Avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj thirrjes së presidentes Vjosa Osmani që qytetarët e Kosovës të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë, pas rasteve të përsëritura të arrestimeve arbitrare nga autoritetet serbe.
Koci thotë se shqetësimi është i arsyeshëm dhe rreziku real, por paralajmërimet e tilla nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me masa konkrete nga shteti.
“Por një shtet nuk ndërtohet mbi një klimë frike. As mbi mesazhe që, pa dashje, prodhojnë ndjenjën e dorëzimit. Kur thua “mos shkoni”, atëherë duhet të tregosh edhe “si do t’ju mbrojmë” dhe “çfarë zgjidhje po ofrojmë”, shkroi ai.
Sipas Kocit, një qasje e tillë e cunguar vetëm sa krijon pasiguri dhe kërkon që shteti të veprojë me plan të qartë. Ai liston disa hapa që sipas tij duhen ndërmarrë menjëherë:
– të ofrojë rrugë alternative të sigurta dhe të përballueshme për diasporën;
– të garantojë mbrojtje konsullore të menjëhershme për çdo qytetar që përballet me autoritetet serbe;
– të koordinohet ngushtë me shtetet mike për monitorimin e rasteve të ndalimeve;
– të vendosë masa reciproke të peshuara, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare;
– të ushtrojë presion diplomatik të vazhdueshëm që këto praktika të marrin fund.
“Kjo është mënyra se si vepron një shtet serioz: me qetësi, me plane, me përgjegjësi. Pa u tërhequr, pa u frikësuar, pa u përkulur,” thekson ai.
Në fund, Koci thekson se Kosova ka ecur përpara duke hapur rrugë e mundësi, jo duke i mbyllur ato.
“Patriotizëm nuk është me i trembë njerëzit. Patriotizëm është me i mbrojtë,” përfundon ai.