Besoj se çlirimtarët tanë do ta fitojnë betejën e tyre përfundimtare. Çdo epilog tjetër do të ishte fatal.
Shkruan: Ganimete Musliu
Për mundësinë e krijimit të një gjykate speciale për hetimin e krimeve të kryera nga ushtria jonë çlirimtare mësova fillimisht gjatë një interviste për Gazetën Ekspres. Reagimi im fillestar kundër idesë se na duhej një gjykate speciale që mund të burgoste pikërisht njerëzit që na sollën lirinë, ishte instinktiv dhe me buroi nga thellësia e qenies sime.
Më vonë, kur kjo ide u formësua dhe u soll në Kuvendin e Kosovës për t´u votuar, unë e deklarova hapur dhe prerë se nuk mund ta mbështes. Ajo që kishte nisur si një reagim instinktiv, deri në atë moment, kishte evoluar në një pozicion të mirëmenduar.
Në mesin e atyre që kishin të njëjtin qëndrim si unë, ishin vetëm katër ose pesë deputetë, disa nga miqtë e mi më të ngushtë dhe familjarët.
Shoqëria jonë vazhdimisht dhe nga të gjitha anët bombardohej nga propaganda se kjo gjykatë ishte e nevojshme për të siguruar “pastërtinë” e luftës sonë për liri – lirinë që na ishte mohuar me shekuj, por që, në dreq të mallkuar, e kishim hak nga Zoti.
Argumenti kryesor për ngritjen e kësaj gjykate ishte pretendimi se na duhej të “pastronim” të kaluarën tonë. Më tingëllonte e palogjikshme pasi që për mua e kaluara jonë ishte po aq e pastër sa gjaku i derdhur me shekuj të tërë.
Ky këndveshtrim më çoi në një hetim më të thellë për motivet e fshehura pas lobimit në këtë gjykatë. Çdo paraqitje të atyre që ishin ngarkuar të mblidhnin dëshmitë, e dëgjoja dhe e deshifroja me shumë kujdes. Një ndjenjë se qëllimi ishte formësuar nga Serbia dhe kundërshtarët e brendshëm të historisë dhe sovranitetit tonë, më përcillte si hije dhe bëhëj çdo ditë e më e fortë.
Më kujtohen të gjitha kritikat dhe thashethemet me të cilat u përballa në atë kohë. Disa më quanin injorante, ndërsa të tjerë pëshpërisnin skutave se po bëja vetëvrasje politike. Më etiketuan refuzuese të drejtësisë dhe të pabindur ndaj “shefit”. Asgjë dhe askush nuk e zbehu ndjenjën që kisha brenda meje dhe vendimin tim për t´i thënë JO çdo gjykate që tenton të na përbaltë historinë.
Sot, çuditërisht, numri i atyre që janë bashkuar me pikëpamjen time për këtë gjykatë është shtuar. Por, me keqardhje të madhe, më duhet të them se ndryshimi i përspektivës së tyre ka ardhur shumë vonë – dhe është i paefektshëm ndaj asaj që Haga po na ofron: një proces të njëanshëm dhe të padrejtë.
Në atë kohë, isha e pafuqishme për ta ndaluar, edhe pse isha e bindur se, përfundimisht, koha do të më jepte të drejtë. Dhe tani, më shpejt nga sa e kisha parashikuar, koha e ka vërtetuar se kjo gjykatë nuk do të sjellë gjë tjetër veç padrejtësi.
Prandaj sot nuk do të hesht. Unë do të them se kjo gjykatë ka dështuar, se duhet të ndërpritet dhe se duhet të shërbejë si mësim për të ardhmen, si për ne ashtu edhe për ata që e sponsorizuan.
Në fund jam në paqe me ndërgjegjen time. Jam krenare për vendosmërinë time përballë sfidave që kam duruar dhe pasojave që kam vuajtur – pasoja për të cilat nuk kam kërkuar kurrë mëshirë. Ishte një vendim i vështirë, por i duhuri për mua dhe, edhe kur u ndëshkova dhe në disavantazh, e ndjeja se po bëja gjënë e duhur.
E di që u kam qëndruar besnik parimeve dhe vlerave që i mbroj dhe që i përfaqësoj.
Në fund të fundit, çdo nuancë e atij procesi të stërngarkuar, më dha forcë të di se sido që të jetë, unë mund të vazhdoj e fortë dhe e palëkundur në atë që besoj. Këtë besim ma forcuan edhe më shumë ata njerëzit e zakonshëm të vendit tim që më mbështesin dhe më nxjerrin fituese në çdo garë. Prandaj, përulësia ime u përket vetëm atyre: të thjeshtëve, patriotëve dhe të paepurve.
Le të vazhdojmë së bashku me kurrizin drejt dhe ballin lart. Të drejtët sprovohen, por gjithmonë triumfojnë.