Kombinimi fatal: Covid dhe grip në të njëjtën kohë - Gazeta Express

Kombinimi fatal: Covid dhe grip në të njëjtën kohë

Shneta

Gazeta Express

24/06/2020 8:44

Ekspertët kryesorë të qeverisë amerikane kanë paralajmëruar Kongresin për ngarkesën e jashtëzakonshme me të cilën mund të përballen spitalet në vjeshtë dhe dimër ndërsa rastet e koronavirusit vazhdojnë të rriten në gjysmën e shteteve në vend.

Doktor Antoni Fauci, është rikthyer në Capitol Hill bashkë me shefat e qendrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve dhe administratës së ushqimeve dhe ilaçeve. Ekspertët thonë se nuk është e qartë se sa do të zgjasë pandemia e koronavirusit por ata presin që ajo të vijojë edhe për disa kohë.

Ata thonë se është po ashtu e paqartë se çfarë do të ndodhë nëse pandemia do të përplaset me sezonin e gripit, por gjasat që ajo të rëndojë shumë mbi sistemin shëndetësor në vend janë të mëdha. Nëse do të ketë Covid-19 dhe aktivitet gripi në të njëjtën kohë, kjo do ta vendosë sistemin e shëndetësisë nën një presion të jashtëzakonshëm për sa i takon shtretërve, testimeve të nevojshme, pajisjeve mbrojtëse personale dhe sigurinë e punonjësve – thanë ekspertët.

Në kuadër të aktivitetit të vazhdueshëm të Covid 19, shtojnë ata, marrja e një vaksine gripi është më e rëndësishme se kurrë. Më shumë se 9.1 milion raste koronavirusi janë konfirmuar ndërkohë në të gjithë botën, sipas universitetit John Hopkins.

Brazili ka raportuar një mesatare prej 1 mijë viktimash të lidhura me virusin në ditë, gjatë javës së shkuar ndërsa në SHBA, rastet vazhdojnë të rriten në disa shtete ndërsa vendi vijon të hapet.

Për ekspertët amerikanë, përfshirë Dr Faucin, një vaksinë e sigurt dhe efektive do të ishte thelbësore për ndalimin e përhapjes së infeksionit, reduktimin e ashpërsisë dhe viktimave të tij dhe parandalimin e shpërthimeve të tjera në të ardhmen. Sidoqoftë, për të arritur deri tek vaksina, do të duhet ende kohë.