Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ofron dorëheqjen te Presidentja - Gazeta Express

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ofron dorëheqjen te Presidentja

Lajme

Gazeta Express

30/11/2021 10:48

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka ofruar dorëheqjen nga posti i tij, raporton Express

Burime të Express brenda Ministrisë së Mbrojtjes kanë konfirmuar se Rama tashmë ia ka ofruar dorëheqjen e tij Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.

Lexo Edhe:

Sipas këtyre burimeve, Rama ka shkuar në Presidencë bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, për ta ofruar dorëheqjen.

Ndryshe, para pak ditësh ishte paralajmëruar shkarkimi i Ramës nga pozita e komandantit të FSK-së.

Albanian Post duke u thirrur në burime pati raportuar se Rama pritet të shkarkohet për shkak të mospajtimeve mes tij dhe Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe se procedurat për shkarkimin e tij kanë nisur para dy muajsh.

Sipas këtyre raportimeve, mospajtimet midis komandantit të FSK-së dhe Ministrit të Mbrojtjes kanë arritur pikën kritike më 18 shtator, dy netë para aksionit të Policisë së Kosovës për të vendosur reciprocitetin për targat me Serbinë.

Mbrëmjen e 18 shtatorit, ministri Mehaj e ka urdhëruar komandën e Forcës së Sigurisë të Kosovës që FSK-ja t’i lyejë katër automjete të blinduara ushtarake M1117 ASV, pronë e FSK-së, me ngjyrë të kaltër, me arsyetimin se do të përdoreshin në mbështetje të aksionit të policisë në veri të vendit.

Lidhur me këto raportime është deklaruar edhe vetë Rama.

Në emisionin Pressing në T7, ai ka thënë se ende nuk ka pranuar asgjë zyrtare nga Qeveria.

“S’kam pranuar asgjë zyrtare nga qeveria”, pati deklaruar ai./GazetaExpress/