Fillimisht ushqimet e detit, pastaj pandat dhe tani kompanitë e rëndësishme të Japonisë. Ministria e Tregtisë e Kinës ka ndaluar shitjen e produkteve “me përdorim të dyfishtë” për një listë kompanish japoneze.
Kina ndërmori veprimekundër 40 kompanive dhe subjekteve japoneze të martën, duke i akuzuar ato se po ndihmojnë në rritjen e aftësive ushtarake të Japonisë. Lëvizja e Pekinit shënon përshkallëzimin e fundit në një mosmarrëveshje që filloi në nëntor, kur kryeministrja japoneze Sanae Takaichi deklaroi se Tokio mund të përdorë ushtrinë për të mbrojtur Tajvanin në rast të një sulmi.
Edhe pse Tajvani është një ishull vetëqeverisës me shumë aleatë perëndimorë, Kina e konsideron atë pjesë të territorit të saj sipas politikës “Një Kinë”.
Çfarë masash ka marrë Kina?
Ministria e Tregtisë e Kinës kufizoi eksportet në 20 njësi japoneze, përfshirë disa nga konglomerati Mitsubishi dhe agjencia hapësinore japoneze, duke përmendur shqetësime për sigurinë kombëtare.
Duke filluar nga e marta, eksportuesit kinezë nuk do të shesin më mallra të ashtuquajtura “me përdorim të dyfishtë” në Japoni – produkte që qeveria beson se mund të përdoren edhe për qëllime ushtarake.
Ndërsa Pekini kishte njoftuar tashmë një ndalim të gjerë për eksportet e mallrave me përdorim të dyfishtë në Japoni në janar, masa e së martës synon konkretisht dhjetëra kompani të mëdha japoneze. Disa nga aksionet e tyre ranë në Bursën e Tokios, ndërsa jeni ra me 0.4% në 155.27 për dollar amerikan.
Ministria shtoi edhe 20 kompani të tjera në një “listë mbikëqyrjeje”, përfshirë prodhuesin e automjeteve Subaru, i cili do të kërkojë kontrolle më të rrepta mbi mallrat e eksportuara. “Masat e mësipërme kanë për qëllim të frenojnë ‘rimilitarizimin’ e Japonisë dhe ambiciet bërthamore dhe janë plotësisht legjitime, të arsyeshme dhe ligjore”, tha Ministria e Tregtisë në një deklaratë.
Kina pohoi se subjektet që veprojnë “me mirëbesim” nuk kanë arsye për t’u shqetësuar dhe se masat nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet normale tregtare midis dy vendeve.
Si reagoi Japonia?
Një zyrtar japonez i tregtisë i tha agjencisë franceze të lajmeve AFP se Tokio do të “merrte masat e duhura” pas analizimit të ndikimit të kufizimeve të reja të eksportit.
Në nëntor, media japoneze raportoi se Kina kishte ndaluar eksportet e ushqimeve të detit në vend. Në janar, Kina hoqi dy panda nga Kopshti Zoologjik i Tokios, duke rimarrë kështu një nga mjetet e saj kryesore të diplomacisë së butë. /DW