“Po e keni të vështirë të ndjeni gëzim? Kjo mund të jetë arsyeja”, shkruan CNN në titullin e një shkrimi për këtë çështje.
Dr. Judith Joseph thotë se gëzimi nuk është thjesht diçka e mirë për ta pasur – është pjesë e asaj që jemi.
“Ne jemi të ndërtuar me atë ADN për gëzim. Është e drejta jonë e lindjes si qenie njerëzore”, tha ajo.
Joseph është psikiatre e certifikuar dhe hulumtuese, e cila e ka bërë mision të saj ta studiojë gëzimin – dhe çfarë i pengon njerëzit ta ndjejnë atë.
Puna e saj, përfshirë librin e saj të ri, “High Functioning: Overcome Your Hidden Depression and Reclaim Your Joy” (“Funksionim i Lartë: Si ta Kapërceni Depresionin e Fshehur dhe ta Rimerrni Gëzimin”), ka tërhequr vëmendje të gjerë, pjesërisht për shkak të hulumtimit të saj në gjendjen e depresionit me funksionim të lartë, i cili më në fund po merret seriozisht.
“Doja që njerëzit të mësonin se, dëgjo, depresioni duket ndryshe”, tha Joseph.
“Ka disa njerëz që luftojnë me anhedoninë, mungesën e gëzimit”, tha Joseph. “Ata nuk duken të depresionuar (por) nuk ke pse të jesh i trishtuar për të përmbushur kriteret për depresion”.
Joseph e përfshin veten ndër ata individë që kanë pasur depresion me funksionim të lartë, dhe ajo theksoi se “shumë prej nesh jemi patologjikisht produktivë”.
Një nga sfidat më të mëdha në identifikimin e vetvetes me depresionin me funksionim të lartë, tha ajo, është se disa njerëz përjetojnë barriera psikologjike si anhedonia dhe aleksitimia, që është vështirësia për t’i identifikuar dhe shprehur emocionet. Të dyja mund ta vrasin gëzimin dhe shpesh neglizhohen në bisedat për shëndetin mendor, sepse mund të funksionosh ende në punë dhe në shtëpi, të paktën sipas perceptimit të të tjerëve.
Joseph zbuloi më shumë gëzim në jetën e saj përmes lidhjeve të forta me familjen dhe komunitetin. Gëzimi i saj, tha ajo, vjen gjithashtu nga ndihma për të tjerët.
Por kjo kërkoi kohë për t’u zbuluar.
Ajo jo vetëm që bëri studime klinike mbi depresionin me funksionim të lartë, por edhe vetë e përjetoi atë, edhe pse po arrinte suksese profesionale.
“Ajo isha unë në vitin 2020”, tha Joseph. “E mbaja këtë maskë. Nga jashtë dukej sikur çdo gjë ishte perfekte – po drejtoja laboratorin tim, kisha një fëmijë të vogël, një familje të përsosur, dilja në televizion. Por po luftoja me anhedoninë”, apo paaftësinë për të ndjerë kënaqësi.
Si të luftoni me këtë?
Praktikimi i pesë V-ve
Validimi (Validation): Emërtoje ndjesinë tënde. Pranoje. Pranoje si pjesë të realitetit. “Nëse nuk e dimë si ndihemi, nëse nuk mund ta emërtojmë, jemi të hutuar, është e paqartë. Ndjejmë ankth, ndaj ta thuash si ndihesh dhe ta pranosh është shumë e rëndësishme”, shpjegoi Joseph.
Shfryrja (Venting): Gjej dikë të cilit i beson për t’i treguar çfarë po përjeton, me një kusht. Nëse nuk po flet me një profesionist të shëndetit mendor, Joseph tha të keni kujdes me “hedhjen e traumave” tek miqtë dhe familjarët. “Dëshiron të pyesësh. Dëshiron të kërkosh leje emocionale dhe të thuash, ‘A është momenti i duhur?’”.
Vlerat (Values): Çfarë të jep kuptim dhe qëllim në jetë? “Mendo për gjërat që janë të paçmueshme. … Dikur ndiqja çmimet, arritjet, ato janë gjëra që, e di, në fund të ditës nuk do të flas për to në shtratin e vdekjes”, tha ajo.
Jetësoret (Vitals): Këto janë gjërat që të mbajnë gjallë dhe mirë: ushqimi i shëndetshëm, ushtrime të rregullta dhe gjumë i mirë. Janë të lehta për t’u thënë por të vështira për t’u bërë për shumë prej nesh.
Vizioni (Vision): Kjo është e vështirë për t’u pasur kur je i verbuar nga shqetësimi yt. Por mjekja e gëzimit rekomandon që të planifikosh për më shumë gëzim dhe të ndalosh së rikthyeri në të kaluarën.
Mos u përpiq t’i bësh të gjitha këto menjëherë apo me shpejtësi, paralajmëroi Joseph.
“Mos ji me funksionim të lartë”, tha ajo, kur bëhet fjalë për këtë proces. Nuk është një detyrë tjetër pune. Është jeta jote.
Dhe mos harro: Lumturia është e jashtme dhe një ndjesi afatshkurtër si ajo që ndjen kur blen diçka të re ose fiton një çmim.
Gëzimi është i brendshëm. “Është i fuqizuar nga brenda”, tha Joseph. “Nuk ke pse t’i mësosh një fëmije gëzimin. Ne jemi të ndërtuar me të”.