Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës më 26 nëntor u hap ekspozita dokumentare “Koha e shndërrimit: Kosova 1968–1981 – dokumente dhe dëshmi”, e realizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, me rastin e Festës së Flamurit. Ekspozita sjell një përzgjedhje të gjerë dokumentesh arkivore që ndriçojnë një periudhë thelbësore të historisë së Kosovës, kur ndryshimet shoqërore dhe kërkesa për të drejta u artikuluan me më shumë forcë dhe qartësi.
Ngjarja u hap nga U.D. Drejtori Ekzekutiv i ASHAK-ut, z. Bekim Aliu, i cili nënvizoi peshën historike të viteve 1968–1981 dhe theksoi se dokumentet e kësaj ekspozite “na ndihmojnë ta shohim veten më qartë”, duke sjellë për publikun një pasqyrë të sinqertë të transformimeve të kohës.
Me një fjalë rasti iu drejtua të pranishmëve edhe Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, znj. Blerina Rogova Gaxha, e cila vuri në pah rolin e institucionit në ruajtjen e kujtesës kolektive:
“Biblioteka Kombëtare mbetet vendi ku dokumentet marrin zë dhe historia rigjen kuptimin e saj. Kjo ekspozitë na rikujton se e kaluara nuk është vetëm për t’u ruajtur, por për t’u kuptuar dhe për t’u përdorur si themel në ndërtimin e të ardhmes.”
Ekspozita paraqet dokumente të rralla, materiale arkivore dhe fotografi që ilustrojnë transformimet shoqërore, politike dhe kulturore të viteve 1968–1981, një periudhë në të cilën qytetarët e Kosovës artikuluan me vendosmëri aspiratat e tyre për barazi, dinjitet dhe identitet kombëtar.
Tregu shqiptar i real estate ka hyrë në një fazë transformimi të thellë, ku projektet me vlerë të qëndrueshme,...