Klubet e Premierligës përballen me rundin e dytë të testeve për Covid-19 - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

22/05/2020 15:30

Klubet e Premierligës përballen me rundin e dytë të testeve për Covid-19

Sport

Gazeta Express

22/05/2020 15:30

Klubet e Premierligës do ta kryejnë edhe një rund të testeve të koronavirusit të premten, si pjesë e përgatitjeve për ta rinisur sezonin e Premierligës.

Prenetics – kompania bioteknologjike që e fitoi tenderin për t’i testuar të gjithë lojtarët dhe stafin e klubeve të Premierligës – thotë se testet mund të kenë nevojë për deri në 48 orë për t’u procesuar, që do të thotë se nuk do të publikohen rezultate të reja këtë fundjavë, transmeton Gazeta Express.

Premierliga do t’i publikojë shifrat e fundit – ku do të jenë të përfshira edhe rezultatet nga rundi i parë i testeve të Norwichit, që s’mori pjesë në testimin e parë – pasi të jenë kryer testet e të gjitha 20 klubeve.

Secili klub mund t’i bëjë deri në 100 teste në javë. Këto teste janë siguruar në mënyrë që stërvitjet të jenë sa më të sigurta për lojtarët, pasi që një lojtar i infektuar do të mundë t’i kishte infektuar edhe shumë të tjerë përndryshe.

Premierliga kishte zbuluar të martën se nga testet e para kishin dalë gjashtë teste pozitive me koronavirus nga tre klube, nga gjithsej 748 testet e bëra.

Që nga atëherë është konfirmuar se mbrojtësi i Watfordit, Adrian Mariappa, dhe ndihmëstrajneri i Burnleyt, Ian Woan, ishin në mesin e atyre të infektuar.

Testet e fundit nuk do t’i përfshijnë rezultatet e atyre që tashmë janë konfirmuar si raste pozitive pasi që ata do të duhet të vetëizolohen për shtatë ditë pas diagnostikimit të tyre.

Zyrtarët e Premierligës, ekspertët mjekësorë dhe përfaqësuesit nga 20 klubet u takuan të hënën përmes një video-konference dhe u pajtuan unanimisht që t’i rinisin seancat stërvitore në grupe të vogla dhe pa kontakt mes lojtarëve.

Premierliga paraprakisht e kishte theksuar se ndeshjet do të zhvillohet vetëm nëse kjo gjë vlerësohet si e sigurt dhe e përshtatshme, përkundër që deri më tani është ende synim kthimi më 12 qershor. /Gazeta Express/