AKR-ja ia ka votuar Ligjin për Rimëkëmbje Qeverisë Hoti, por nuk dihet nëse do të hyjë në Qeveri, ndonëse Behgjet Pacolli ka dhënë shenja se diçka e tillë mund të ndodhë.
AKR-ja e Behgjet Pacollit nuk e ka të qartë ende nëse do të futet në Qeverinë Hoti apo jo. Të paktën kjo deri më tani nuk është biseduar në organet e partisë.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, ka deklaruar për Express se çështja e futjes në Qeveri, nuk është biseduar në organet e partisë.
“Nuk është biseduar fare deri më tash në organet e partisë tema për të cilën pyesni. Në fakt sipas statutit, është detyrë dhe obligim i kryetarit të partisë analizimi dhe propozim-vendimi sa u përket çështjeve të tilla. Por deri më tash nuk ka asgjë”, ka deklaruar Zyberaj.
I pyetur se a ka pasur ftesë nga koalicioni qeverisës për t’u bërë pjesë e Qeverisë, Zyberaj tha se për këtë nuk ka informacion.
Zyberaj ka treguar se deputetët e AKR-së e kanë votuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.
“Po Ligjin për Rimëkëmbje e kemi votuar natyrisht, sepse është çështje e natyrës urgjente e cila ndikon direkt në sanimin e dëmeve të shkaktuara nga pandemia”, deklaroi Zyberaj.
Ndërkohë, dyshimet se AKR-ja mund të bëhet së shpejti pjesë e Qeverisë Hoti, i ngjalli vetë kreu i partisë, Behgjet Pacolli.
Ai të hënën ka postuar një fotografi ku bashkë me deputeten tjetër të AKR-së, Mirlinda Sopi, shiheshin të shoqëruar nga zyrtarët e Nismës.
Fotoja ishte realizuar pas kalimit në lexim të parë të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.
“Një kafe me grupin pas votimit të Rimëkëmbjes Ekonomike, kismet +2!”, ka shkruar Pacolli në fotografinë e postuar.
ARK-ja ka dy deputetë në Kuvendin e Kosovës, pra Pacollin dhe Mirlinda Sopin.
AKR-ja ka qenë pjesë e Qeverisë me PAN-in dhe kishte disa ministri, ndonëse në fund kishte mbetur vetëm me një deputet. /GazetaExpress/