Komisionerët e zgjedhjeve lokale në shumë komuna nuk janë paguar ende, institucionet luajnë ‘ping-pong’ - Gazeta Express
string(100) "komisioneret-e-zgjedhjeve-lokale-ne-shume-komuna-nuk-jane-paguar-ende-institucionet-luajne-ping-pong"

Maqedoni

Gazeta Express

17/02/2026 9:19

Komisionerët e zgjedhjeve lokale në shumë komuna nuk janë paguar ende, institucionet luajnë ‘ping-pong’

Maqedoni

Gazeta Express

17/02/2026 9:19

Pavarësisht se kanë kaluar mbi tre muaj nga zgjedhjet lokale 2025, komisionerët nga shumë komuna nuk janë paguar ende. Institucionet hedhin përgjegjësinë te njëra-tjetra, shkruan Portalb.mk.

Ditëve të fundit qytetarët kanë filluar të ankohen se komisionerët nuk janë paguar ende.

Sipas Kodit Zgjedhor, neni 88 paragrafi 4 dhe 5 mjetet për zgjedhjet lokale i siguron komuna.

Neni 88, paragrafi 4: Për realizimin e zgjedhjeve lokale, mjetet sigurohen nga buxheti i komunës dhe i Qytetit të Shkupit dhe me ato menaxhon Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, përkatësisht Komisioni Zgjedhor i Qytetit të Shkupit, ndërsa mjetet për materialin zgjedhor sigurohen nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë dhe me ato menaxhon Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Neni 88, paragrafi 5: Me përjashtim të paragrafit (4) të këtij neni, në rast të pamundësisë për sigurim të mjeteve për realizimin e zgjedhjeve lokale për shkak të xhirollogarisë së bllokuar nga ana e komunës dhe Qytetit të Shkupit, mjetet për realizimin e zgjedhjeve lokale sigurohen nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë dhe me to menaxhon Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, përkatësisht Komisioni Zgjedhor i Qytetit të Shkupit.

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për Portalb.mk duke iu referuar kësaj që është theksuar në paragrafin 5 të nenit 88 të kodit Zgjedhor, në lidhje me çështjen e pagesës së këshillave zgjedhore ,theksuan se KSHZ-ja në muajin dhjetor të vitit 2025, i është drejtuar me shkresë Ministrisë së Financave me kërkesë që të gjendet një zgjidhje për pagesën e këshillave në komunat që kanë llogari të bllokuara.

“KSHZ-ja është në pritje të një zgjidhjeje nga institucionet kompetente, të cilat duhet ta informojnë për vendimin, dhe në përputhje me atë vendim të realizohet edhe pagesa”, thanë nga KSHZ.

Komunat të cilat kanë qenë me xhirollogari të bllokuara janë: Tetova, Struga, Ohri, Karposhi, Zërnovci, Resnja, Dellçeva, Pehçeva, Krivogashtani, Demir Kapia, Vasilieva dhhe Çeshinovë – Oblesheva.

Megjithatë, ka edhe komuna tjera të cilat nuk i kanë shlyer këto obligime, shembull Komuna e Gostivarit.

Nga Komuna e Gostivarit për Portalb.mk thanë se “në momentin kur mjetet do të dërgohen nga Qeveria, atëherë Komuna e Gostivarit menjëherë mjetet do t’i transferojë te komisionerët”.

Përgjigje të përafërt morëm edhe nga Komuna e Tetovës.

“Presim që të na transferohen mjetet nga Ministria e Financave që më pas të vazhdojmë me pagesat e anëtarëve në këshillat zgjedhor”, thanë nga Komisioni Zgjedhor Komunal – Tetovë.

Nga Qeveria e RMV-së shkurt për Portalb.mk përgjegjësinë e hodhën te KSHZ-ja duke thëbë se Qeveria dhe Ministria e Financave nuk janë përgjegjës.

Nga Ministria e Financave, si në shumë raste tjera, nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Zgjedhjet e rregullta lokale un mbajtën më 19 tetor 2025 (rrethi i parë) dhe 2 nëntor 2025 (rrethi i dytë). Ndërsa më 11 janar u mbajtën zgjedhjet e përsëritura në katër komuna.

Advertisement
Advertisement
Advertisement