Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se Avdi Memçaj, qytetar i Kosovës, po mbahet në paraburgim në Serbi që nga 20 maji, pasi u arrestua në pikën kufitare në Merdarë, nën dyshimin për nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale.
Përmes një postimi në Facebook, Koci tha se familja e Memçajt i është drejtuar atij duke kërkuar që ta marrë përsipër mbrojtjen e të drejtave të tij.
“Që nga 20 maji në paraburgim në Serbi, nën dyshimin për nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale. Avdi Memçaj është arrestuar më 20 maj në pikën kufitare në Merdarë dhe që nga ajo ditë ndodhet në paraburgim në Serbi, sipas informatave që më ka dhënë familja e tij. Familja e tij më është drejtuar duke më kërkuar ta marr përsipër mbrojtjen e të drejtave të tij”, shkroi Koci.
Ai tha se sipas familjes, “Avdi Memçaj prej vitesh jeton në Kroaci, ku është pronar i disa furrave të bukës”.
“Rastin nuk e kanë bërë publik deri më sot, sepse kanë pasë frikë se kjo mund të kishte pasoja si për Avdi Memçajn, ashtu edhe për familjen e tij, pasi shpesh kalojnë përmes Serbisë për të ardhur në Kosovë”, shkroi ai.
Koci tha se do ta shqyrtojë “me seriozitet këtë rast” dhe se do të ndërmarrë “të gjitha veprimet juridike që i lejon ligji për mbrojtjen e të drejtave të tij”.
“Pres edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës që këtij rasti t’i kushtojnë vëmendjen e duhur dhe të ofrojnë mbështetjen e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të Avdi Memçajt”, shkroi Koci.
Avokati tha se kohët e fundit po merr gjithjë e më shumë informata për ndalimin e shtetasve të Kosovës gjatë kalimit nëpër Serbi.
“Ky rast ma rikujtoi edhe një shqetësim tjetër. Kohëve të fundit kam marrë gjithnjë e më shumë informata për ndalimin e shtetasve të Republikës së Kosovës gjatë kalimit nëpër Serbi. Në disa raste më është raportuar se u është kontrolluar edhe përmbajtja e telefonave mobilë. U bëj thirrje qytetarëve që, nëse përballen me situata të tilla, t’i njoftojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe, sipas nevojës, të kërkojnë ndihmë juridike”, shkroi Koci.