Ministria e Arsimit ka prezantuar Kod të ri etike për mësuesit e sistemit parauniversitar, i cili përcakton rregulla të qarta sjelljeje brenda dhe jashtë shkollës. Dokumenti kërkon nga stafi arsimor që të ruajë integritetin, përgjegjshmërinë dhe etikën profesionale, përfshirë edhe në përdorimin e rrjeteve sociale.
Sipas Kodit, mësuesit duhet të tregohen të kujdesshëm me postimet publike, duke shmangur përmbajtje që cenon figurën e tyre si model edukues. Ata pritet të nxisin sjellje të përgjegjshme edhe tek nxënësit, sidomos për përdorimin e sigurt të platformave online.
Dokumenti vendos rregulla edhe për veshjen në punë: mësuesit duhet të paraqiten me veshje të rregullta e profesionale, duke shmangur aksesorë të mëdhenj ose bizhuteri që bien në sy e shpërqendrojnë nxënësit.
Në nenin 5, theksohet se mësuesi duhet të respektojë privatësinë dhe dinjitetin e nxënësve, të shërbejë si model i komunikimit paqësor dhe të mbështesë kolegët më të rinj në profesion.