Komisioni për Tregtinë Ndërkombëtare i Parlamentit Evropian ka dhënë miratimin e parë të shumëpritur për marrëveshjen tregtare të nënshkruar verën e kaluar mes BE-së dhe SHBA-së në Skoci.
Me 29 vota pro, 9 kundër dhe 1 abstenim, eurodeputetët e këtij komisioni miratuan heqjen e tarifave që BE-ja aplikon ndaj importeve të produkteve amerikane. Ky vendim vjen pas muajsh bllokimi.
Komisioni ishte gati të votonte që në janar, por kërcënimet e SHBA-së ndaj Groenlandës dhe pasiguria e krijuar në shkurt nga reagimi i administratës amerikane ndaj një vendimi të Gjykatës së Lartë detyruan eurodeputetët ta shtyjnë dy herë votimin.
Pavarësisht miratimit, eurodeputetët kanë shtuar një sërë masash sigurie që duhet të përmbushen para zbatimit të marrëveshjes.
Sipas një njoftimi për shtyp të Parlamentit Evropian, këto dispozita parashikojnë:
Së pari, theksohet se çdo tarifë e vendosur ndaj BE-së ose një shteti anëtar për shkak të vendimeve të tyre në politikën e jashtme është e papranueshme. Për këtë arsye është forcuar klauzola e pezullimit: nëse vendosen tarifa të tilla, zbatimi i preferencave tarifore për produktet amerikane do të ndalet menjëherë.
“Çdo kërcënim tarifor ndaj njërit prej nesh është kërcënim ndaj të gjithëve”, theksojnë eurodeputetët.
Së dyti, është miratuar një klauzolë skadence, që do të thotë se preferencat tarifore për produktet amerikane do të hyjnë në fuqi vetëm nëse SHBA-ja zbaton plotësisht angazhimet e marra në Skoci.
Kushtet për çelikun
Eurodeputetët vendosën gjithashtu kushte për produktet e BE-së që përmbajnë çelik.
Një nga kriteret kryesore për hyrjen në fuqi të rregullores është ulja e tarifave për produktet e BE-së që përmbajnë më pak se 50% çelik ose alumin, nga 50% në 15%.
Ky set i ri kushtesh plotëson marrëveshjen e negociuar më parë, duke përfshirë pesë elementët kryesorë: zgjidhje specifike për çelikun dhe aluminin, klauzolë skadence, dispozitë pezullimi, mekanizëm mbrojtës dhe forcim të nenit të pezullimit.
Gjithashtu, bëhet e qartë se nëse SHBA vendos të rrisë tarifat ekzistuese sipas Nenit 122 nga 10% në 15% në të gjithë sektorët, shumë produkte të BE-së do të përballeshin me tarifa reale më të larta se kufiri 15%, për shkak të shtimit të tarifës së “kombit më të favorizuar”. Një skenar i tillë konsiderohet “i papranueshëm” dhe do të çonte në pezullimin e marrëveshjes.
Këto dispozita duhet të miratohen nga seanca plenare e Parlamentit Evropian në votimin e planifikuar për 26 mars, përpara se të nisin negociatat me qeveritë e vendeve anëtare për formën përfundimtare të marrëveshjes, ka transmetuar Panorama.
Ambasadori i SHBA-së në BE, Andrew Puzder, përmes një reagimi në platformën “X”, përshëndeti votimin pozitiv, duke theksuar se ai forcon “marrëdhënien më të rëndësishme tregtare dhe investuese në histori”.