Koha kur është ndalur koha - Gazeta Express
string(26) "koha-kur-eshte-ndalur-koha"

Gazeta Express

02/05/2020 10:45

Koha kur është ndalur koha

Gazeta Express

02/05/2020 10:45

Shkruan: Arbër Halilaj

Ne po jetojmë në një kohë të çuditshme, të papërjetuar më parë. Sikur nëpër filma horror, është përhapë një virus në dukje i parrezikshëm dhe i zakonshëm, por i panjohur më parë dhe që e ka ndryshuar mënyrën e jetesës sonë, perceptimin e sigurisë dhe shëndetit publik. E gjithë bota është ndalur, bllokuar dhe po përqëndrohet në luftën kundër pandemisë së shpallur të koronavirusit. Deri sot, rreth 3.2 milion njerëz e kanë kontraktuar sëmundjen dhe 220 mijë prej tyre kanë vdekur. Është e trishtë kur jetërat e humbura njerëzore shndërrohen në numra apo statistika ditore, kur dihet se secili prej tyre ka lënë familje, plane e ëndërra jetësore, të cilat janë prishur. Virusi befasoi çdo sektor të shoqërisë njerëzore, sidomos kollapsuan sistemet shëndetësore edhe në disa prej shteteve më të zhvilluara. Përditshmëria jonë është thjeshtësuar dhe kufizuar në rregullat: laj duart shpesh, mbaje distancën sociale, rri në shtëpi!

Lexo Edhe:

Ajo që shihet, në përgjithësi, është se bota ka ndryshuar në një mënyrë që e bën më të vështirë menaxhimin e pandemisë – dhe disa nga gabimet që e rrisin përhapjen e virusit tashmë kanë ndodhur. Pandemia ka shpërfaqë gjithashtu dobësi të nivelit botëror: megjithëse ka organe të dedikuara për koordinimin global, veçanërisht OBSH-ja, shtetet i kanë dhënë përparësi strategjive vetanake në këtë kohë krize, para koordinimit dhe reagimit ndërkombëtar.  Edhe brenda Bashkimit Evropian, vendet kanë marrë vendime të pavarura për t’iu përgjigjur përhapjes së corona virusit. Sidoqoftë, shqetësimi se ky virus është ende jashtë kontrollit dhe se do të jetë me ne edhe në të ardhmën, ka shkaktuar garën globale për të gjetur një vaksinë, që del të jetë një nga strategjitë më të qarta për të shpëtuar jetërat e njerëzve nga infeksione te ketilla.

Njerëzit presin të hutuar çfarë do të bëhet në ditët, javët dhe muajt në vijim, duke qëndruar në karantinë kolektive bashkë me 2,7-3 miliard njerëz tjerë në shumë vende të botës si dhe duke aplikuar distancimin social. Ne kosovarët, që deri më 13 Mars përqafoheshim e shtrëngonim duart me sa e sa njerëz në ditë, për një moment detyrohemi të aplikojmë distancimin social si preventivë!

Gjatë kësaj mbylljeje të detyruar, rutina jonë e zakonshme është zhdukur dhe koha sikur është ndalur. Shkolla të mbyllura, kafiteri e restorane nën dry, transport e biznese që kanë anuluar punën, njerëz që me shumicë nuk punojnë, duket sikur apokalipsa është duke ndodhur tani dhe para hundëve tona!

S’ka rëndësi tani a u “ngjiz” në mënyrë natyrale ky virus i panjohur deri më tani dhe kaloi nga lakuriqët tek njeriu; a doli nga kontrolli si pasojë e ndonjë eksperimenti laboratorik që shkoi keq; a është pjesë e luftës biologjike apo komplotit në mes superfuqive; a është plan i masonëve, i Bill Gates, Elon Musk, industrisë farmaceutike etj. , por e vërteta është se një “gjallesë” mikroskopike arriti ta sundojë qe sa muaj një botë të tërë, duke pasur të panjohurën dhe frikën brenda vetes!

Ditët e javët po rrjedhin sikur të ishin binjake me njëra-tjetrën, pa dalje e shëtitje të zakonshme, përveç për gjërat më elementare dhe në orare të caktuara të lëvizjes. Kjo ma kujton filmin “Ikja nga Alkatrazi” ku luan Klint Istvud i njohur dhe ku të burgosurit dalin në shëtitje në orë dhe hapësirë të caktuar të oborrit. Me gjithë sigurinë e lartë, Istvud dhe dy të tjerë arrijnë të ikin nga Alkatraz, i cili pas disa muajsh nga ngjarja u mbyll si burg famëkeq! Me “ikjen” e virusit Corona, besoj që edhe ne ta mbyllim këtë periudhë të rëndë jetësore dhe të vazhdojmë me një “normalitet të ri”, të cilin nuk e dijmë si do të jetë dhe sa do të zgjasë!

Si ta formësojmë ditën kur e ardhmja është pa formë dhe ditët janë pa emër, kjo është sfida tani! Edhe pse pas këtyre 5-6 javëve të kaluara në karantinë duket se ka filluar zbutja, nuk i dihet nëse virusi do të vazhdojë të zemërohet me javë, muaj apo vite, larg qoftë!

Një gjë dihet sigurtë: do të zgjasë bukur shumë, derisa të ndihemi përsëri të sigurtë.  Shumë prej nesh, përveç atyre rebelëve “trima” që nuk duan kufizime e rregulla nga një virus, do të mbesim të shoqëruar nga frika. Dilema mbetet, a është një grip më i fortë apo një virus që po shkakton edhe pneumoni dhe dëmtime të pariparueshme në mushkëri?!

Por, njeriu është qenie e pamposhtur dhe e prirur për të dalë domosdo edhe nga labirinthet më të komplikuara nëpër të cilat e shëtitë jeta. Për kohë të shkurtër dhe duke iu falënderuar Internetit e zhvillimeve teknologjike, u organizua mësimi online, si zëvendësim i mësimit klasik nëpër klasa. Sa performancat artistike po i shohim, veçmas ato muzikore në internet, sikur për t’i thënë virusit se ne edhe të mbyllur krijojmë vlera artistike, së paku për të mos e harruar normalitetin dhe për të dëshmuar se shpirti artistik nuk nënshtrohet. Në çdo rast, në video-paraqitje, emisione, debate, rrjete sociale etj. kurrë nuk e harrojmë falenderimin e përhershëm ndaj mjekëve, infermierëve, stafit tjetër medicinal, zjarrëfikësve, policëve, ushtrisë, punëtorëve në markete e furra, çdokujt që po punon në mënyrë që neve që po detyrohemi “të rrijmë” të mos na mungojë pothuajse asgjë! Ndoshta, kjo krizë botërore do të na bëj që këta njerëz dhe secilin zyrtar me të cilin ndërveprojmë apo komunikojmë, tani e tutje t’i vlerësojmë e respektojmë më tepër! Jo vetëm kur jemi në zor për ta, por gjithmonë!

Në këto rrethana, kur ekonomia u bllokua dhe asgjë nuk funksionon, kriza humanitare vjen poaq shpejt si virusi apo njësoj sikur hienat që bëhen bashkë kur e vërejnë gjahun e plandosur në tokë. Njerëzit e shtresave me gjendje më të vështirë ekonomike, që hiq pa virusin kanë pasë mjaft telashe, këtë krizë e përjetojnë që nga ditët e para. Por, ne si popull jemi solidar dhe sidomos në rrethana të këtilla të ngjashme me një luftë botërore, vetorganizohemi dhe gjithmonë ai që ka më tepër e ndanë ushqimin dhe gjësendet e nevojshme me ata që nuk kanë. Pavarësisht që ndihmon edhe shteti, shpirti human i shqiptarit vëhet vet në lëvizje. Kjo më bën krenar, meqë duke shfletuar internetin, shoh shumë organizime të tilla vullnetare të grupeve e individëve për të ndihmuar tjetrin në nevojë. Është kjo edhe një dëshmi që jemi njerëz të kalitur nëpër vështirësi dhe që ende kemi ndjenja të humanizmit e solidaritetit. Ju lumtë!

Përveç leximit të lajmeve e informatave, që është bërë rutinë ditore, filmat dhe muzika më shoqërojnë çdo ditë, aq më tepër kur dy djemtë e mi Loriku e Etriti janë të pasionuar pas muzikës. Ata vendosën që të martën e 7 Prillit, natën vonë të bëjnë një performancë muzikore këndimi për rreth 40 minuta nga dhoma e tyre, e që na kënaqi dhe na e theu monotoninë e rëndë. Të njejtën “shfaqje” ne e ndamë me të tjerët publikisht në Facebook. Donim që edhe ne si familje të krijojmë një festë të vogël, pikërisht në kohën kur nuk ka çka të festohet, e të njejtën ta përjetojnë miqtë tanë përmes internetit.

Besoj që njeriun e bëjnë të fortë situatat e vështira si kjo, sikurse që valët e trazuara e bëjnë një marinar të zotin. Njeriu nuk mund të mbyllet gjatë brenda katër mureve dhe vetëm të gjallërojë, të ekzistojë, sepse njeriu si qenie e zgjuar dhe e fortë i krijon vet mundësitë, pa pritur që ato të krijohen vetvetiu! Në këtë vazhdë ishte edhe koncerti madhështor i mjeshtrit të këngës së lehtë, Sabri Fejzullahut, që përkundër mbajtjes në rrethana të çuditshme të pandemisë, në Stadiumin e zbrazët të Prishtinës, na ngrohu zemrat dhe na e shtoi moralin në çdo familje shqiptare.

Pavarësisht që po kalojmë situatë të paprovuar më parë, ku jetën nuk ta rrezikon lufta e armiku, por një armik i padukshëm si virusi, duhet gjetur forcë dhe vetes e familjes t’i thuhet me qetësi ajo shprehja pozitive se “edhe kjo kalon”. Pas çdo periudhe me shi, lind dielli; çdo përpjetë, e ka gjithmonë edhe tatëpjetën. Sfida ime kur po zgjohem bukur vonë nga gjumi, meqë zakonisht po rrijmë deri natën vonë, po mbetet si të planifikoj dhe organizoj ditët, duke iu dhënë përmbajtje paksa të ndryshme nga njëra-tjetra. Në një situatë të këtillë, kur ditëve po ua harrojmë edhe emrat duke mos na u kujtuar cila ditë është sot, kjo po duket bukur e vështirë. Nuk është se e di apo mund ta parashikoj çfarë do të sjellë e ardhmja, por frika ime për atë që do të vijë është pak më e përmbajtur. Do të isha shumë më optimist për këtë të ardhme sikur Kosova gjatë tërë pandemisë, të ishte e çliruar nga problemet politike. Sapo filloi punën “Qeveria e ndryshimit” siç e quanin gjysma e votuesve kosovarë, e në të njejtën kohë u shfaq corona virusi, më shumë kemi parë përplasje politike për pushtet, sesa që kemi dëgjuar mjekë epidemiolog apo emisione lidhur me pandeminë. Nuk dua t’i analizojë këtu, edhe pse e kam qëndrimin tim, por e vërteta është që jemi popull i çuditshëm. Vetëm neve na ndodh që kur jemi në rreziqe të mëdha dhe udhëkryqe historike, ta vëjmë politikën para jetës së njerëzve. Sui generis!

Pandemia si kjo që bllokoi një botë të tërë, është moment reflektimi për shumë çështje në jetë, të cilat nuk do t’i vlerësojmë me të njëjten çasje si më parë. Besoj se shumë më tepër do të çmohet liria, familja, puna, argëtimi, përgjegjësia sociale, respekti ndaj tjetrit etj. vlera këto që bukur shumë u patën devalvuar dhe neglizhuar. Por, në çdo rast, pasi të dalim gradualisht nga kjo krizë, mendjet dhe lutjet tona së pari duhet të shkojnë tek familjet e të vdekurve, që deri tani kur po shkruaj janë 22 sish. Gjithçka mund të diskutojmë e analizojmë rreth pandemisë  dhe jetës pas saj, por ata që nuk ia dolën në këtë luftë, nuk i kthen askush në jetë! Nëse ka ndonjë uratë apo lutje kur përmendim këtë pandemi, më e qëlluara do të ishte: shkoftë e mos u ktheftë!