KiE do të caktojë dy juristë për ta bërë raportin – anëtarësimi aktualisht është i kushtëzuar me 24 hektarë tokë - Gazeta Express
string(110) "kie-do-te-caktoje-dy-juriste-per-ta-bere-raportin-anetaresimi-aktualisht-eshte-i-kushtezuar-me-24-hektare-toke"

Lajme

Gazeta Express

24/05/2023 13:24

KiE do të caktojë dy juristë për ta bërë raportin – anëtarësimi aktualisht është i kushtëzuar me 24 hektarë tokë

Lajme

Gazeta Express

24/05/2023 13:24

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës tash e ka radhën të trajtojë dosjen e Kosovës për anëtarësim në organizatë pas vendimit të Komitetit Ministror që t’ia përcjellë asaj kërkesën. Javën e ardhshme pritet që të ecet përpara proceduralisht me këtë çështje.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili është pjesë e delegacionit të deputetëve kosovarë në Këshillin e Europës, ka bërë të ditur për Gazetën Express se javën e ardhshme pritet të caktohen dy juristë që ngarkohen të bëjnë një raport vlerësimi për Kosovën.

“Gjatë javës së ardhshme në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të KiE, presidenti i Asamblesë Parlamentare pritet të propozojë dhe të caktohen dy juristë eminentë të cilët do të bëjnë një raport vlerësimi. Po ashtu, së shpejti pritet caktimi i një raportuesi nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci, me ç’rast do e bëjë raportin gjithëpërfshirës për rastin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE”, ka thënë Gashi.

Këto raporte bëhen për të vlerësuar përshtatshmërinë e sistemit ligjor të Kosovës me parimet thelbësore të Këshillit të Europës.

Por, për anëtarësimin në këtë organizatë shtetet e fuqishme kanë vendosur edhe disa “pengesa”.

Së fundi, shtetet e QUINT përmes një deklarate i janë drejtuar Qeverisë së Kosovës që të zbatojë plotësisht dhe me urgjencë regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit. Dhe për këtë thanë se është kusht për procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE

“Sundimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përparimin e mëtejmë në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Vonesa e mëtejme është vetëm pengesë për këtë përparim”, tha QUINT në deklaratë.

Pas kësaj deklarate, të martën rreth 30 diplomatë të akredituar në Kosovë, përfshirë ata të QUINT’it  shkuan për vizitë në Manastirin e Deçanit. Disa prej tyre e thanë haptas se vizita lidhet me kërkesën që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që 24 hektarët t’i regjistrohen Manastirit të Decanit. Kështu u interpretua edhe në një deklaratë të drejtueseve të Manastirit.

Sidoqoftë, për këtë kusht dhe nëse edhe miratimi i Kodit Civil do të bëhet kushti i radhës për progresin e Kosovës në KiE shkak të neneve që flasin për bashkëjetesë së personave të gjinisë së njëjtë , nuk janë në dijeni deputetët kosovarë që janë pjesë e delegacionit në këtë organizatë.

“Nuk jam në dijeni të vendosjes së këtyre kushteve, ajo çka di është se procesi i anëtarësimit të Kosovës në KiE ka filluar”, ka thënë Gashi.

Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, më herët në një prononcim për Express, pati thënë se nuk janë në dijeni për kushte të vendosura ndaj Kosovës.

“Gjatë diskutimeve që i kemi pasë këtu, nuk ka asnjë kusht për shkak se Kushtetuta e Kosovës në një anë dhe në anën tjetër edhe ligjet që lidhen me kushtet e Kosovës, janë më të avancuarat. Pra, Kushtetuta është bë në vijë të plotë me çështjet që ndërlidhen me të drejtat e pakicave e të njeriut. Nuk ka pasë ndonjë kërkesë, njëkohësisht nuk është diskutuar kjo çështje”, kishte thënë Tahiri.

Sidoqoftë, çështja e Manastirit të Deçanit tashmë u konfirmua se është kusht bashkë me temat e mëdha të politike Kosovë-Serbi.

Sipas procedurës, raporti i hartuar do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare. Më pas, do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KiE.