“Kisha jetu në shator, veç me më pas shpëtu burri”- Dëshmitarja rrëfen se u dëbuan nga shtëpia dhe kur kuptoi se i ishte vrarë bashkëshorti - Gazeta Express
string(135) "kisha-jetu-ne-shator-vec-me-me-pas-shpetu-burri-deshmitarja-rrefen-se-u-debuan-nga-shtepia-dhe-kur-kuptoi-se-i-ishte-vrare-bashkeshorti"

Lajme

Gazeta Express

23/06/2025 13:05

“Kisha jetu në shator, veç me më pas shpëtu burri”- Dëshmitarja rrëfen se u dëbuan nga shtëpia dhe kur kuptoi se i ishte vrarë bashkëshorti

Lajme

Gazeta Express

23/06/2025 13:05

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për krime lufte ndaj Millorad Gjokoviq, u dëgjua dëshmitarja Xhevahire Morina, e cila rrëfeu për ngjarjet e ndodhura më 7 maj 1999 në fshatin Ozdrim kur forcat serbe i dëbuan nga shtëpia dhe se si mësoi që i ishte vrarë bashkëshorti.

Ajo tha se atë ditë janë rrethuar nga ushtria serbe dhe për disa sekonda kanë dalë nga shtëpia, ndërsa bashkëshorti i saj së bashku me banorët tjerë të lagjes, tha se nuk e di se nga kishin shkuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kemi qenë 48 femra, veç me fëmijë të vogël, edhe janë ardhë në atë shtëpi me maska me na pushkatu dhe prej aty na kanë thonë sa të muni ikni. Prej aty sa kemi mujt me ikë me traktora për Shqipëri”, tha dëshmitarja Morina.

Ajo tha se nuk e di se çfarë uniforma kanë pasur të veshur ushtria pasi që nuk kanë pasur guxim që t’i shikojnë.

“Kush ka guxu me i këqyr, në Ozdrim na kanë hallakatë, i kem pas rroba të fëmijëve me vete, s’kemi guxu me këqyr kërkah hiç”, tha dëshmitarja.

Morina deklaroi se ushtria serbe ia kishin marrë fëmijën 4 vjeç dhe më pas ia kishin marrë 1 kilogram ari dhe 500 marka, që t’ia kthenin fëmijën.

Ndërsa, në pyetjen e prokurorit Kastriot Memaj nëse e njeh të akuzuarin Millorad Gjokoviq, ajo e mohoi një gjë të tillë.

Morina tha se përveç vdekjes së bashkëshortit të saj dhe dy familjarëve, kanë pësuar edhe dëme të tjera materiale.

“Po, kemi pas dëme, po kisha jetu edhe në shator veç me m’pas shpëtu burri”, u shpreh dëshmitarja.

Ajo tha se për vdekjen e bashkëshortit të saj e kuptoi pasi është kthyer nga Shqipëria.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan  për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq  ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.