Të brendshmet dhe kupat menstruale konsiderohen si një alternativë ekologjike ndaj pecetave dhe tamponëve: Tani një ekip studiuesish ka zbuluar se këto produkte mund të përmbajnë kimikatet e përhershme PFAS.
Emri tingëllon gati poetik: “përjetësisht kimikate”. Por pas tij qëndrojnë përbërësit per- dhe polifluoroalkil (PFAS), të quajtur kështu, sepse kurrë nuk dekompozohen, duke mbetur përgjithmonë në mjedis. Kjo ka pasoja serioze për njeriun. Disa PFAS janë kancerogjene, të tjerë ndikojnë në sistemin imunitar ose zvogëlojnë efektin e vaksinave.
“PFAS mund të ndikojë në pjellorinë, cilësinë e spermës, apo edhe zhvillimin e fëmijës në mitër”, tha toksikologia Marike Kolossa-Gehring për Tagesschau. Këto kimikate lidhen edhe me sëmundjen e gjendrës tiroide dhe presionin e lartë të gjakut.
Tani një ekip studjuesish në SHBA ka zbuluar se këto kimikate janë të pranishme në produktet menstruale të ripërdorshme. Pothuajse një e treta e të brendshmeve të menstruacioneve, kupave menstruale dhe pecetave të ripërdorshme, që u testuan, ishin prodhuar me këto kimikate toksike.
Ekipi, i drejtuar nga Alyssa Wicks dhe Graham F. Peaslee në Universitetin e njohur të Notre Dame në Indiana, SHBA, testoi 59 produkte menstruale të ripërdorshme nga Amerika e Veriut, Amerika e Jugut dhe Evropa. Në disa produkte, studiuesit gjetën nivele të ulëta, me shumë gjasa mbetje nga paketimet. Por në disa produkte nivelet ishin aq të larta, saqë PFAS duhet të jetë përdorur për prodhimin e tyre – edhe pse produktet mund të prodhoheshin po aq mirë edhe pa kimikatet toksike.
“Ne kemi zbuluar PFAS në disa produkte, por jo në të gjitha”, tha për DW Peaslee, një fizikant dhe profesor emeritus në Universitetin Notre Dame. “Pra, nuk është aspak e nevojshme [për prodhimin e produkteve]. Produktet, që nuk përmbajnë PFAS, shiten mirë po ashtu”.
Kimikatet e përhershme janë kudo
Kimikatet mund të dëmtojnë njerëzit në dy mënyra. Rruga më e drejtpërdrejtë është absorbimi përmes lëkurës së përdorueseve të të brendshmeve ose të kupave menstruale. “Lëkura thith nga një përqind deri në 50 përqind të kimikateve të përhershme, që përmban produkti”, thotë Peaslee. “Edhe nëse thithen vetëm një ose dy përqind, nuk është gjë e mirë”.
Rruga indirekte rrezikon jo vetëm vetë përdoruesin, por të gjithë ne. Kur produktet hidhen, kimikatet e përhershme hyjnë në ciklin e ujit, ku siç tregon edhe emri i tyre, ato nuk dekompozohen. Njerëzit e konsumojnë PFAS përmes ujit të pijshëm ose përmes ushqimit, i cili është ujitur me ujë të kontaminuar.
“Këtyre produkteve u bëhet reklamë si miqësorë ndaj mjedisit, sepse prodhojnë më pak mbeturina në krahasim me ‘produktet njëpërdorimëshe’ si pecetat ose tamponët”, thotë Peaslee. “Por këto kimikate janë veçanërisht të rrezikshme, sepse janë kudo dhe nuk treten”.
Rritja e sensibilizimit ndaj rreziqeve të PFAS
PFAS janë shumë të përhapura. Materialet janë rezistente ndaj ujit dhe papastërtive, si dhe ndaj presionit dhe nxehtësisë. Kjo i bën ato tërheqëse për shembull për prodhuesit e veshjeve apo paketimeve. Kimikatet e përhershme mund të gjenden në xhaketat dhe këpucët, që largojnë ujin, në çadra dhe tenda dhe në paketimet e ushqimeve. PFAS përdoren në kozmetikë, për të ndikuar në konsistencën e produktit ose për shembull si ngjyrosës. Me këtë studim Wicks, Peaslee dhe ekipi i tyre synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për rreziqet e PFAS në produktet e ciklit menstrual, si tek kompanitë ashtu edhe tek konsumatorët. Në publikimin e tyre ata nuk i përmendin emrat e markave. “Nuk donim të na hidhnin në gjyq”, thotë Peaslee. Kjo mund të ndodhte lehtësisht në SHBA.
Studiuesi thotë se për prodhuesit do t`ia vlente, që të mos përdornin PFAS, sepse ato janë materiale të shtrenjta. Megjithatë ai mendon se largimi nga PFAS do të vijë kryesisht nga konsumatorët.
“Konsumatorët kanë një fuqi të madhe”, thotë Peaslee. “Ata duhet t`i kërkojnë ato shprehimisht [produktet pa PFAS]. Nëse ka kërkesë, më shumë kompani do të kujdesen që të prodhojnë produkte pa PFAS dhe t’i reklamojnë ato si të tilla. Dhe nuk do të gënjejnë – fundja nuk duan të shkojnë në gjyq”. /DW