Ish-sulmuesi i Manchester United, Javier Hernandez, është gjobitur dhe i është dhënë vërejtje për sjelljen e tij në të ardhmen, pasi ka bërë komente seksiste në rrjetet sociale.
Federata e Futbollit të Meksikës tha se 37-vjeçari, i cili tani luan me ekipin e Liga MX, Chivas, ka bërë një sërë deklaratash “që promovojnë stereotipe seksiste” në TikTok.
Sulmuesi tha në rrjetet sociale se gratë po “dështojnë” dhe po “zhdukin maskulinitetin”.
“Mos kini frikë të jeni gra, të lejoni veten të udhëhiqeni nga një burrë,” tha ish-kapiteni i Meksikës.
Komentet, të bëra fundjavën e kaluar, shkaktuan reagime të ashpra në Meksikë.
Presidentja Claudia Sheinbaum, gruaja e parë presidente e vendit, tha: “Chicharito është një futbollist shumë i mirë, por kur bëhet fjalë për mendimin e tij për gratë… ka ende shumë për të mësuar.”
Chivas deklaroi se komentet ishin “në kundërshtim me parimet dhe vlerat” e klubit dhe se ata kishin marrë “masa të duhura” kundër Hernandezit, megjithatë nuk u bë e ditur se cilat masa.
Hernandez, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Meksikën, iu bashkua Manchester United nga Chivas në vitin 2010.
Ai kaloi katër vite në Old Trafford, duke fituar dy herë Premier League.
Pas periudhave me Real Madrid dhe Bayer Leverkusen, ai u rikthye në Premier League me West Ham, ku qëndroi për tre sezone mes viteve 2017 dhe 2020.
Hernandez më pas u transferua te Sevilla nga West Ham, para se të kalonte katër sezone me ekipin e MLS-së, Los Angeles Galaxy.
Ai u rikthye te Chivas në vitin 2023, duke nënshkruar një kontratë dyvjeçare.