Jurgen Kloppit nuk i mungon puna e trajnerit dhe nu ke sheh asnjë mungesë në jetën e tij.
Kjo është ajo që e tha trajneri gjerman në një intervistë transparente të dhënë për mediumin britanik “The Athletic”, përcjell “Gazeta Express”.
Ish-trajneri i Borussia Dortmundit u largua nga Liverpooli në verën e vitit 2024, ndërsa atij ju bë një lamtumirë e paharrueshme falë sukseseve në “Anfield Road”, duke bërë që falë tij t’i rritet vlera edhe futbollit anglez.
“A e prisja fillimin e ndeshjeve në vikend përpara TV-së? Absolutisht jo. Isha shumë i lumtur për faktin se si luante Liverpooli. I kam parë disa ndeshje. Por, nuk jam ai tipi: ‘Oh, është e shtunë!’ Nuk e dija bile as kur do të fillonin ndeshjet. Isha thjesht jashtë. Bëja sport vetë”, thotë trajneri karizmatik.
“Pasi u tërhoqa, po e shijonim jetën, kalonim kohë me nipërit, gjëra komplet normale, duke e ditur që një ditë do t’i kthehesha punës. Por, duke e ditur po ashtu se nuk dua të punoj më si trajner”, shtoi ai.
“Kjo është ajo që po e mendoj për momentin, nuk po më mungon asgjë. Por, nuk i dihet kurrë. Jam 58-vjeç. Në të ardhmen mund të më thonë njerëzit: ‘Pate thënë se nuk do ta bëje më kurrë punën e trajnerit!’ Eh, më falni, e mendoja këtë 100% kur e pata thënë…”, nënvizoi Klopp.
Sidoqoftë, ai nuk e ka lënë botën e futbollit pasi tash punon për Red Bull dhe është mjaft i përfshirë në klubet që i posedon kompania gjigante e pijeve energjike si Salsburg, Paris FC, NY Red Bulls, Red Bull Bragantino e RB Omiya Ardija.
Por, nëse kthehemi prapa, nuk e ka asnjë merak.
“Nëse e shikon karrierën time, ka karriera shumë më të suksesshme dhe triumfuese sesa ajo e imja. Por, unë i kam pasur të gjitha”, kujton ai.
“Kam humbur më shumë finale të Ligës së Kampionëve se që i kanë luajtur shumica e personave. E di se çka do të thotë të humbësh dhe se si jeta vazhdon. Nuk kam nevojë t’i mbaj përvojat e mia për vete. Nuk e kam bërë kurrë këtë, por thjesht nuk kam pasur kurrë kohë për të folur për të tjerët, sepse ishte gjithmonë një ndeshje tjetër në horizont. Tash, nëse dikush më kërkon diçka, jam libri më i hapur që e njoh”, përfundoi Klopp. /Gazeta Express