Kombëtarja e Kosovës mëngjesin e së hënës e ka nisur grumbullimin e saj, para ndeshjes historike ndaj Sllovakisë.
Kjo ndeshje do të luhet në kuadër të gjysmëfinales së “play-offit” për Botëror, shkruan “Gazeta Express”.
Pasdite, djelmoshat dardanë janë paraqitur në seancën e parë stërvitore të këtij muaji, e udhëhequr nga selektori Franco Foda.
Trajneri gjerman kishte 19 futbollistë të gatshëm për stërvitje sonte, teksa gjashtë të tjerë vazhduan përgatitjet në palestër, pasi kishin ndeshje të dielën.
“Dardanët janë paraqitur të motivuar dhe me energji të lartë në seancën e parë stërvitore në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, duke reflektuar seriozitetin dhe përkushtimin për këtë sfidë të rëndësishme”, shkruan Federata e Futbollit e Kosovës në “Facebook”.
Kosova do të stërvitet edhe nesër në atdhe, me fillim nga ora 11:00, teksa të mërkurën do të marrë rrugën për në Bratisllavë.
Me 26 mars, Kosova do të jetë mysafire e Sllovakisë, me ndeshjen që nis nga ora 20:45.
Fituesi i kësaj përballje do të luajë me fituesin e takimit Turqi – Rumani./GazetaExpress/