Kino Armata – nën mëshirën e mbështetësve - Gazeta Express
string(39) "kino-armata-nen-meshiren-e-mbeshtetesve"

Arte

Donjeta Abazi

18/11/2025 16:53

Kino Armata – nën mëshirën e mbështetësve

Arte

Donjeta Abazi

18/11/2025 16:53

Kino Armata tash e një periudhë të gjatë mbetet ndër hapësirat më të rëndësishme në kryeqytet për njerëzit e artit dhe dashamirët e kulturës, veçmas filmit. Duke organizuar evente, bashkëbisedime, punëtori, net të filmit e duke i bërë konak PriFest, Armata u shndërrua në hapësirë të rëndësishme kulturore në vend.

Përtej asaj që publiku e sheh, e përtej ligjeve të cilat janë publike dhe përfshijnë fatet e institucioneve të kulturës në vend, ka shumëçka që ndodh në prapaskena e që nuk shihen; megjithëqë vërehen pasojat e tyre.

Kino ‘Armata’ tash e një kohë duket të ketë probleme me financat dhe këtë e kanë bërë të ditur vetë drejtuesit e saj përmes reagimeve publike. Në gusht të këtij viti drejtuesit e Kinemasë e bënë publike një thirrje, e cila i mundësonte çdo kujt që të lobonte në sajtin e Armatës, në aspektin financiar. Në ketë thirrje u bë e qartë se hapësira që nga fundi i vitit 2024, po përballej me pasiguri të mëdha financiare dhe paqartësi ligjore në lidhje me pronësinë e saj. Ani pse të pasigurt për të ardhmen e Armatës, drejtuesit e kishin të qartë se hapësira do të qëndroj e hapur dhe se bashkëpunëtoret e saj në një formë a tjetër po qëndronin krah saj.

Sot Kinemaja ekziston në një gjendje të ndërmjetme. Për mjegullën dhe pezullin e krijuar në lidhje me ketë institucion kulturor flet edhe Rozafa Maliqi, drejtoreshë e Kino Armata.

“Fondacioni Armata, i themeluar në vitin 2018 për të menaxhuar hapësirën e ish-Kino APJ në kuadër të një partneriteti publiko-civil dhjetëvjeçar, sot vepron brenda një kornize ligjore të paqartë. Kjo paqartësi vjen nga mospërputhja e afateve midis marrëveshjeve të transferimit të hapësirës nga qeveria qendrore te Komuna e Prishtinës dhe mandatit që kjo e fundit i dha Fondacionit për menaxhimin e saj”, thotë Maliqi.

Për të ndaluar mbylljen e plotë të Armatës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka themeluar një komision të përkohshëm, i cili mbikëqyr situatën në Armata. Megjithatë duket se këto komisione dhe disa ligje nuk po vihen në praktikë. Madje një ligj i fundit i kinematografisë parasheh ruajtjen e kinemave publike, por sa është efikas ky ligj në praktikë, pastaj duket të jetë çështje tjetër.

“Ligji i ri për Kinematografinë ka vendosur kornizën për mbrojtjen dhe zhvillimin e kinemave publike, por aktet nënligjore dhe strukturat e nevojshme për zbatimin e tij ende nuk janë finalizuar. Derisa këto instrumente të jenë në vend, stabiliteti i Armatës mbetet i varur nga vullneti politik i individëve brenda institucioneve dhe nga mbështetja e publikut”, thotë Rozafa Maliqi.

Me shkuarjen në renovim të hapësirave të rëndësishme kulturore veçmas në kryeqytet, skena e artit është varfëruar kohëve të fundit. Përderisa Armata i ofron publikut çdo mbrëmje filma të kategorive të ndryshme e metrazheve të ndryshme, problematikat me hapësirën dhe financimin e saj prekin edhe artdashësit.

Këta muaj Armata mirëpriti edhe programin “Netët e Filmit Shqiptar” që u organizua bashkë me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Përkundrejt sfidave burokratike, Rozafa Maliqi thekson rëndësinë e mbajtjes gjallë të Kino Armatës përmes fondeve, donacioneve, granteve ndërkombëtare. Ajo thotë që statusi ligjor i kinemasë vazhdon të jetë i pazgjidhur por ideja e tyre është që të krijohet një partneritet publiko-civil që garanton jetëgjatësinë e Armatës.
Nga ajo që flitet deri më tani, kuptojmë që hapësira e Kinemasë vazhdon të mbetet në mjegull, pa një statut të zgjidhur dhe pa një garanci financiare që i lejon Armatës të ketë një zhvillim të denjë të programit të saj artistik. Megjithatë aty zhvillohen ngjarje, mbahen punëtori dhe kinemaja vazhdon me programin e saj të shfaqjes së filmave në kuadër të Kinetos. Nesër, nis programi i filmave të shkurtër të kinemasë me dy filma nga Gjilani: “Sinkopa” nga Drilon Kurti, dhe “Dogme 666” nga Donart Zymberi.

Rozafa Maliqi shton se përkundrejt mohimit për mbyllje të hapësirës dhe vështirësive nëpër të cilat po kalon ky institucion ata po mbajnë gjallë programin e tyre dhe një zgjidhje afatgjatë do të ishte e mirëseardhur.

“Na duhet mbështetje e vazhdueshme për ta zhvilluar një model të qëndrueshëm të kinemasë publike. Kërkojmë një kornizë ligjore që e njeh punën që bëjmë, që i mbron këto hapësira si pasuri publike dhe që krijon kushte dinjitoze për ekipin dhe bashkëpunëtorët/et”, thotë Rozafa Maliqi.
Si përfundim në Kino Armata ekziston një lloj solidariteti mes artisteve dhe dashamirëve të artit, e megjithatë këto solidaritete vërehen veç në momente krizash, ajo që i duhet kinemasë është një siguri financiare, një bashkëpunim institucional mes Komunës, Ministrisë e vetë drejtuese të Kinemasë për ta gjetur një zgjidhje afatgjatë në mënyrë që hapësira të mund të funksionoj me një plan të qartë pa qenë e varur nga lobimet sporadike të fondeve ndërkombëtare.
/Gazeta Express