Kombëtarja e Shqipërisë zhvilloi pasditen e sotme stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e madhe ndaj Polonisë.
Ajo ndeshje do të luhet në kuadër të fazës së “play-offit” të Kupës së Botës në Varshavë.
Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se në stërvitjen e sotme ekipi ishte i plotë, pasi janë bashkuar edhe tre lojtarët e fundit, ndërkohë që të gjithë lojtarët ndodhen në gjendje të mirë fizike.
“Fokusi i stërvitjes ishte te skemat taktike dhe goditjet standard”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
Ditën e nesërme, kombëtarja shqiptare do të udhëtojë drejt Varshavës, ku në mbërritje do të zhvillojë stërvitjen zyrtare në stadiumin “PGE Narodoëy” në orën 18:00.
Ndërkohë, në orën 17:00, trajneri Sylvinho dhe një lojtar i kombëtares do të dalin para mediave në konferencën për shtyp.
Ndeshja Poloni – Shqipëri do të luhet të enjten e 26 marsit, me fillim nga ora 20:45./GazetaExpress/