Partia ultra-ortodokse “United Torah Judaism”, një nga dy partitë ultra-ortodokse në koalicion qeveritar të Izraelit, ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga qeveria nëse nuk sigurohen koncesione ligjore që formalizojnë përjashtimin e burrave ultra-ortodoksë nga shërbimi ushtarak.
Duke four për Reuters, një zëdhënës i liderit të United Torah Judaism, Yitzhak Goldknopf, ka thënë se partia e tij do të votojë për shpërndarjen e parlamentit nëse nuk kalon legjislacioni që garanton përjashtimin nga ushtria.
Sipas agjencisë së lajmeve, partia opozitare Yesh Atid, e udhëhequr nga ish-kryeministri Yair Lapid, ka propozuar një votim parlamentar javën e ardhshme për të rrëzuar qeverinë, ku për të pasur sukses, mocioni ka nevojë për mbështetjen e 61 nga 120 deputetët e parlamentit izraelit (Knesset).
“Ky Knesset ka mbaruar. Nuk ka më rrugë përpara,” raportohet të ketë thënë Lapid.
Ndërkohë, lidhur me këtë krizë kryeministri i vendit Benjamin Netanyahu ka qëndruar i heshtur, ndërsa një burim pranë qeverisë, ka thënë se negociatat brenda koalicionit po vazhdojnë.
Koalicioni i Netanyahut, i përbërë nga parti sekulare të djathta dhe parti ultra-ortodokse, mban shumicën në parlament me United Torah Judaism që ka 7 vende, ndërsa partia tjetër ultra-ortodokse, ka 11 vende.
Pse po kërkojnë ultraortodoksët përjashtim nga ushtria?
Shumë anëtarë të komunitetit ultraortodoks në Izrael, të njohur si Haredim, kundërshtojnë shërbimin ushtarak për arsye fetare. Ata besojnë se studimi i shkrimeve të shenjta (Tora) është po aq i rëndësishëm për mbrojtjen e Izraelit sa edhe shërbimi në fushën e betejës. Për dekada, ata kanë përfituar nga një përjashtim i veçantë nga ushtria, por tani po kërkojnë që parlamenti të kalojë urgjentisht një ligj që formalizon përjashtimin e tyre nga ushtria në mënyrë të përhershme dhe të mbrojtur ligjërisht, para se Gjykata e Lartë ta ndalojë praktikën që shumë e shohin si diskriminuese ndaj qytetarëve laikë.
E gjithë kjo ka krijuar përplasje të ashpra politike dhe rrezikon të shpërbëjë qeverinë aktuale të drejtuar nga Benjamin Netanyahu.
aaaaa