“Kohë për rrëfim”, akt jehone - Gazeta Express
string(26) "kohe-per-rrefim-akt-jehone"

Arte

Gazeta Express

21/06/2021 15:16

“Kohë për rrëfim”, akt jehone

Arte

Gazeta Express

21/06/2021 15:16

Gjatë leximit të “Rrëfimit” zëri i autorit sjell imazhe të një kohe tjetër, ku shfaqen kontributet emancipuese të një mjeshtri të madh. Sjell kënaqsi, kuriozitet e frymëzim te lexuesi si shkrimtar thellësisht bashkëpunues, që shkruan jo për ta impresionuar atë, por për të krijuar një lidhje të ngushtë shkrimtar- lexues

Minella Aleksi

Lexo Edhe:

Të sjellësh rrëfimet e një shkrimtari të rëndësishëm përbën një sfidë krijuese. Është si të bashkosh pjesët e një mozaiku, të krijosh një rregull që nuk është rend kronologjik – është rend emocional dhe interpretim kuptimor psikologjik, një konfigurim i njohjeve, i mbresave të forta e të paharruara, i situatave që aktivizohen dhe stimulojnë shprehjen e tyre.

Ky dimension emocional dhe psikologjik është vetë pëlhura e jetës krijuese, e cila është e pandashme edhe nga aspektet më të zakonshme të jetës së një artisti. Është një histori për të kuptuar jetën krijuese të një shkrimtari të rëndësishëm, si një histori që bën jehonë me dhe për  të tjerët. Për shkrimtarin “Rrëfimi” ka diçka më shumë sesa gjetja e “paqes” me veten, një marrëveshje vetpajtuese në bisedën e egos me vetveten, që e shtyn autorin krijues të hapë zemrën dhe “plagët” e veta ndaj lexuesve. Substanca enigmatike e asaj diçka-je pse e  ekspozon  veten, por edhe të tjerët në emër të letërsisë. Pyetjet dhe përgjigjet nënkuptojnë atë që duket se do të thonë … domethënë, se nuk ka kuptime të fshehura. Kemi përpara jetën e rrëfyer nga shkrimtari, i cili ka marrë përgjegjësinë e plotë për veprimet dhe zgjedhjet krijuese të artit të tij. Harmonizohet intelekti i ftohtë racional me aspekte afektive emocionuese të jetës si artist.

Intervistuesja, Alda Bardhyli, ka pasur vëmëndjen e duhur kur ka zgjedhur shumicën e pyetjeve me fund të hapur, të cilat mundësojnë dhe nxisin  përgjigje në terma të gjatë shpjegues. E ka sjellë shkrimtarin jashtë nga realiteti izolues kreativ, duke na dhënë jetën e tij në formë letrare.

Në libër nëpërmjet pyetje – përgjigjeve rizgjohet atmosfera kur në vitet 60-80 – të, botimet e librave të shkrimtarit Kadare përbënin ngjarje për shoqërinë komuniste shqiptare thellësisht kolektiviste, shkaktonin tronditje në kondicionin shpirtëror të masës së lexuesve.

Atmosfera e “Rrëfimit” risjell përshkrimet e dy kulturave, të dy botëve që gjejmë në romanet e Kadaresë,  si raportet e karaktereve në shoqërinë kolektiviste komuniste ashtu edhe atmosferën e raporteve të personazheve, si indivudualiteteve me “Unin” e tyre. Mendoj se te romanet e Kadaresë shqiptarët gjetën dhe njohën veten, gjetën si njeriun e “ kolektivizuar në tufën komuniste” që me nxitjen dhe mbështetjen e sistemit ndërhynte në aspektet intime të jetëve të të tjerëve, ashtu edhe njeriun që tentonte t’i shmangej “tufës”, të ishte individualisht vetvetja. I gjetën të dy kategoritë njerëzore, me të gjitha cenet karakteriale, por dhe me virtutet njerëzore shqiptare.

Edhe njëherë, “Rëfimi” dëshmon se Kadare është shkrimtari që eksploron, që penetron thellë e pa pushim në marrëdhëniet e karaktereve njerëzore, marrëdhënie që shihen dhe interpretohen në nivel shumëdimensional. Përshkruan mjeshtërisht jo vetëm sesi mendon personazhi, por depërton në nënvetëdijen e tij, aty ku nis e zhvillohet proçesi i të menduarit. Çdo roman i tij është dhe lejon një shumësi leximi. Nuk të thotë se çfarë duhet të mendosh apo se çfarë të besosh, ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë që e bëjnë. Ngjalli reagim negativ një përgjigje e shkrimtarit lidhur me personazhet femra në veprat e tij. Motiv i reagimit si i kërkuar me lente zmadhuese e jashtë kontekstit.

Mendoj se vepra letrare e Kadaresë përmban një shumicë personazhesh gra që dallojnë për individualitete interesante, komplekse, të ndërlikuara, që zhvillohen në libra si individë me personalitet jashtë “tufës kolektiviste”, e që janë shprehje e zërit individual feminist në shoqërinë shqiptare.

Personazhet femra, gra komplekse që banojnë në botët e formuara nga shkrimtari, janë ato që “bëjnë jetë” në vepra e tij në prozë, po aq, e shpesh më shumë, sesa realisht konteksti i botës së tyre reale. Në këtë mënyrë, personazhet gra me kontradiktat zhvilluese dhe emancipuese largohen nga faqja e librit dhe shkojnë në mendjen e lexuesit, duke lënë një përshtypje të qëndrueshme respekti dhe admirimi – si fosilet e ruajtura për shumë vite, krahasuar me një gjurmë në baltë, që lahet nga ujrat dhe shkatërrohet nga rrezet e diellit. Fuqia e jashtëzakonshme e talentit, e vëzhgimit dhe e depërtimit i dhanë shkrimtarit Kadare një shkallë të gjykimit që fjalës shqipe dhe kulturës shqiptare i është dashur një shekull pasues për t’a arritur. Ky mendoj se është konteksti në të cilin duhet arsyetuar dhe gjykuar mbi “aspektet e formave alternative të vështrimit të gruas, se çfarë do të thotë respekt i vërtetë për gruan dhe barazinë kulturore, politike, ekonomike e shoqërore të saj me burrin”. Mendoj se parë jashtë këtij konteksti dhe devijimi i diskutimit në etiketime personale, jo etike ndaj shkrimtarit, nuk janë ndonjë vlerë e shtuar në kontekstin që janë bërë, përkundrazi.

Gjatë leximit të “Rrëfimit” zëri i autorit sjell imazhe të një kohe tjetër, ku shfaqen kontributet emancipuese të një mjeshtri të madh. Sjell kënaqsi, kuriozitet e frymëzim te lexuesi si shkrimtar thellësisht bashkëpunues, që shkruan jo për t’a impresionuar atë, por për të krijuar një lidhje të ngushtë shkrimtar- lexues. Thellësisht imagjinativ që i shtyn limitet në vazhdimësi e pasuron përvojën e lexuesit, e nxit të rilexojë veprën dhe të diskutojë. Zëri i autorit që rrëfën është ura që bashkëlidh shpirtin e shkrimtarit me shpirtin e lexuesit. Një përmbledhje impresionuese e depërtimit në jetën krijuese dhe dimensionet filozofike të veprës letrare, se si dhe pse magnetizmi i rrëfimeve funksionon dhe “punon-godet” mbi lexuesit.Edhe një herë, më shumëka provuar se letërsia është forca tronditëse e qënies njerëzore.