Komision parlamentar dhe vëzhgim ndërkombëtar - Gazeta Express
string(45) "komision-parlamentar-dhe-vezhgim-nderkombetar"

Maqedoni

Gazeta Express

27/03/2025 19:57

Komision parlamentar dhe vëzhgim ndërkombëtar

Maqedoni

Gazeta Express

27/03/2025 19:57

Pas tragjedisë në Koçan, partitë opozitare kërkojnë krijimin e një Komisioni Parlamentar të Posaçëm me vëzhgim ndërkombëtar për të hetuar drejtësinë selektive në trajtimin e rastit. Fronti Evropian dhe LSDM e kanë cilësuar të papranueshëm hetimin selektiv, duke kërkuar që të gjithë ata që kanë kontribuar në tragjedi të mbajnë përgjegjësi. Nga ana tjetër, Qeveria thotë se është angazhuar për një hetim të plotë dhe transparent.

Shkup, 27 mars – Partitë opozitare në vend vazhdojnë të kenë dilemat e tyre për sa i përket tragjedisë në Koçan dhe hetimit të këtij rasti tragjik për vendin. Fronti Europian i udhëhequr nga BDI kërkon që urgjentisht të krijohet Komision Parlamentar me vëzhgim ndërkombëtar për hetimin e drejtësisë selektive në trajtimin e tragjedisë në Koçan. “Grupi Parlamentar i Frontit Evropian do të kërkojë sot zyrtarisht krijimin e një Komisioni Parlamentar të posaçëm për të hetuar qasjen selektive dhe të njëanshme të sistemit të drejtësisë së kontrolluar nga qeveria në trajtimin e tragjedisë në Koçan. Ky komision duhet të ngrihet menjëherë dhe të përfshijë përfaqësues të OSBE-së, si dhe përfaqësues nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në cilësinë e vëzhguesve me qëllim garantimin e një hetimi të drejtë, të pavarur dhe transparent”, theksoi deputetja e Frontit Europian, Arbana Pasholli nga pres qendra e Parlamentit.

Pasholli është shprehur se drejtësia selektive po krijon një situatë të paprecedentë që rrezikon themelet e shtetit të së drejtës dhe të besimit qytetar ndaj institucioneve.

“Mosveprimi ose instrumentalizimi politik i drejtësisë për qëllime të ngushta cenon jo vetëm të drejtat themelore të qytetarëve, por edhe stabilitetin demokratik dhe perspektivën evropiane të vendit. Grupi Parlamentar i Frontit Evropian do të bëjë sot një kërkesë zyrtare për këtë çështje dhe pret që Parlamenti të veprojë me përgjegjësi dhe seriozitet maksimal për të siguruar një hetim të pavarur, të besueshëm dhe gjithëpërfshirës”, theksoi deputetja e Frontit Europian Arbana Pasholli.

Situatat aktuale, pas tragjedisë në Koçan ka qenë temë e mbledhjes së Komitetit Qendror të LSDM-së, ku është konstatuar se procesi i hetimit për zjarrin në të ashtuquajturën kabare po kryhet në mënyrë selektive dhe është përqendruar vetëm në ish-funksionarë dhe ish-punonjës. “Konkluzioni i Komitetit Qendror të LSDM-së është se procesi i hetimit deri më tani tregon se po kryhet në mënyrë selektive dhe është përqendruar vetëm në të kaluarën, vetëm në ish-funksionarë dhe ish-punonjës, ndërsa aktualët nuk janë përfshirë fare, megjithëse kanë qenë në funksione në ditën kur ka ndodhur tragjedia”, thuhet në komunikatën e LSDM-së. Nga partia opozitare, në këtë kontekst, theksojnë se selektiviteti nuk është drejtësi, por padrejtësi që thellon mosbesimin e qytetarëve në institucione dhe në sistemin e drejtësisë.

Sipas tyre, është e papranueshme që hetimi të zhvillohet në mënyrë selektive, duke pasur parasysh seriozitetin e tragjedisë dhe pasojat e rënda me një numër të madh viktimash dhe të plagosurish. Në këtë kuadër, nga Lidhja Socialdemokrate thonë se do të përdorin të gjitha mekanizmat institucionalë dhe njoftojnë se në “momentin e duhur” do të kërkojnë përmes një komisioni hetimor në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të zbulojnë faktet dhe të kërkojnë përgjegjësi politike për tragjedinë në Koçani. “LSDM insistojnë për një hetim të paanshëm, të pavarur dhe të thelluar, ku të gjithë do të përgjigjen sipas ligjeve. Çdo selektivitet, mbrojtje e funksionarëve aktualë, individëve të lidhur me pushtetin, LSDM do t’i kundërshtojë. Para ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë”, thuhet më tej në komunikatën e LSDM-së.

Përderisa partitë politike opozitare po bëjnë gati të propozojnë në Parlament, kryetari i partisë “E Majta” Dimitar Apasiev me kritika në drejtim të kryetarit të Parlamentit Afrim Gashi për pezullimin e aktiviteteve të Parlamentit në afat dy javor. Sipas Apasiev me këtë është pezulluar edhe instituti i pyetjeve parlamentare, i cili është një mjet kushtetues për kontrollin parlamentar mbi pushtetin. Seanca plenare për pyetje deputetësh, sipas Apasievit është anuluar për shkak se kryeministrit Mickoski nuk I konvenojnë pyetje rreth tragjedisë në Koçan. “Kryeministër, edhe nëse ka pasur ‘konsensus’ (ndonëse nuk ka pasur) – vullneti i koordinatorëve të grupeve parlamentare nuk mund ta suspendojë normën e qartë imperativ! Sepse, me marrëveshje mes politikanëve nuk mund të ndryshoni një normë publike-ligjore! Sa herë që të mundoheni të ikni dhe ta drejtoni e pengoni hetimin – nuk do të mund të shmangni arenën e Parlamentit dhe një moment do të duhet të jepni përgjigje për pyetjet e interesit të lartë publik që prekin gjithë opinionin maqedonas”, është shprehur Apasiev.

Nga ana tjetër, qeveria zotohet për një hetim të plotë dhe tël drejtë të kësaj tragjedie. Ministri i punëve të jashtme Timço Mucunski përsëriti se pushteti është I përkushtuar në zbardhjen e plotë të rastit dhe në vendosjen e fajtorëve përpara përgjegjësisë.

“Nga ana jonë, si Qeveri, tashmë kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për një hetim të plotë të rastit, duke përfshirë nxjerrjen para organeve të drejtësisë të të gjitha personave të përfshirë që kanë kontribuar në ndodhjen e kësaj tragjedie. Si Qeveri, jemi të vendosur të luftojmë me korrupsionin dhe të gjitha fenomenet devijuese që kanë për qëllim dobësimin dhe dëmshpërblimin e sistemit tonë. Kjo nuk do të lejohet. Qëllimi ynë është të forcojmë besimin dhe të përmirësojmë funksionalitetin e sistemit në të cilin qytetarët do të kenë besim të plotë, theksoi Mucunski në fjalimin e tij para ambasadorëve të vendeve anëtare dhe partnerëve të Aleancës.

Advertisement
Advertisement
Advertisement