“Kodi Penal”, Kuvendi pret propozimin e Ministrisë së Drejtësisë - Gazeta Express
string(61) "kodi-penal-kuvendi-pret-propozimin-e-ministrise-se-drejtesise"

Maqedoni

Gazeta Express

09/09/2025 16:58

“Kodi Penal”, Kuvendi pret propozimin e Ministrisë së Drejtësisë

Maqedoni

Gazeta Express

09/09/2025 16:58

Kuvendi vazhdon të presë Ministrinë e Drejtësisë për përpilimin e propozim-ndryshimeve të Kodit Penal të cilat i kërkon prej muajsh Gjykata Kushtetuese. Kreu i Kuvendit, Afrim Gashi, në takim me gazetarët, tha se Kuvendi ka pranuar shkresën e kreut të Kushtetueses, i cili ka kërkuar sqarime se deri në cilën fazë janë ndryshimet e Kodit Penal, përcjell Gazeta Express nga Alsat.

“Ne jemi duke përgatitur përgjigje dhe sot ose nesër do ta dorëzojmë edhe deri te kreu i Gjykatës Kushtetuese, edhe deri te Qeveria. Në përgjigjen tonë do të theksojmë se ne menjëherë kemi formuar grup pune dhe kemi kërkuar nga Qeveria që të formojë grup pune ose ta ripërpunojë ligjin sepse gjithsesi bëhet fjalë për materie që duhet ta përpunojë Ministria e Drejtësisë. Ne do të kërkojmë përgjigje nga Qeveria që të na tregojë sa më shpejt se deri ku është puna me Kodin Penal dhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese dhe sapo ta marrim atë propozim, do ta vendosim në procedurë dhe shpresoj se do ta miratojmë”, deklaroi Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.

Që po punohet rreth ndryshimeve të Kodit Penal ka paralajmëruar vazhdimisht edhe kryeministri.

Gjykata Kushtetuese vendosi në shkurt të këtij viti të fillojë një procedurë për të vlerësuar kushtetutshmërinë e ndryshimeve në Kodin Penal nga shtatori 2023, të cilat përfshinin uljen e dënimeve për zyrtarët. Ndryshimet rezultuan edhe me vjetërsimin e shumë lëndëve të korrupsionit të lartë. Gjykata shprehu dyshime serioze në lidhje me kushtetutshmërinë e ligjit të kontestuar në tërësi dhe vendosi t’i urdhërojë Parlamentit inkorporojë vërejtjet e Gjykatës brenda gjashtë muajve. Afatet kanë kaluar, por ndryshimet nuk janë bërë akoma.

Deri para fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale, Kuvendi ka paraparë vetëm edhe një seancë plenare në datën 12 shtator e cila do të fillojë me pyetje nga opozita dhe pastaj do të vazhdojë me deklaratën e përbashkët të partive parlamentare për zgjedhje demokratike.

Zgjedhjet duket se do të ndodhin pa dy ndryshime ligjore shumë thelbësore, ndryshimet në Kodin zgjedhor që janë rekomandim i ODIHR-së si dhe pa miratimin e Ligjit të ri për vetëqeverisje lokale i cili mes tjerash parashikonte mundësi për shkarkimin e krerëve të komunave me referendum.