Kolegji Zgjedhor Gjyqësor ka rrëzuar sot kërkesë-padinë e deputetes demokrate të kësaj legjislature për qarkun e Durrësit, Andia Ulliri dhe nuk e legjitimon si palë paditëse, pas ankimimit të saj ku kërkon mandatin e deputetes si kandidate për zgjedhjet e 11 majit, nga kuotat gjinore për atë qark,
Kolegji Zgjedhor Gjyqësor pasi mori në shqyrtim kërkesë padinë e kandidates së koalicionit PD-ASHM në qarkun e Durrësit, Andia Ullrii, vendosi pushimin e gjykimit të çështjes, për shkak të mungesës së legjitimitetit të paditëses.
Deputetja e PD pas daljes nga Kolegji tha se, “pas kësaj seance ndjej keqardhjen se si u trajtua kjo seancë, pavarësisht pretendimeve ligjore që nuk ishin me vend, siç ishte vendimi se ne nuk jemi palë e legjitimuar, ndërkohë që kaluan dy seanca në KAS e KQZ ku jemi legjitimuar si palë e interesuar dhe sot kuptuam se një pjesë e kësaj drejtësie që ne aspirojmë mungon dhe nuk mund të bësh as pretendime ligjore”.
Ulliri ishte rrëzuar edhe më herët nga KQZ dhe nga KAS-i, pasi sipas tyre kuotat gjinore janë respektuar brenda listës së mbyllur dhe të hapur të qarkut të Durrësit dhe nuk mund të konsiderohen të dy listat si një e tërë, siç pretendon ankimuesja.
Pra, sipas KAS-it, që Ulliri të kishte të drejtë në pretendimin e saj, duhet që të ishin tre deputetë burra në listën e hapur të zgjedhur dhe ajo të bënte betejën ligjore për ta marrë mandatin e kandidatit të tretë.