Granit Xhakës i ka ardhur një mundësi për të luajtur përsëri në Premierligë.
Ylli kosovar kishte luajtur me sukses në kampionatin anglez me Arsenalin para se të rikthehej në Gjermani për t’u transferuar në Bayer Leverkusen.
Por tash, mediat angleze raportojnë se përfaqësuesi zviceran po pëlqehet përsëri në Premierligë.
Më saktësisht, i rikthyeri në ligën elitare angleze, Sunderland, ka shfaqur interesim për 32 vjeçarin.
Sipas “Sky Sports”, ish-futbollistit të Baselit, Borussia Monchengladbachut e Arsenalit, Sunderlandi i ka ofruar kontratë trevjeçare, përcjell “Gazeta Express”.
Ky klub dëshiron të përforcohet gjatë kësaj vere për ta pasur një qëndrueshmëri dhe stabilitet në Premierligë.
Mbetet të shihet nëse Xhaka do të preferojë apo jo të rikthehet në Angli apo ta pranojë ofertën e majme që i ka ardhur nga Arabia Saudite, respektivisht nga ekipi Neom SC, i cili i ofron atij rrogë vjetore prej 10 milionë eurosh.
Gjithashtu, për të kanë shfaqur interesim edhe klubet italiane, Milan, Inter e Juventus.
Xhaka kishte luajtur në Angli për plot shtatë vjet, ndërsa me ekipin londinez i kishte zhvilluar 297 ndeshje dhe me “Gunners” e kishte fituar dy herë trofeun FA Cup para se të përfundonte tek Leverkuseni në verën e vitit 2023.
Atje e kishte fituar titullin e parë të Bundesligës.
Xhaka i ka edhe tri vjet kontratë me “Farmaceutikët” nga pesë vjet sa kishte nënshkruar para dy vjetësh. /Gazeta Express