Një mjeke ruse është dënuar me pesë vite burg për disa komente në lidhje me luftën në Ukrainë. 68-vjeçarja Nadezhda Buyanova u dënua pas raportimit në polici nga nëna e një 7 vjeçari që po trajtonte, në lidhje me një koment që kishte bërë për babain e tij, një ushtar rus, që ishte vrarë në Ukrainë.
Sipas raportimit të gruas, pediatrja ka thënë se ushtarët rusë ishin objektiva legjitimë. Buyanova mohon të ketë bërë këtë koment dhe nuk ka asnjë regjistrim audio ose video që e provon një gjë të tillë.
Në muajin shkurt, ajo u arrestua dhe u akuzua për përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me forcat e armatosura ruse. Pas një periudhe të shkurtër arresti shtëpiak, ajo u vendos në paraburgim.
“Është absurde, thjesht absurde. Unë nuk mund ta kuptoj atë që po më ndodh. Ndoshta më vonë do të jem në gjendje.”, u shpreh mjekja.
Ligji kundër përhapjes së informacionit të rremë në lidhje me ushtrinë është një nga disa aktet më të ashpra të legjislacionit të miratuar në Rusi që nga nisja e luftës në Ukrainë, me syninim për t’u mbyllur gojën kritikëve.