Gazeta amerikane “Politico” të enjten ka raportuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke kërkuar reduktim trupash në disa shtete, përfshirë edhe Republikën e Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Sipas gazetës në fjalë, SHBA-të kanë lobuar në muajt e fundit për të zvogëluar operacionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-in.
Megjithatë, nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuar të Amerikës në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se nuk kanë ndonjë ndryshim të pozicionimit të trupave për të deklaruar aktualisht.
“Ne e morëm pyetjen tuaj në lidhje me reduktimin e trupave.Ne në Komandën Evropiane të SHBA-së nuk kemi ndryshime në Qëndrimin e Forcave për të njoftuar tani për tani”, ka thënë për Gazetën Express, Sherrie F Schlaht, nga Komanda Evropiane e SHBA-së.
Se nuk kanë ndonjë plan për të ndryshuar qëndrimin e forcave amerikane të cilat gjenden në Kosovë në kuadër të KFOR-it e kanë thënë për Express edhe nga Pentagoni.
Një zëdhënës i këtij institucioni amerikan ka thënë se s’kanë ndonjë ndryshim për të deklaruar.
“Nuk kemi ndryshime në stacionimin e forcës sonë për të njoftuar sot”, ka thënë të enjten një zëdhënës i Pentagonit për Gazetën Express.
S’e nuk priten ndryshime në përbërjen e KFOR-it, e kanë thënë për Express edhe nga NATO.
“Forca dhe qëndrimi i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, ndërsa rrethanat evoluojnë, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin. Aktualisht, nuk ka ndryshime të rëndësishme në shqyrtim”, ka thënë një zëdhënës i NATO-s të enjten për Express.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas të dhënave zyrtare të KFOR-it, kanë në Kosovë 590 ushtarë aktiv, duke u renditur si shteti i dytë që ka ushtarë më së shumti në Kosovë, pas Italisë me 907./GazetaExpress/