Shkruan Adri Nurellari
Kriza politike aktuale në Shqipëri të kujton menjëherë konceptin e interregnum, që përshkruhet nga Antonio Gramshi tek “Letrat nga Burgu”. Ai mendonte se kjo fazë, kur e vjetra po vdes dhe e reja nuk ka lindur ende, është pikërisht koha e përbindëshave. Interregnumi (sundimi i ndërmjetëm) përfaqëson një gjendje amullie historike ku busulla e një shoqërie pushon së funksionuari. Bëhet fjalë për një moment thyerjeje në kohë, kur struktura e vjetër që mbante rendin politik, ligjin, ekonominë dhe një lloj morali publik është kalbur dhe nuk arrin më të frymëzojë apo të drejtojë shoqërinë. Por, në të njëjtën kohë, forca e re që do të duhej ta zëvendësonte atë, nuk ka krijuar ende muskujt apo legjitimitetin e mjaftueshëm për të marrë frenat në dorë. Sipas tij, në këtë hapësirë të pasigurt mes dy rendeve, shfaqen dukuri të sëmura, shpërfytyrime dhe fenomene që në kohë normale do të dukeshin të paimagjinueshme.
Por, për të kuptuar plotësisht këtë moment historik, duhet të kthehemi edhe tek dy mendimtarë të tjerë të mëdhenj italianë të sociologjisë politike: Vilfredo Pareto dhe Gaetano Mosca. Historia, shkruante Pareto në fillim të shekullit XX, është një varrezë aristokracish. Elitat ngjiten në pushtet, konsolidojnë privilegjet, ndërtojnë rrjete dhe për një kohë duken të pathyeshme. Pastaj, gradualisht bëhen të ngurta, shkëputen nga realiteti dhe fillojnë të jetojnë më shumë për mbrojtjen e privilegjeve sesa për funksionimin e sistemit. Në atë moment fillon rënia e tyre. Historia është plot me elita që dikur dukeshin të përjetshme e pamposhtura dhe që sot ekzistojnë vetëm si gurë varri në kronikat politike.
Ky faktikisht nuk është një devijim i rrallë i historisë, por një ligj i saj. Kolegu bashkëkohës Mosca e përshkruante këtë realitet me një thjeshtësi edhe më të drejtpërdrejtë, duke thënë se në çdo shoqëri ekziston gjithmonë një pakicë që sundon dhe një shumicë që sundohet. Kjo elitë, që ai e quante klasa politike, kontrollon institucionet dhe vendimet kryesore të sistemit. Por ajo mbijeton vetëm nëse arrin të rinovohet, të ruajë një nivel të kënaqshëm kompetence, legjitimiteti dhe efikasiteti, si dhe ia del të hapet ndaj trendeve dhe energjive të reja të shoqërisë. Kur ajo mbyllet, kur shndërrohet në kastë dhe kur privilegjet bëhen më të rëndësishme se institucionet, sistemi fillon të kalbet nga brenda dhe gradualisht nis të shkojë drejt shpërbërjes.
Ky kuadër teorik i “interregnumit” gramshian dhe “varrezës së elitave” të Paretos nuk është thjesht një analizë akademike e pluhurosur e fillim-shekullit të kaluar, por një pasqyrë klinike e realitetit të sotshëm shqiptar. Simptomat e një sistemi në grahmat e fundit po bëhen gjithnjë e më të dukshme tek ne sot kur elita pushon së prodhuari progres dhe fillon të pjellë vetëm “përbindësha” (skandale, kriminalizim deri në palcë, korrupsion galopant dhe arrogancë institucionale). Në këto rrethana ajo pushon së qenuri elitë udhëheqëse por shndërrohet në një parazit që thith energjitë e fundit të një organizmi shoqëror të rraskapitur.
Ky moment shënon fundin e politikës si vizion dhe zëvendësimin e saj me një seri manovrash vetëmbrojtëse, ku çdo veprim synon vetëm të shtyjë të pashmangshmen dhe të sigurojë një “varkë shpëtimi” përpara shembjes totale. Këto nuk janë më vendime shtetërore, por lëvizje nervoze që ngjajnë me shkelmat e fundit të një sistemi që e ndien se toka po i rrëshqet nën këmbë. Të parë me këtë prizëm, zhvillimet e fundit në Shqipëri nuk janë më episode të izoluara politike, por pjesë e një modeli historik të parashikueshëm. Thënë ndryshe kur kasta e kupton se garancitë e vjetra kanë rënë, ajo kalon në një gjendje histerie vetëmbrojtëse.
Në këtë fazë agonike, zhvishet fasada e shtetit “modern” bien dhe ekspozohet instinkti i egër i mbijetesës së kastës. Një dëshmi brutale e këtij realiteti ishte vota në Parlament kundër kërkesës së SPAKut për heqjen e imunitetit të deputetes Balluku. Në këtë përplasje të hapur me drejtësinë, ranë përfundimisht maskat e reformës dhe “pasaportës evropiane”, duke ofruar shembullin më të qartë të përpëlitjeve të një kaste që mobilizohet për të mbrojtur veten.
Reagimi i parë tradicionalisht nuk është politik, por financiar sepse kur një kastë fillon të dyshojë se sistemi nuk është më i garantuar, kapitali fillon të kërkojë rrugë shpëtimi. Pasuritë transferohen në juridiksione të tjera, investimet zhvendosen dhe familjet krijojnë baza jashtë vendit. Ky fenomen është parë shumë herë në histori. Për shembull në Rusinë e viteve 2000 shumë oligarkë si Berezovski apo Abramoviç filluan të transferonin kapital dhe familje në Londër. Edhe në Shqipëri tashmë kanë dalë në mënyrë pompoze lajme se si sipërmarrësit e mëdhenj janë duke investuar në prona të mëdha në perëndim. Bashkë me kapitalin synohen edhe shtetësi të huaja si siguracion mbijetese. Kur figura të spikatura të elitës fillojnë të kërkojnë pasaporta të tjera dhe rezidencë jashtë vendit, transferojnë familjen atje, atëhere kemi të bëjmë me një tjetër shenjë klasike të historisë politike së përmbysjeve të elitave.
Një tjetër reagim mbijetese i klikës është ai kundër drejtësisë sikurse është parë nga të dy krahët sulmi ndaj SPAK-ut. Opozita e quan vegël të kryeministrit ndërsa qeveria e quan “qeverisje të prokurorëve”. Kur drejtësia fillon të prekë elitën, ajo rrallëherë përballet me argumente juridike por fillon një proces delegjitimimi i institucioneve që e hetojnë. Prokurorët akuzohen për politizim; hetimet quhen selektive dhe institucionet ligjzbatuese portretizohen si instrumente të kundërshtarëve politikë. Në Brazil, gjatë operacionit Lava Jato që prangosi edhe presidentin Lula e biznesmenë të mëdhenj, politikanët nga pothuajse të gjitha partitë i akuzuan hetuesit për ndërhyrje në politikë.
Një tjetër strategji tipike është përpjekjet për të ndryshuar rregullat e lojës në rrugë e sipër. Kur presioni juridik rritet, kastat politike shpesh përpiqen të ndryshojnë vetë rregullat e sistemit: ligje të reja, reforma të reja, ndryshime në kompetencat e institucioneve të drejtësisë. Rasti më klasik qe Rumania, ku Prokuroria Anti-Korrupsion (DNA përndryshe ekuivalenti i SPAK-ut tonë atje) po burgoste ish kryeministrin Nastase, dhjetëra ministra dhe kryebashkiakë. Qeveria e asaj kohe social-demokrate miratoi me urgjencë dekrete për të dekriminalizuar disa forma të korrupsionit dhe shkarkoi drejtuesen e DNA-së Kövesi. Ironikisht, pas shkarkimit në Rumani, Kövesi u zgjodh në 2019 nga BE-ja si kryeprokurorja e parë e Prokurorisë Publike Evropiane, ndërsa kreu socialist që e shkarkoi, Dragnea përfundoi në burg për korrupsion. Në Shqipëri u tentua diçka e ngjashme qoftë me “Komisioni Xhafaj” në 2024 që synonte “disiplinimin” e SPAK-ut dhe qoftë sivjet me nismën e lënë në mes nga grupi Parlamentar i PS-së për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale që mbrojnë ministrat dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë.
Për më tepër, kur informacionet implikuese fillojnë të dalin në publik, një nga reagimet e para të klikës është presioni ndaj medias. Gazetarët investigativë apo kritik që ekspozojne aferat portretizohen si instrumente politike, diskreditohen ose akuzohen për manipulim. Këtë e kemi parë me gjuhë denigruese duke i quajtur “kazan”, duke ndërmarrë linçime personale ndaj gazetarëve (si psh ndaj Fevziut dhe Lalës), duke i përjashtuar nga intervistat dhe eventet publike për “riedukim” (psh. Ambrozia Metës) apo bllokimi i “Focus Media Group”. Në disa raste, kur presioni bëhet i madh, reagimi bëhet edhe më dramatik dhe politikanë ose figura të fuqishme zgjedhin të largohen nga vendi për të shmangur proceset gjyqësore. Rasti i ish-kryeministrit të Maqedonisë Nikola Gruevski, i cili u arratisur në Hungari për të shmangur burgun, pasi u akuzua nga Prokuroria Speciale (SJO e mbështetur gjithashtu nga Perëndimi si SPAK-u ynë) është një nga shembujt më të njohur në rajon. Rasti ynë kryesor është i ish-zv/ kryeministrit Arben Ahmetaj.
Një tjetër simptomë e kësaj krisje është edhe ndryshimi në planin psikologjik ku sekretet që qarkullojnë si thashetheme fillojnë të bëhen publike. Në shumë sisteme politike hibride ekziston një mur heshtjeje ku shumë gjëra të rënda dihen, por nuk thuhen publikisht. Kjo heshtje është një nga mekanizmat kryesorë që mban në këmbë kastat abuzive të pushtetit. Kur sistemi fillon të lëkundet, ky mur fillon të thyhet dhe informacionet që dikur qarkullonin vetëm në korridore politike ose në tavolina private fillojnë të bëhen publike. Dosje që dikur mbeteshin të mbyllura fillojnë të qarkullojnë në institucione hetimore, në rrjete ndërkombëtare të bashkëpunimit ligjzbatues si dhe hera herës dalin edhe në media. Në këtë fazë ndodh diçka thelbësore frika fillon të zbehet për të përmendur sit ë përlyer emra njerëzish të fortë të krimit apo të biznesit. Për rrjedhojë sapo frika dobësohet, sistemi i vjetër fillon të humbasë një nga mekanizmat e tij kryesorë të kontrollit.
Këtu duhet theksuar se në fazat e stabilitetit, klikat politike funksionojnë përmes solidaritetit të brendshëm mirëpo kur sistemi fillon të lëkundet, ky solidaritet dobësohet. Fillojnë përçarjet, rrjedhjet e informacionit dhe konfliktet midis fraksioneve të së njëjtës elitë. Informacionet rrjedhin gjithnjë e më shpesh, dokumente, biseda dhe materiale që dikur mbaheshin të fshehta fillojnë të dalin në publik ose të qarkullojnë në rrjete hetimore apo mediatike.
Një tjetër simptomë është përdorimi i propagandës dhe narrativave konspirative për të delegjitimuar hetimet. Kur drejtësia fillon të prekë elitën, kastat politike shpesh përpiqen të krijojnë konfuzion në opinionin publik duke e paraqitur procesin si një komplot politik, një ndërhyrje të huaj ose një projekt për destabilizimin e vendit. Në vend që debati të përqendrohet tek faktet juridike, ai zhvendoset tek narrativa emocionale dhe polarizuese. Ky model është parë në shumë vende ku hetimet anti-korrupsion kanë prekur nivelet e larta të pushtetit siç është rasti i Kroacisë. Atje, gjatë hetimeve të prokurorisë speciale antikorrupsion USKOK (ekuivalenti kroat I SPAK-ut tonë), që çuan në arrestimin dhe dënimin e ish-kryeministrit Ivo Sanader për korrupsion, një pjesë e elitës politike dhe e mediave të afërta me të e paraqitën procesin si një përndjekje politike dhe si një përpjekje për të sakrifikuar disa figura politike për të kënaqur kërkesat e Brukselit për anëtarësim. Tek ne u ushqye me të madhe komploti sorosian si pjesë të një presioni të huaj që synonte të kufizonte sovranitetin kombëtar.
Këtu del në pah një tjetër simptomë klasike, kur presioni juridik rritet, shpesh aktivizohet një diskurs i fortë patriotik për të zhvendosur debatin nga përgjegjësia individuale tek mbrojtja e kombit. Hetimet dhe presioni ndërkombëtar portretizohen si sulm ndaj sovranitetit të vendit. Ky fenomen është parë në Hungari, Sllovaki, Bullgari apo Poloni ku kritikat e Bashkimit Evropian ndaj korrupsionit dhe mungesës së sundimit të ligjit janë paraqitur shpesh nga qeveritë respective abuzive si ndërhyrje në punët e brendshme të vendit.
Kur presioni ligjor brenda vendit rritet, figura të lidhura me elitën përpiqen të ndërtojnë lidhje jashtë vendit që mund të ofrojnë mbështetje politike, financiare ose juridike. Në disa raste kjo përfshin lobim në kancelari të rëndësishme perëndimore për të ndikuar perceptimin publik dhe politik për hetimet. Ky fenomen është dokumentuar në disa vende të Evropës Lindore dhe në Amerikën Latine, ku politikanë të akuzuar për korrupsion kanë investuar në lobim ndërkombëtar për të mbrojtur apo rehabilituar reputacionin e tyre. Dihet mirë që lobim ndërkombëtar kanë bërë të gjithë aktorët kryesorë politik tek ne.
Lista e simptomave dhe rasteve ilustrative mund të vazhdojë më gjatë por ajo që ka rëndësi është të theksohet fakti që historia na mëson se asnjë manovër e dëshpëruar nuk mund ta mbajë në këmbë një godinë që ka humbur themelet e saj morale dhe funksionale. Shqipëria e sotme nuk po përjeton krizën politike kalimtare të radhës, por po dëshmon dekompozimin e një kaste që ka konsumuar çdo legjitimitet. Ky “interregnum” i dhimbshëm, i mbushur me përbindësha dhe përpëlitje nervoze, është vetëm vërtetimi i ligjit të pamëshirshëm të Paretos se një kastë tjetër po hyn në varrezën historike të pushteteve që refuzuan të rinovohen. Pyetja sot nuk është më nëse kjo elitë do të bjerë apo jo, por se sa kosto do t’i faturojë shoqërisë në ikjen e saj dëshpëruese. Por, ashtu si çdo interregnum që ka një fund, edhe kjo periudhë e errët mbart brenda vetes nevojën urgjente për një rend të ri, i cili lind vetëm atëherë kur orvatjet e dëshpëruara të kastës mposhten nga vullneti i një shoqërie shoqëri që refuzon të ushqejë më tutje parazitët e fundit të tranzicionit.