KOK-u respekton qëndrimin e IOC-së për Olimpiadën e Tokios - Gazeta Express
string(58) "kok-u-respekton-qendrimin-e-ioc-se-per-olimpiaden-e-tokios"

KOK-u respekton qëndrimin e IOC-së për Olimpiadën e Tokios

Gazeta Express

20/03/2020 20:56

Vazhdojnë të shtohen zërat që Lojërat Olimpike “Tokio 2020” të shtyhen për vitin tjetër, për shkak të përhapjes së madhe të koronavirusit.

Të premten një qëndrim të tillë e kanë shprehur drejtuesit e Komitetit Olimpik të Sllovenisë, ndërsa Komiteti Olimpik i Norvegjisë ka kërkuar zyrtarisht që Olimpiada mos të organizohet pa u kaluar plotësisht situata me koronavirus.

Lexo Edhe:

Ndërkohë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka vlerësuar se nuk ka arsye për masa drastike, duke bërë të ditur se planifikon të organizojë ngjarjen më të madhe sportive ashtu si është planifikuar (24 korrik – 9 gusht).

Këtë qëndrim të IOC-së e respekton Komiteti Olimpik i Kosovës.

Kosova synon të dërgoj në Tokio ekip me më shumë se dhjetë sportistë. Po ashtu synohen medalje. Për KOK-un, paraqitja e denjë në Olimpiadë është prioritet.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani ka thënë për Kohen se shëndeti i sportistëve është në rend të parë.

“Dy ditë më parë, nën udhëheqjen e Presidentit Thomas Bach, u mbajt një video-konferencë me 50 Komitetet Olimpike Nacionale të Evropës. Qëndrimi i Bachut dhe i Bordit Ekzekutiv të IOC-së është që tani nuk është koha dhe nuk ka nevojë për masa drastike, siç është shtyrja apo anulimi i Lojërave Olimpike ‘Tokio 2020’. Situata përcillet në baza ditore. IOC-ja është në koordinim të plotë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Është formuar një task-forcë, ndërsa ka mbetur që konsultimet të jenë më të shpeshta. Të gjithë votuam për këto qëndrime, duke përfshirë edhe Komitetin Olimpik të Italisë”, ka thënë Besim Hasani.

Ai ka treguar se i pari i IOC-së ka mbajtur video-konferenca edhe me drejtuesit e federatave ndërkombëtare dhe me sportistët olimpistë.

“Shëndeti i sportistëve është në rend të parë. Ata duhet të ndihmohen dhe t’iu mundësohet të ushtrojnë, kur kjo është e mundur. Dhëntë Zoti që njerëzimi ta fitojë këtë betejë me sa më pak humbje”, ka shtuar Hasani.

Aktualisht ekipi i Kosovës në boks është në karantinë në Prishtinë, ku pritet të qëndrojë për 14 ditë. Boksierët morën pjesë në një turne kualifikues olimpik në Londër, që mbeti në gjysmë për shkak të përhapjes së koronavirusit. Boksierët po bëjnë apel që të lirohen nga karantina në mënyrë që të kthehen në shtëpi dhe të vazhdojnë me stërvitje. Një stërvitje e tyre në oborr të konvikteve është ndërprerë të premten në mëngjes.

Të izoluar në palestrën e tyre në Pejë po qëndrojnë xhudistët. Ata po vazhdojnë stërvitjet për ngjarjet e këtij viti, që nuk dihet se kur do të vazhdojnë. Pritjet janë që xhudistët të fitojnë medalje për Kosovën në “Tokio 2020”.

Të premten Thomas Bach ka deklaruar se skenarë tjerë do të shqyrtohen, por nuk ka dashur të spekulojë nëse Lojërat Olimpike mund të shtyhen.

Ka pasur thirrje të shumta për IOC-në në ditët e fundit që Olimpiada të shtyhet.