Agim Ademi e mori sot një mandat të ri katërvjeçar si kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës me 100 për qind të votave.
Por, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, shkruan “Gazeta Express”.

Në fakt, prej 52 delegatëve të pranishëm në Kuvendin Zgjedhor të shtëpisë së futbollit kosovar, 49 votuan PRO propozimit të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, ndërsa u panë edhe tri ABSTENIME.
Në mesin e atyre që abstenuan ishin edhe dy delegatët e FC Ferizajt, Lulzim Abazi dhe Betim Isufi.

Ata në fakt nuk e kishin me krejt të propozuarit për Komitetin Ekzekutiv, por vetëm me përfaqësuesin e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Ferizajt, Ilaz Mjaku.
Ky i fundit ishte përzgjedhur si kandidat për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së nga rajoni i Ferizajt në Kuvendin e Rregullt Zgjedhor të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Ferizaj, më 17 janar.

E vendimin për ta mandatuar Mjakun për Kuvendin Zgjedhor të 5 shkurtit në FFK nuk e kishin pritur aspak mirë drejtuesit e FC Ferizajt, të cilët ishin përgatitur të votonin KUNDËR tij sot, pasi ata e preferonin Betim Isufin para Mjakut.
Kryetari i FC Ferizajt, Lulzim Abazi, në një bisedë me “Gazeta Express” u shpreh se Mjaku është pa meritë në atë pozitë pasi që, qe dy dekada nuk e ka bërë ndonjë punë të mirë për krejt Rajonin e Ferizajt.

“Votimi me abstenim i imi sot ishte në votimin e Komitetit Ekzekutiv. Në fakt, unë isha vetëm kundër kandidatit nga Lidhja Rajonale e Futbollit të Ferizajt, ndërsa për të tjerët unë nuk kam mendim. Por, meqë shkuan në pako kandidatët për Komitet Ekzekutiv, atëherë unë isha i detyruar të abstenoj, edhe pse isha i përgatitur për të votuar KUNDËR”, sqaroi Abazi për “Express”.

“Pra, unë isha kundër kandidatit Ilaz Mjaku, sepse konsiderojmë që është i pa meritë, ngase është qe 20 vjet në këtë pozitë dhe asnjë punë të mirë nuk e ka bërë për krejt regjionin”, përfundoi Abazi.
Pra, në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Ferizajt është evidente se ka një qarje, ndonëse Mjaku do ta përfaqësojë këtë regjion në katër vjetët e ardhshëm. /Gazeta Express
