Klodiana Kapo: Shqiptarët nuk i dëgjojnë premtimet, nuk e kërkojnë të drejtën sepse janë mosbesues në përmbushjen e tyre - Gazeta Express
string(118) "klodiana-kapo-shqiptaret-nuk-i-degjojne-premtimet-nuk-e-kerkojne-te-drejten-sepse-jane-mosbesues-ne-permbushjen-e-tyre"

Klodiana Kapo: Shqiptarët nuk i dëgjojnë premtimet, nuk e kërkojnë të drejtën sepse janë mosbesues në përmbushjen e tyre

Shqiperi

Gazeta Express

18/09/2021 22:31

Gazetarja Klodiana Kapo ishte e ftuara e kësaj të shtune në Fax News. Biseda e ngrohtë u ndal në hapat e gazetares së suksesshme, e cila zbuloi dashurinë e saj të madhe që janë dokumentarët, dhe kuriozitetin që në hapat e parë të studimeve për të njohur më mirë Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kapo tregoi se dëshira për studimet në Gazetari i ka lindur që në klasën e gjashtë, ndërkohë që tha se sot kolegët e saj që punojnë në media janë gjithnjë e më pak të lirë për të thënë të vërtetat e tyre.

Lexo Edhe:

“Që në klasë të gjashtë kam dashur që të studioja gazetari, prindërit më pyetën nëse doja të studioja jashtë dhe ju thashë që jo. “Unë nuk njoh akoma Shqipërinë dua të bëhem gazetare në Shqipëri”, iu kam thënë asokohe. Mua më ka pëlqyer dhe vazhdon të më pëlqejë reportazhi, gazetaria politike është më e thjeshta, ti jep qëndrimet e palëve.

Fjala është liri, gazetaria nuk është e mirë nëse nuk është e lirë. Për fat të keq gazetarët e mirë sot në Shqipëri nuk janë të lirë, jo vetëm të zgjedhin tematikën me të cilën do të punojnë, ta verifikosh me ekspertët, por çdo fakt të transmetohet ashtu siç është te lexuesit e tu.

Dokumentari është dashuria ime e madhe, dhe më pas kam bërë një emision të përjavshëm në Top Channel për të treguar shqipërinë përmes historive njerëzore. Unë e thashë që në fillimet e mia, me shumë kuriozitet doja të njihja shqiptarët dhe Shqipërinë, më pëlqente shumë edhe të lodhesha, edhe të shijoja ushqimin e tyre, të shihja edhe zakonet e tyre, që shumë herë mund të ishin edhe të çuditshme. Në momentin që ti e respekton tjetrin kimia vjen natyrshëm”, tha Kapo.

Ndërkohë që duke iu referuar udhëtimeve të saj në bërjen e dokumentareve dhe reportazheve nëpër Shqipëri, Kapo u shpreh se në vendin tonë ka diferenca shumë të mëdha sociale dhe ekonomike, midis qyteteve dhe fshatrave më të harruar.

“Ne vazhdojmë të jemi një popull jo vetëm i varfër, zhvillimi ekonomik ndikon, në shumë zona të Shqipërisë si qytetet e mëdha ka një zhvillim të biznesve private, të shqiptarëve që kanë të ardhura, kanë arritur një stad shumë të mirë të të ardhurave, dhe kanë sjellë zhvillim në zonat e tyre. Ka një disbalancë shumë të madhe, po në Shqipëri ka biznese që kanë investuar, por sa ka ndërhyrë shteti që këto biznese të zhvillojnë edhe zonën ku investojnë”, tha gazetarja, e cila foli më pas dhe për eksperiencën e saj në një organizatë ndërkombëtare për fëmijët.

Tashmë larg terrenit, për Kapon fillimi ishte i vështirë për t’u mësuar me mbledhjet e gjata në zyrë. Ajo tregon se për tre vite ishte drejtuese e komunikimit me median e një organizate që merrej me fëmijët në vendet e balkanit, ku njohu histori nënash luftëtare që kujdeseshin për fëmijët e tyre me aftësi ndryshe. Sipas saj në këto familje roli i babait ishte pothuajse inekzistent.

“Unë kam punuar për afro 3 vite në një organizatë World Vision që merrej për fëmijët, m’u desh që me shumë zor të futesha në një strukturë, në një organizatë të madhe. Javën e parë i kam pyetur ”më fal sa do të qëndrojmë ulur në mbledhje”. Për mua ishte e tmerrshme që të qëndroja 6 orë ulur, nuk kuptoja as gjysmën e gjërave”, rrëfeu ajo, ndërsa në fund u ndal edhe te puna që bën tani, për verifikimin e lajmeve dhe premtimeve nga politikanë të ndryshëm.

“Në të gjitha vendet e botës flitet për fake neës, factcheking, edhe për shkak të rjeteve sociale. Nëse e krahasojmë me vendet e Ballkanit, nuk mund të themi se ata janë shumë më mirë se ne. Klima është e njëjtë në të gjithë Ballkanin, nuk jemi shumë më keq apo shumë më mirë, te ne është më e përqëndruar ndër vite. Politikanët janë investuar drejt propagandës, dhe moslejimin e marrjes të informacionit të specialistit.

Unë të përmenda rastin e Kalasë së Prezës, ku janë investuar 390 milionë dollarë, të cilat janë zhdukur, institucionet refuzojnë q ëtë bëjnë publike shpenzimet që kanë gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Ti nuk mund të shpenzosh 500 apo 600 euro për të qëndruar një natë në hotel, pasi ti je një përfaqësues i një vendi të varfër. Ne kërkojmë rritjen e transparencës por edhe llogaridhënies.

Shqiptarët nuk i dëgjojnë premtimet, nuk e kërkojnë të drejtën në asnjë institucion pasi janë totalisht mosbesues në përmbushjen e tyre”, tha Kapo, ndërsa shtoi se hyn në mesin e atyre personave që nuk kanë dashur kurrë të largohen nga Shqipëria. Për të me urgjencë duhet të ndryshojë niveli i arsimimit në vendin tonë.

“Unë jam nga ata njerëz që nuk kam ndërmend që të largohem jashtë vendit, ama jam nënë e dy djemve, dhe kur shoh nivelin e arsimit në vendin tonë, nuk mund të jem kaq naive. Një popull i varfër është shumë i lehtë për t’u drejtuar. Unë realisht besoj që të rinjtë shqiptarë janë kërkues. Kanë lëvizur, kanë parë, është shumë e rëndësishme që të investohet në edukimin e brezave, dhe dhënien e njohurive praktike. Jo të gjithë do bëhen gazetarë dhe mjekë, është shumë e rëndësishme pjesa e zanateve”, përfundoi Kapo.