullojnë këtë çështje, rezulton qartë se me asnjë dispozitë Kushtetuese dhe ligjore, nuk i është lënë mundësia Presidentit të shtetit që të mos e dekretojë emërimin e Kryetarit të  Gjykatës Supreme  e as Kryeprokurorin e Shtetit,  kur nominimi -propozimi i ka ardhur nga KGJK apo KPK, d.m.th. kur  bëhet fjalë për dekretimin e emërimit  të Kryetarit të Gjykatës Supreme, Kryeprokurorit të Shtetit,  Presidenti ka vetëm rol ceremonial, për faktin se me  Kushtetutë e as me ligje përkatëse, nuk i jepet autorizim Presidentit  se mund t’i  kthejë kandidatët  e nominuar për këto pozita udhëheqëse, sikundër Ligji thotë,  kur kemi të bëjmë me kandidatët e nominuar për gjyqtarë-prokurorë dhe për kërkesa për shkarkimin  e tyre. 

Qëllimi i ligjdhënësit (ratio legi) ka qenë, që Presidentit të mos i lejojë asnjë mundësi për ndërhyrje në procesin e nominimit të kandidatëve për këto pozita në Institucionet e Drejtësisë, por i ka lënë vetëm mandat ceremonial (Dekretimin dhe betimin para tij ),  çështjen e rekrutimit, nominimit për këto pozita e ka lënë në kompetencë ekskluzive të Këshillave përkatëse(KGJ dhe KPK) . Kryetar i Gjykatës  Supreme-Kryeprokurori i Shtetit, gjyqtar dhe prokuror,  dekretohen  vetëm ata kandidatë,  të  cilët  i kanë  nominuar  këto Këshilla,  pavarësisht se pajtohet apo jo Presidenti i Shtetit. 

Nëse Presidenti do të kishte  të drejtë  të mos e dekretojë secilin kandidat të nominuar nga KGJK-KPK,  kur ai  vlerëson se  është nominuar me shkelje ligjore dhe procedurale dhe është i  “pa përshtatshme për dekretim” , atëherë nuk bëhet fjalë për mandat ceremonial , por për mandat me juridiksion të plotë, në rrethana të tilla,  roli i Këshillave përkatëse shndërrohet  në mekanizma që i shërbejnë Presidentit, ndërsa këtë rol tani nuk e ka, ngase ia pamundëson Kushtetua dhe Ligji . 

5.Roli i Presidentit kur kemi të bëjmë me dekretimin e emërimit të  gjyqtarëve 

   dhe  prokurorëve të Republikës së Kosovës  

Sa i përket mandatit të tij,  kur kemi të bëjmë me dekretimin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, roli i presidentit dallon në raport me zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit, ngase Ligjet e dy Institucioneve,  i japin autorizim  Presidentit që,  nëse ai e vlerëson të arsyeshme, t’ua kthejë Këshillave përkatëse (KGJK dhe KPK) këto kandidatura në rishqyrtim, mirëpo nëse këto Këshilla,  serish u dërgojnë  të njëjtit  kandidatë për dekretim, Presidenti nuk ka zgjidhje tjetër pos t’i dekretojë për emërim, ngase sipas nenit 22 par. 2 i LPKGJK dhe nenit 23. par.2. i LPKPK, nëse brenda afatit prej 60 ditësh Presidenti nuk e ka dekretuar gjyqtarin-prokurorin e nominuar,  KGJK, KPK, mund sërish t’ia  dërgojë të njëjtin kandidatë për dekretim, e që Presidenti duhet ta dekretojë, kjo normë është detyruese për Presidentin, ngase Ligji  nuk thotë mundet, por duhet ta dekretojë,  d.m.th. edhe atëherë kur Presidenti fare nuk pajtohet me këtë kandidaturë, nëse KGJK-KPK,  sërish ia ka dërguar të njëjtin kandidat,  ai nuk ka zgjidhje tjetër pos ta dekretojë  dhe lidhur me këtë ka dy precedentë: 

1. Në kohën kur ushtrues detyre i Presidentit ishte Z.Jakup Krasniqi, kishte refuzuar dekretimin e një gjyqtari dhe prokurori të nominuar nga KGJPK (kishte një Këshill të përbashkët, por ky Këshill, sërish i dërgoi po ato kandidatura,  ushtruesi i detyrës së Presidentit u detyrua që t’i dekretojë, ose  

2. Rasti tjetër,  kur Presidente ishte zonja Jahjaga, e cila fillimisht refuzoi dekretimin për mandat të përhershëm të gjyqtarit, që ishte në mandat fillestar (3 vjeçar), me arsyetim se ky gjyqtar nuk kishte vendosur brenda afateve ligjore për masa mbrojtëse për dhunë në familje,  e që për pasojë kishte privimin  nga jeta të së dëmtuarës NN,   nga ish  burri i saj,  me të cilin ishin divorcuar. Mirëpo,  KGJK,  sërish i dërgoi po këtë kandidaturë, me arsyetim se vërtet kishte vonesë në marrjen e vendimit nga gjyqtari, por kjo vonesë,  nuk kishte asnjë lidhje me pasojën që u shkaktua, ngase,  kur kryesi vendosë për një hap të tillë ekstrem, atë  nuk mund ta pengojë një vendim gjyqësor për masa  mbrojtëse “ndalimi i ofrimit të personit të caktuar sikurse e parashihte  ligji“,  përveç nëse kërkohet dhe eventualisht zbatohet mbrojtja fizike nga afër nga organet policore, herën e dytë  Presidentja u detyrua ta dekretojë, ngase çdo veprim ndryshe,  do ishte kundërkushtetues dhe kundërligjor .10 

6. Roli i Presidentit, kur kemi të bëjmë me emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, që nuk vie  

   nga zyra e Prokurorisë së Shtetit  

Kur KPK,   për Kryeprokuror të Shtetit, ka  nominuar  kandidatin  që nuk është pjesë e Zyrës së Prokurorit të Shteti, Presidenti  ka detyrim që së pari të vendosë për dekretimin  e tij për prokuror e pastaj për kryeprokuror, d.m.th. në raste të tilla,  dekreti ka dy përmbajtje “ju dekretoj për prokuror  të Shtetit dhe njëkohësisht ju dekretoj për  Kryeprokurorë të Shtetit “. Në situatën e tillë Presidenti ka detyrim ligjor, që jo më vonë se 60 ditë  të vendosë për dekretimin e kandidatit, së pari për prokuror të Shtetit e njëkohësisht për Kryeprokuror, ngase nuk mund të dekretohet Kryeprokuror pa u dekretuar paraprakisht për prokuror të po kësaj Zyreje.  

7. Roli i KGJK dhe KPK, kur Presidenti brenda afatit prej 60 ditësh nuk e dekreton  

   Gjyqtarin- prokurorin e  nominuar  

Nëse Presidenti, brenda afatit prej 60 ditësh, nuk i dekreton kandidaturat e nominuara për gjyqtarë-prokurorë, KGJK-KPK, duhet ta konsiderojë të refuzuar dekretimin  dhe mundet,  po të njëjtat kandidatura,  me arsyetim plotësues, t’ia dërgojë sërish për dekretim, me ç’rast,  Presidentit më nuk i mbetet alternativë tjetër pos t’i dekretojë, çdo veprim ndryshe është arbitrarizëm.  

8. Brenda cilit afat duhet të vendosë Presidenti për kandidatët e nominuar nga këshillat  

   përkatës  për Kryetar të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokuror të shtetit

U  sqarua më sipër,  se kur bëhet fjalë për këto pozita, Kushtetuta dhe Ligji,  nuk i japin të drejtë fare  Presidentit t’i refuzojë apo t’i kthejë në rivlerësim, në Këshillat Përkatëse, në rrethana të këtilla dekretimin  duhet ta bëjë sa më shpejt që është e mundur, aq sa është e nevojshme që administrativisht të shqyrtohet dosja (bëhet fjalë vetëm për një kandidat). Afati prej 60 ditësh,  i është lënë vetëm kur kemi të bëjmë me  gjyqtarë dhe prokurorë,  ngase ka më shumë kandidatura, mund të jenë  50,70, 80  etj. dhe i duhet kohë për t’i vlerësuar të gjitha ato dosje.   

9. Procedura eventuale gjyqësore të iniciuara nga kandidatët e pakënaqur me nominimin  dhe

    dekretimin nga ana e Presidentit  

Procedurat gjyqësore të iniciuara nga kandidatët e pakënaqur me nominimin,  nuk kanë asnjë efekt për të shtyrë procesin e dekretimit të Kryetarit të Gjykatës Supreme- Kryeprokurorit të Shtetit, gjyqtarëve, prokurorëve. Secili kandidat,  që ka qenë në garë, ka të drejtën të kërkojë mbrojtje gjyqësore-të paraqesë padi,  nëse konsideron se procesi ka qenë i paligjshëm dhe ka qenë i cenuar gjatë  procesit të nominimit. Procedura gjyqësore mund të zgjas me vite edhe më tepër se sa zgjatë mandati i Presidentit, çështja disa herë mund të kthehet në rigjykim (nga e para ), kështu që,  dekretimin nuk e shtyn procedura gjyqësore  dhe nuk ka asnjë logjikë që dekretimi të shtyhet për shkak të procedurave gjyqësore, përndryshe në ligj do të shkruante, se: “Presidenti e bënë nominimin pasi të përfundojë procedura gjyqësore e ndonjërit nga kandidatët që duke qenë i pakënaqur me procesin e rekrutimit, vlerësimit  dhe nominimit,  ka iniciuar kontest gjyqësor“ , ky përjashtim nuk  ekziston dhe nuk ka nevojë për një pritje të tillë, nuk munden këto Institucione të rëndësishme të drejtësisë, me vite të mbesin pa udhëheqës. 

10. Roli i Presidentit në shkarkimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme, Kryeprokurorit të  

     Shtetit, gjyqtarëve dhe prokurorëve  

Kur kemi të bëjmë me  dekretimin e shkarkimit të bartësve të këtyre pozitave në sistemin   e drejtësisë, roli i Presidentit, gjithashtu, është  ceremonial, sikurse në dekretimin emërimit të tyre, d.m.th..ka mundësi që njëherë t’ua kthejë Këshillave përkatëse, por nëse këshillat ua dërgojnë prap propozimin për shkarkim, Presidenti detyrohet që ta dekretojë shkarkimin e tyre (nuk ka hapësirë tjetër manovruese Kushtetuese dhe ligjore), për faktin se  si LKGJK, ashtu edhe LPKK, përkitazi me këtë çështje shprehen njësoj: 

Presidenti, brenda tridhjetë (30) ditësh, pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për shkarkimin e gjyqtarit – prokurorit të propozuar nga Këshilli. Nëse brenda këtij afati Presidenti nuk e shkarkon prokurorin, Këshilli paraqet edhe një herë propozimin për shkarkimin e prokurorit, së bashku me arsyetimin plotësues, në formë të shkruar. Pas kësaj, Presidenti shkarkon prokurorin sipas propozimit të Këshillit”.11 

Ligjshmërinë e shkarkimit e  vlerëson  Gjykata Supreme, me rastin e ankesave të gjyqtarëve-prokurorëve që janë shkarkuar . 12 

11. Roli i Shoqërive civile dhe i faktorit ndërkombëtar në legjitimitetin e procesit të

      nominimit  të kandidatëve për Kryetar të Gjykatës Supreme- Kryeprokuror të Shtetit 

Kur kemi të bëjmë me Shoqëritë civile  apo mekanizmat ndërkombëtarë, pavarësisht se si e vlerësojnë procesin e rekrutimit, ligjërisht nuk kanë asnjë impakt në ligjshmërinë  e procesit të rekrutimit të bartësve të këtyre pozitave të rëndësishme në institucionet e drejtësisë, ngase, nuk bëhet fjalë për institucionekategori ligjore. Shoqëritë civile, Ambasadat e huaja, kanë rolin e tyre në dimensione tjera (rritjen e transparencës, monitorimit të rrjedhës- korrektësisë së   procesit, shtimin e besimit të opinionit tek këto Institucione etj.),  por nuk kanë efekt në ligjshmërinë  e procesit. Me ligjet përkatëse dhe rregullat e brendshme të këtyre institucioneve, në mënyrë të detajuar janë paraparë procedura e rekrutimit, vlerësimit, përpilimit të listave,  nominimit  të kandidatëve pjesëmarrës në konkurs, si dhe mekanizmat e brendshëm bartës të këtyre proceseve.  

Ligjshmërinë e procesit mund ta vlerësojë vetëm Gjykata,  me iniciativën e atyre që kanë kërkuar mbrojtje gjyqësore,  nëse kanë vlerësuar se ka pasur shkelje të ligjit dhe procedurave,  gjatë procesit të rekrutimit dhe nominimit. 

12.Të drejta e kandidatëve pjesëmarrës në proces, kur ata nuk dekretohen brenda afateve  

     ligjore  

U sqarua më sipër, Presidenti ka obligim ligjor që sa më parë që është e mundur të dekretojë kandidatët e nominuar për Kryetarë të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorë të Shtetit (nuk ka autorizim ligjor që kandidatët për këto pozita t’i kthejë në Këshillat relevant-t’i refuzojë), ndërsa kur bëhet fjalë për dekretimin e gjyqtarëve-prokurorëve, jo më vonë se 60 ditë, duhet ta kryejë dekretimin. Nëse nuk respektohen këto detyrime ligjore,  secili kandidat,  ka të drejtë, të kërkojë mbrojtje gjyqësore në gjykatë, e cila në bazë të Ligjit Për Konflikt Administrativ mund t’i caktojë afat Presidentit që të vendos për dekretimin .  

13. Çdo tendencë e Presidentit, që mandatin ceremonial ta shndërrojë në mandat vendimmarrës, përpos që është kundërkushtetues dhe kundërligjor, veprimi-mosveprimi i tillë, cenon vetë Institucionin e Presidentit, cenon rëndë pavarësinë e këtyre Institucioneve të pavarura,  por edhe e dëmton punën e gjykatave dhe prokurorive. Nëse presidenti refuzon dekretimin e kandidatit të nominuar nga Këshilli Përkatës  për Kryetar të Gjykatës Supreme-Kryeprokuror të Shtetit ( edhe pse ligji nuk i lejon një mundësi të tillë ),  ose nuk e dekreton gjyqtarin –prokurorin,  pasi që i njëjti kandidat , nga Këshillat Përkatës, serish iu është dërguar për nominim( ligji thotë qartë  herën e dytë patjetër duhet ta nominoj ),  krijon një rreth vicioz që nuk mund të përfundoj kurrë,  ngase Kushtetuta ,Ligjet Relevante, në mënyrë të njëjtë shprehen: “ se për Kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokuror të Shtetit , gjyqtar dhe prokurorë, dekretohen nga Presidenti vetëm ata kandidat që i kanë nominuar Këshillat ”  , ndërsa Këshillat Përkatës , nuk kanë detyrim ligjor që në Presidencë të dërgojnë kandidaturë tjetër , për faktin se gjatë procesit të vlerësimit  , mekanizmit kompetent në këto Këshilla , kandidatët e nominuar i kanë  vlerësuar se i plotësojnë kushte më mirë se kandidatët tjerë .

(Autori është ish – Kryetar i Gjykatës Supreme)